Shpëtim Hala u propozua nga klubi i Delvinës, por nuk mori dot edhe votën e delegatit të klubit që e propozoi për president të Federatës Shqiptare të Futbollit. Një anë e medaljes që tregon hapur se Hala nuk kishte asnjë shans kundrejt rivalëve Duka e Fino, të cilët sfumuan totalisht pedagogun e universitetit të Elbasanit. Pas votimit në Asamblenë Zgjedhore, Hala u shpreh që nuk janë respektuar rregullat e konkurrimit të ndershëm, madje do të dërgonte edhe një ankesë zyrtare në UEFA, por me lëvizjen e fundit, duket se FSHF ka sistemuar edhe një zë kundër.
Siç dihet, procesi zgjedhor i zgjedhjeve të FSHF është ankimuar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë nga kandidati Bashkim Fino. Mbeten për t’u parë zhvillimet, nëse do të ketë përsëritje të zgjedhjeve apo KAS do të cilësojë legjitim zgjedhjen e Armand Dukës. Interesant është fakti se zgjedhjet e Komitetit Ekzekutiv janë manipuluar totalisht, kjo e faktuar edhe nga Report Tv, por asnjë kandidat humbës nuk e ka denoncuar në organet kompetente.
d.b/shqiptarja.com










