Duke qenë se Reforma në Drejtësi është jetike për vendin tonë të dashur, unë e kam ndjekur aktivisht dhe me shumë vëmendje e interes ecurinë e punës dhe procesit për këtë reformë që nga fillimi i saj e deri më sot. Sugjerimet e mia për aspekte të veçanta të kësaj reforme ua kam dërguar ekspertëve, grupeve të punës dhe anëtarëve të Komisionit të Reformës.

Gjithashtu mendimet e propozimet e mia i kam shprehur edhe publikisht në intervistat dhe artikujt e publikuar në shtypin dhe median në Shqipëri. Kam lexuar të gjitha draftet e përgatitura nga ekspertët shqiptarë në bashkëpunim me ekspertët e OPDAT dhe EURALIUS, kam lexuar opinionet e Komisionit të Venecias dhe vërejtjet e Opozitës dhe të LSI. Lexova edhe variantin final të draftit Kushtetues të ekspertëve Amerikanë e Evropianë. Pra kam informacion dhe njohje shumë të mirë për projektin e Reformës në Drejtësi.

E them me kënaqësi dhe bindje se Projekti që i është paraqitur Komisionit Parlamentar të Reformës në Drejtësi është projekt i shkëlqyer, është projekti më dinjitoz dhe serioz në gjithë historinë e Drejtësisë dhe Legjislativit në Shqipëri. Kjo do të jetë Reforma që do mundësojë çlirimin e Prokurorisë dhe Gjyqësorit nga prangat skllavëruese të politikës dhe do të krijojë kushtet që edhe prokurorët, gjyqtarët, pushtetarët, ish-pushtetarët dhe politikanët e çfarëdo rangu qofshin të vihen para përgjegjësisë ligjore për krimet dhe korrupsionin e tyre. Pra do jetë reforma që pritet t’i japë fund PANDËSHKUESHMËRISË së Pushtetarëve dhe që do të rrisë besimin e popullit tek Gjyqësori e Prokuroria.

Ne qytetarët e Shqipërisë duhet t’u shprehim mirënjohjen dhe falënderimin më të madh të gjithë ekspertëve shqiptarë, eksperteve Amerikanë dhe Evropianë, Komisionit të Venecias dhe Komisionit Parlamentar të Reformës të cilët me profesionalizëm të lartë dhe përkushtim admirues përgatitën këtë Projekt-Reformë,e cila, veç të tjerash, do i japë edhe shansin e shumëpritur Shqipërisë për t’u pranuar anëtare e Bashkimit Europian.
 
Si asnjëherë më parë, Shqipëria ka fatin e madh që për Reformën e Drejtësisë ka ndihmën dhe mbështetjen e fuqishme dhe vendosmërinë e pakompromis të qeverisë Amerikane dhe Bashkimit Europian. Deputetët dhe politikanët e vendit tonë duhet t’i kuptojnë mirë mesazhet e qarta të ambasadorit Donald Lu dhe ambasadores Romana Vlahutin, të cilëve ne shqiptarët duhet t’u jemi shumë mirënjohës për kontributin e jashtëzakonshëm që po japin për Reformën në Drejtësi.
 
Tani Komisioni Parlamentar duhet ta dërgojë Projekt-Reformën në Parlament pa asnjë vonesë dhe Parlamenti ta votojë sa më shpejt, mundësisht brenda muajit Maj. Të 140 deputetët e kanë punën më të lehtë, por edhe shumë të rëndësishme: Thjesht të votojnë pro Projektit të paraqitur pa asnjë hezitim dhe pa asnjë ndryshim.
Vota kundër kësaj Reforme është votë kundër Shqipërisë Evropiane, është votë kundër interesave të popullit shqiptar, është votë për të mos pasur investime të huaja në Shqipëri, është votë kundër bashkëpunimit dhe mbështetjes së qeverisë Amerikane dhe Bashkimit Europian, është votë për t’i hequr vendit një shans që mbase mund të mos i vijë më kurrë.
 
Unë dua të besoj se asnjë parti politike dhe asnjë deputet nuk do të marrë mbi vete një përgjegjësi e turp aq të rëndë e të pafalshëm duke votuar kundër Reformës. Vetëm ai apo ajo deputete që është zhytur në krim e korrupsion mund të ketë kurajon dhe marrëzinë të votojë kundër Reformës në Drejtësi. Por edhe nëse ka ndonjë të tillë, Ai do të jetë deputeti shpresëkotë që e afron edhe më shumë fundin e tij.
 
Qytetarët e Shqipërisë, institucionet Amerikane dhe Evropiane do t’i mbajnë shënim me emër, mbiemër e të dhëna të tjera këdo deputet që voton kundër Reformës (pra edhe ata që mund të abstenojnë apo t’i shmangen votimit). Ndëshkimi politik e ligjor dhe të tjera masa ndaj tyre do jenë të shumëanëshme dhe me shtrirje të gjerë. Pra, askush të mos guxojë ta pengojë edhe më tej apo të votojë kundër Reformës në Drejtësi.
Miqësisht i bëj apel secilit deputet, pra u bëj apel të 140 deputetëve, që të lënë mënjanë interesat partiake e personale dhe me votën e tyre PRO Projekt-Reformës të tregojnë se ata e duan Shqipërinë, se ata e duan anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian, se ata e duan dhe vlerësojnë me vepra e jo vetëm me fjalë bashkëpunimin me Amerikën dhe Evropën.
Unë besoj dhe shpresoj se Parlamenti do të nderojë veten dhe Shqipërinë duke votuar pa vonesa Pro Reformës në Drejtësi.
 
Zef Brozi
Uashington, D.C. 4 Maj 2016

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)