Asociacioni i komunave serbe, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Qëndrimi i Beogradit ndaj Prishtinës, armiqësor! 3 kushtet që shmangin rreziqet

Asociacioni i komunave serbe, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Qëndrimi i Beogradit ndaj Prishtinës, armiqësor! 3 kushtet që shmangin rreziqet

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka reaguar lidhur me situatën në Kosovë. KASH thekson se po ndjek me detaje zhvillimet rreth dialogut Prishtinë-Beograd, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndër-shtetërore në mes tyre.

“KASH shpreh qëndrimin se të gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut duhet të trajtohen dhe të zbatohen në mënyrë të barabartë. Është shqetësues fakti se Republika e Serbisë asnjëherë nuk ka zbatuar marrëveshjen për shuarjen e strukturave të saj institucionale ilegale në Kosovë, si dhe disa marrveshje të tjera. Siç jemi dëshmitar në mënyrë të përsëritur, strukturat kriminale të drejtuara nga Serbia në Kosovë kërcënojnë paqen dhe sigurinë në veri të Republikës së Kosovës dhe ushtrojnë presion të vazhdueshëm ndaj të gjithë banorëve të asaj pjese të Republikës së Kosovës, pa dallim etnie. Edhe më shqetësues është tolerimi e madje në disa raste edhe mirëkuptimi që qarqe dhe emisarë ndërkombëtarë tregojnë ndaj këtyre strukturave ilegale dhe sponsorëve të tyre në Beograd”, thuhet në deklaratë.

Sipas KASH burimi i problemeve dhe tensioneve në marrëdhëniet në mes dy vendeve është fakti se Serbia mban një qëndrim armiqësor dhe agresiv ndaj shtetit të Kosovës dhe popullit të saj.

“Për sa i përket marrëveshjes për themelimin e Bashkësisë të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, KASH sjell në vëmendje se themelimi i kësaj Bashkësie ka mbetur çështje e hapur nga viti 2015 dhe kjo ka ndodhur për shkak të druajtjes së arsyeshme në Prishtinë se ai entitet mund të shndërrohet në instrument të Serbisë për të minuar sovranitetin shtetëror dhe funksionalitetin kushtetues të Republikës së Kosovës”.

Këshilli thotë se për të shmangur një rrezik të tillë, çdo veprim apo proces eventual lidhur me krijimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë duhet të ketë për bazë tri parime themelore.

“Së pari, Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe nuk duhet të cënojë parimet themeltare kushtetuese të Republikës së Kosovës, siç është sovraniteti, epërsia e kushtetutës dhe karakteri unitar i Republikës së Kosovës. Së dyti, Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë nuk mund të jetë strukturë një-entike dhe as pushtet i ndërmjetëm në mes të nivelit qëndror dhe komunave të caktuara. Së treti, Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe nuk mund të trajtohet e shkëputur nga marrëveshja përfundimtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dy vende sovrane dhe të pavarura që e njohin njëra tjetrën si të tilla. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh bindjen e plotë se Republika e Kosovës, si gjithmonë, do të sillet si shtet i përgjegjshëm, që ruan interesat shtetërore dhe aleancat strategjike, i përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon dhe integrime Euro-Atlantike. Ndërkohë që e vlerësojmë si jo parimor dhe kundër produktiv faktin që presioni ndërkombëtar ushtrohet vetëm ndaj Kosovës dhe vetëm lidhur me një marrëveshje, nga më shumë se 30 që janë nënshkruar. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë do të vazhdojë t’i qëndrojë pranë dhe të ofrojë mbështetje pa rezervë ndaj Republikës së Kosovës dhe i bën thirrje institucioneve të Republikës së Shqipërisë që të mos qëndrojnë pasive dhe indiferente ndaj proceseve historike nëpër të cilat po kalon Republikpa e Kosovës dhe populli i saj dhe që kanë ndikim afatgjatë në paqen, sigurinë dhe zhvillimet në të gjithë rajonin tonë”, përfundon qëndrimi i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.

K.T./G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave