Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka shprehur shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit në gjyqin e Hagës ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. KASH thotë se narrativa rrezikon të dëmtojë realitetin historik dhe juridik të Luftës së Kosovës.
Njëkohësisht, shprehet se barazimi i agresorit me viktimën përbën fyerje për popullin e Kosovës dhe aleatët perëndimorë që ndërhynë për të ndihmuar.
“Ky proces, në formën dhe narrativën që po merr, rrezikon seriozisht të deformojë realitetin historik dhe juridik të Luftës së Kosovës. Lufta çlirimtare e popullit të Kosovës ishte një reagim i ligjshëm dhe i domosdoshëm ndaj një fushate sistematike shtetërore të dhunës, spastrimit etnik dhe krimeve të luftës, të ushtruara nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit , një regjim tashmë i dënuar moralisht dhe juridikisht nga komuniteti ndërkombëtar.
Çdo përpjekje për të barazuar agresorin shtetëror me viktimën që luftoi për mbijetesë dhe liri, përbën një fyerje jo vetëm për popullin e Kosovës, por edhe për vetë ndërhyrjen ndërkombëtare të Perëndimit, e cila u ndërmor pikërisht për të ndalur krimet e luftës dhe gjenocidin në zemër të Evropës.
Ky proces i deformuar rrezikon, në mënyrë të papranueshme, të relativizojë dhe madje të amnistojë përgjegjësinë historike dhe politike të udhëheqjes shtetërore serbe për krimet e kryera në Kosovë. Një zhvillim i tillë do të ishte një padrejtësi e rëndë historike dhe një precedent i rrezikshëm për të drejtën ndërkombëtare”, shprehet KASH.
Këshilli mbështetjen për drejtësinë ndërkombëtare të paanshme, pro thekson se “çlirimi i Kosovës ishte akt legjitim i një populli të shtypur, dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbetet një forcë çlirimtare, jo objekt i revizionizmit politik apo juridik”.
Komente








