Astrid Lindgren, shpirti dhe madhështia e një shkrimtareje

Astrid Lindgren, shpirti dhe madhështia e një shkrimtareje

Shkrimtarja suedeze Astrid Anna Emili Lindgren (Ericsson)-1907 – 2002- është njëra nga shkrimtaret më të shquara në fushën e letërsisë botërore për fëmijë. Shumë nga librat e saj kanë burim frymëzimi dhe tharm familjen e saj, peizazhet e vendlindjes, si dhe kujtimet e fëmijërisë. Pipi Çorapegjata është një nga personazhet e saj më të famshëm, i cili lindi, u krijua dhe “u shpik” nga lutjet dhe kërkesat e njëpasnjëshme të bijës së saj, Ka(e)rinit, që aso kohe ishte e sëmurë, dhe i kërkonte me këmbëngulje nënës së saj t’i tregonte përralla. Dhe rrëfimet e saj përqëndroheshin  te tregimet me emrin Pipi.

      Përkthyesi i “Pipit...” shkrimtari Virgjil Muçi thotë:“Dikur Astrid Lindgren është shprehur: “Librat e mi nuk kanë mesazhe. Unë shkruaj për të argëtuar fëmijën që është brenda meje dhe duke e bërë këtë gjë nuk më mbetet tjetër veçse të shpresoj se, kësisoj, mund të zbavitë edhe ndonjë fëmijë tjetër”. ... Ç’është e vërteta nuk di të them se sa u duhet zënë besë fjalëve të një shkrimtari kur flet para kamerave ose kur intervistohet nga një gazetar. Ajo çka mund të them, pa ngurruar e pa u ndrojtur se gaboj, është se Pipi i Lindgrenit mbart një sërë mesazhesh në vetvete. Pipi është një nga karakteret par excellence antikonformiste të krejt letërsisë botërore. Ajo është krijuar për të thyer rregullat e shoqërisë dhe, kësisoj, për të pohuar një rregull dhe vetëm një: atë të të qenit vetvetja.”

            Madhështia e profilit të kësaj shkrimtareje të njohur suedeze e librave për fëmijë qëndron në faktin se, po rinovonte letërsinë suedeze për fëmijë me personazhet e saj, të cilët ishin të një natyre e mendësie të pavarur, energjikë, të pazakontë..., si: Pipi e çrregullt, fëmijët e zhurmshëm Nyman, Emil – mjeshtër i prapësive. Duke vazhduar me këtë tipologji e galeri personazhesh që na dhuroi shkrimtarja, ne i shohim: tërheqës, pak anarkistë brenda çdo fëmije të vogël. Lindgren thyen traditën e vendosur nga Elsa Beskoë, ku gjejmë personazhe që sillen mirë, dhe ata bëjnë më të mirën e tyre për të jetuar deri në pritjet e prindërve të tyre.

            Librin e parë e botoi më 1944, kur ishte 37 vjeçe. Ndërsa në vitin 1954, botoi librin e vet ‘më të zymtë’ të deriatëhershëm të titulluar “Vogëlushi im, Imi”.

Astrid Lindgren e fitoi shpejt kohën e humbur dhe, kur mbushi të 50-at jehona e vlerave dhe e madhështisë ishte përhapur në botë dhe e kishte “pushtuar” atë. Ka shkruar rreth 83 libra, shumica dërmuese për fëmijët, përfshirë edhe fëmijët e vet. Nga  to janë xhiruar 43 filma e seriale televizive. Suzan Ohman – Sudem, redaktore në Shtëpinë Botuese “Raben Sjorgen” të Stokholmit, ka thënë: “Astrid Lindgren mbetet themeli i firmës sonë”.

            Krijimtaria e saj letrare, veçanërisht me veprat madhore “Pipi Çorapegjata” e “Piciruku dhe Karlsoni - njeriu që banonte mbi çati” trokitën në mënyrë magjike në çdo shtëpi suedeze dhe u bënë të pranishme tek miliona familje anë e kënd botës, duke u bërë kështu vepra e saj një pjesë e rritjes së miliona fëmijëve në gjithë rruzullin tokësor. Lingren është botuar në mbi 100 milion kopje dhe është përkthyer në mbi 80 gjuhë të botës. Ka marrë 45 çmime kombëtare e ndërkombëtare. Por gjëja më e rëndësishme në jetën e shkrimtares-gjyshe, deri sa jetoi, kanë qenë shtatë nipat e nëntë stërnipat, për të cilët dashuria e saj ishte e pakufishme.

            Portreti i shkrimtares, që me të drejtë u quajt si Nëna e Pipi Çorapegjatës, dhe ndodhi nga jeta e saj

            “... një zonjë e moshuar, por me pamje energjike. Pasi shpiu këmbët e lodhura... si nikoqire e mirë kaloi përbri tezgave me fruta e perime për të vërejtur se cila nga ato ofronte çmime më ekonomike.

            ...

            Kur vonë në mbrëmje u kthye në apartamentin e vet në rrugën Dula të Stokholmit, zonja në fjalë e vuri rrushin të ziente dhe u kujdes për të deri në orët e vona për t’u siguruar djemve e nipave reçel për dimër. Familja mund të mbështetej tek ajo! Megjithëse si autore pat fituar qindra miliona nga të drejtat e librave të saj si dhe prej skenarëve të shkruar mbi to për pjesë teatrale e filma; shkrimtarja Astrid Lindgren, në të gjithë botën, ruan ende virtytet shtëpiake të fituara në fëmijërinë e hershme në rajonin jugor të Smalandit. Ajo ka mbetur një grua modeste, shumë e vëmendshme ndaj të tjerëve dhe kurdoherë e gatshme të kapë rastet që i ofron jeta.

            Mikesha e saj e ngushtë Margeret Stromstedt pohon: “Me sa duket janë këto veti të karakterit të saj, që e bëjnë të dashur për shumicën e suedezëve. Njerëzit e zakonshëm, të cilët nuk fitojnë sa ajo, gjejnë vetveten tek mënyra e saj e jetesës pa shumë pretendime”.

            E gjithë jeta e shkrimtares Astrid Lindgren ka qenë dhe mbetet model thjeshtësie, kurse vepra mund të quhet më se e jashtëzakonshme.

            ...

            “Më vinë shumë letra (nga lexues, - nënvizimi im Xh. B.)  dhe prekem kur i lexoj. Një lexuese kohët e fundit më shkruante: “Faleminderit që më ndriçove fëmijërinë time të errët”.

E nëse kam arritur të bëj këtë qoftë edhe për një lexues, jam vërtet njeriu më i lumtur në botë.”

            Biografia letrare, procesi krijues dhe talenti i shkrimtares

Në kujtimet e saj, Astrid Lindgren thotë: “Librin tim të parë e kam botuar në moshën tridhjetë e ca vjeçare. Pra, siç e shihni, është një biografi letrare, pak a shumë jo e zakonshme kjo imja. Bijë fshatari, unë linda dhe e u rrita në fshat, ku im atë punonte me qira ca dynym tokë të një prifti famullie. Bashkë me qumështin e nënës, atje në vendlindje mora edhe mushtin magjik të sagave e të legjendave popullore suedeze.

            Me kalimin e viteve u shpërngula në qytet dhe u bëra nënë. Nënë ndikimin e atyre këngëve të lashta, nisa të thur vetë lloj-lloj historish interesante me të cilat shpeshherë jeta reale gërshetohej me trillimin, faktet jetësore me fantastiken dhe të gjitha këto ua rrëfenja fëmijëve të mi. Vajzës sime i pëlqenin sidomos peripecitë e Karinit, që ishte një vogëlushe nja shtatë vjeçe. Të dyja së bashku, ne i vumë kësaj nofkën: “Pepli-çorapëgjata”.

            Një ditë duke shëtitur nëpër parqet e qytetit, rrëshqita dhe theva këmbën. Halli më detyroi të heq dorë nga punët e shumta të shtëpisë dhe nga kujdesi për fëmijët. Për herë të parë në jetë m’u dha rasti të kisha kaq kohë të lirë. Një herë tek mendoja, thashë me veten time: Po sikur të provoj të hedh në letër disa nga këto rrëfime e t’ia dërgoj shtëpisë botuese? Me të thënë e me të bërë. E nisa dorëshkrimin tim me ankth në zemër. Përgjigjja më erdhi me shpejtësinë dhe korrektësinë karakteristike të postës suedeze. Emri im i panjohur s’kishte ngjallur asnjë respekt te redaktorët. Por thonë mirë që askush s’ka pasur dëm nga këmbëngulja. Kuturisa t’i drejtohem sërish një shtëpie tjetër botuese, veçse kësaj radhe me betimin se kjo do të ishte përpjekja ime e fundit. Dhe sakaq, ndodhi çudia. Dorëshkrimin tim jo vetëm e kishin pëlqyer dhe pranuar, por edhe e kishin vlerësuar me çmim të parë në një konkurs veprash letrare për fëmijë, që organizohej asokohe. Nuk u besoja syve të mi tek vështroja libërthin tim, me atë kapakun elegant, ku qe shkruar me të zeza në të bardhë: Astrid Lindgren..

            Bota e shkrimtares dhe bota e personazhit, raporte dhe njëjtësime

            1.

            Shkrimtarja e shquar suedeze Astrid Lindgren na dhuroi një personazh si Pipi Çorapegjata, që u bë i dashur dhe “pronë” e shumë fëmijëve të rruzullit tokësor. 

A ishte shkrimtarja që i dha famën Pipit, a ishte Pipi që i dha famën shkrimtares? Një pyetjeje të tillë, asnjëherë nuk mund t’i jepet një përgjigje e saktë. Por disa të vërteta që i marrim vesh gjatë optikës së leximeve, është e udhës t’i pohojmë, si: talenti dhe magjia Lindgren, përkushtimi dhe njohja në thellësi e botës së fëmijëve, dashuria deri në dhembje për shpirtin e tyre, shpirt të cilin e mbron, e shpirtëzon, e respekton, i jep hapësirë, fluturim ëndrre, kulturologji dhe liri (në kuptimin e meritueshëm të këtyre fjalëve), etj.

            Astrid Lindgren dhe Pipi Çorapegjata u bënë të lexueshëm e të admirueshëm për fëmijët. Përjetësisht zunë vend në bibliotekat e tyre, si gurë të çmueshëm. Për t’u mos u plakur!

Shfaqja e një Pipi si personazh ndryshe përmes aventurës krijoi një figurë dhe univers të ri të panjohur të botës fëminore që nuk ishte dukur më parë dhe të çuditshëm, debatues dhe mosbesues, skeptikë, etj., në përballje me studimet që ende jetonin të formatuara e të ngurta nga disa studiuesë të kësaj letërsie. Autorja krijoi një personazh, veç të tjerave, u bë edhe model imitimi në jetën e përditshme nga bashkëmoshatarë të Pipit, por që kapërceu edhe shekullin e saj.

            2.

Në këtë libër ne njihemi me një vajzë të çuditshme, gati me pamje kllouni, qukse, me bishtaleca si shtupa, me gojë të madhe që vazhdimisht zgërdhihet vesh më vesh, me këpucë të mëdha dhe me çorape të gjata, njërin të zi e tjetrin bojë kafe. Po kaq të çuditshme janë edhe sjelljet e saj. Ajo vazhdimisht fantazon për njerëz e popuj të jashtëzakonshëm. Sipas rrëfimeve të saj njerëzit në Egjipt ecin mbrapsht,, në Indokinë vetëm me duar, kurse në Kongon Belge nuk gjen një banor të vetëm të thotë të vërtetën. Kjo vajzë është vetëm nëntë vjeç, por ka një forcë të jashtëzakonshme, ndeshet me policët, mund vjedhësit, del më e fortë dhe më e shkathët se mjeshtrit e sprovuar të cirkut. Edhe emri i kësaj vogëlusheje është po kaq i pazakontë e  qesharak, e quajnë Pipi Çorapegjata (në gjuhën suedeze emri Pipi ka kuptimin e marrëzisë apo të çmendurisë).

            Pasi mëson për suksesin e kësaj shkrimtareje, menjëherë të lind pyetja: Çfarë ka ditur Astrid Lindgreni të zbulojë në botën e fëmijëve, ç’gjë të veçantë fshehin rrëfimet e saj? Te Pipi çdo fëmijë gjen diçka nga vetja, nga dëshirat dhe ëndrrat që i gjallojnë thellë. Pipi nuk është ana e dukshme e fëmijëve, por fantazia e tyre. A nuk janë fëmijët që mendojnë se pas çdo kaçube apo gardhi fshihet diçka që vërtet mund t’ia vlejë? Kështu Pipi bëhet zhbiruese, eksploratore që ndërmerr ekspedita të mëdha në nje hapësirë tepër të vogël. Çdo fëmijë dëshiron të jetë i guximshëm, sypatrembur, i jashtëzakonshëm, dhe Çorapegjata është e tillë, ajo vë në lojë policët e ndeshet me ta, kap hajdutët e rrezikshëm, i tall, i flak majë dollapit dhe, si shpërblim për argëtimin që i dhuruan, u fal nga një monedhë ari. Çdo fëmijë i ka zili mjeshtrit e cirkut, po quksja e vogël ua kalon atyre pa ndonjë mundim të madh. Në vend që të jetojë një spektatore e urtë, ajo korr duartrokitjet e publikut. Atë askush nuk e detyron të shkojë në shtrat kur vjen ora e gjumit, punë kjo e prindërve, që çdo fëmijë ia sjell në majë të hundës. Ajo është vetë kuzhiniere, gatuan ç’të dojë, si t’i mbushet mendja dhe ha pa orar. Në faqet e këtij libri ne shohim një botë ku të rriturit ose nuk ndërhyjnë ose nuk duken fare, një botë ku shumë mirë mund të jetohet pa tutelën e tyre.

            Veç Pipit në hapësirat e librit njihemi edhe me dy fëmijë të tjerë, me Tomin e Anikën. Atyre u pëlqen aventura, por janë më se të zakonshëm, u binden prindërve dhe rregullave që ka vënë shoqëria. Kështu lexuesi kurrsesi nuk e identifikon veten me çamarroken Pipi, me gjithë gëzimin që u sjell ky personazh.

            Në vetvete fëmijët kurrsesi nuk mund të jenë Pipi, Pipi është ajo që ata dëshirojnë të jenë. Pamjen e saj të jashtme asnjë fëmijë nuk do ta pëlqente për veten e vet. Të vegjlit i mrekullon forca e shoqes së tyre, sepse ky është një mjet që të siguron pavarësinë, por është i pamundur, se një fëmijë nuk mund të jetë kurrë më i fortë se një i rritur. Po kështu Pipi Çorapegjata ka një valixhe të madhe plot me monedha ari, ajo blen gjithçka dhe sa të dojë, gjë që ngelet në kufirin e ëndrrës.

            Pipi të zbavit me pikëpyetjet që u vë rregullave të të rriturve, të cilat sikur janë krijuar enkas për të kufizuar lirinë e fëmijëve. Ajo bën ato që do t’i pëlqenin çdo fëmije, kacavaret nëpër pemë, lëpin kremin e pastave, ha shumë ëmbëlsira dhe trillon me një fantazi që është për t’u pasur zili. Tomi dhe Anika krijojnë një raport të drejtë me figurën e saj. Ata nuk kanë se si të jenë si ajo, por, brenda së zakonshmes së tyre i pëlqejnë e i duartrokasin aventurat. Pipi është dëshira e çdo fëmije, por kurrsesi realiteti. Ajo i bën fërtele moralizimet, nuk do t’ia dijë për to. Kurse dy fëmijët e tjerë as që guxojnë ta çojnë nëpër mend këtë gjë.

            Në fund të librit të tretë Pipi vendos të mos rritet, dhe kjo është bindëse se ajo është krijuar si një ëndërr nga fantazia e një fëmije dhe dëshiron të ngelet gjithmonë e tillë, një çupëlinë çamarroke dhe e jashtëzakonshme.

            3.

            Astrid Lindgren në krijimtarinë e saj të pasur letrare, fëmijën e sheh nga brenda, nga bota e tij e brendshme, nga prizmi i psikologjisë së brendshme të fëmijës, nga ëndrrat, dëshirat, shpresat, fantazia dhe imagjinata e fëmijës, e fëmijës i cili gjithmonë do ta ndërrojë botën, do ta mund të keqen dhe do ta përqafojë të mirën. Pra, fëmija në krijimet e saj gjithmonë do të përkrah të sinqertën, të drejtën dhe do ta mund djallëzinë e padrejtësinë. Për të bërë një gjë të tillë, fëmija gjithmonë i referohet imagjinatës së tij, fantazisë së tij, prandaj atje ai e gjen të pamundurën për të realizuar ëndrrën dhe dëshirën e botës së tij të brendshme. Këtë Astrid Lindgren e ka kuptuar me kohë, e ka hulumtuar me këmbëngulje dhe ia ka arritur më mirë se kush ta zbulojë botën e brendshme të fëmijës, një botë shumë të pasur. Ajo zbulon ëndrrat, shpresat, dëshirat, fantazinë e pakufishme të fëmijës dhe të gjitha këto i ka shfrytëzuar dhe i ka përdorur me mjeshtri pothuajse në të gjithë krijimtarinë e saj të pasur të saj. Pra, Astrid Lindgren fëmijën nuk e sheh nga jashtë si një fëmijë të rëndomtë, por e sheh nga brenda si një botë të pasur dhe skajshmërisht të begatë me fantazi, ëndrra e dëshirat të shumta. Fëmija në krijimtarinë e Astrid Lindgrenit e bënë të pamundurën. Dhe ajo e pamundur është krejt ireale, por megjithatë është diçka që i përkon dëshirës dhe ëndrrës së fëmijës në realitet. Pikërisht kjo në fillim ishte ajo droja nga veprat e Astrid Lindgrenit. Ishte droja se krijimtaria e saj s’përkonte me realitetin, se ajo zgjonte rebelim e padëgjueshmëri. Kritikët, po edhe disa nga lexuesit e komentuesit e rritur konservatorë kishin mendime të kësaj natyre, sepse deri më atëherë nuk ishin mësuar të lexonin diçka të tillë, nuk ishin mësuar që fëmija të shihej si botë e brendshme shumë e pasur dhe komplekse, me plot ëndrra e dëshira për të ndërruar shumë gjëra të rëndomta e shumë rregulla bajate. Për këtë në fillim krijimtaria e A. Lindgrenit u pranua me druajtje nga qarqet letrare dhe nga kritika konservatore. Por, në të vërtetë ajo pranohej këndshëm nga miliona lexues të vegjël dhe të rritur. Dhe kjo falë zotësisë së autores, e cila depërtoi në botën e brendshme të fëmijës përmes penës e cila pasqyroi ëndrrat, dëshirat e fantazinë e begatë të fëmijës.

            Një qasje e tillë në krijimtarinë e vet letrare, Astrid Lindgrenin, padyshim, e bëri jo vetëm njërën nga krijueset më me emër të botës, por nga shkrimtarët më të adhuruara nga lexuesit, dhe jo vetëm të moshave të reja por edhe të rriturve. Një letërsi e tillë për të vegjlit, bëri një kthesë të madhe në gjithë letërsinë për fëmijë, në Suedi e më gjerë. Mund të themi lirisht e pakurrëfarë hamendje, që kjo kthesë e letërsisë për fëmijë nga bota e brendshme psikologjike, nga ëndrrat, dëshirat, fantazia dhe imagjinata e pasur e botës së fëmijës, shënon një lloj revolucioni në fushën e letërsisë për fëmijë. Të kujtojmë me këtë rast personazhin e saj fëmijën rebel Pipi, e cila do të thyejë ligjet e rëndomta të cilave duhet t’u nënshtrohet një fëmijë në familje, në shkollë a në shoqëri, duke u bërë kështu i pazakonshëm dhe me ambicie për të ndërruar botën, mënyrën e jetës dhe të të gjykuarit për fëmijën e mbi fëmijën. Libri i saj “Pipi Çorapegjata”  në letërsinë për fëmijë bënë një kthesë të veçantë. Hapi një rrugëtë re në këtë letërsi e të panjohur deri më atëherë. Prandaj, me të drejtë konstatojmë se letërsia për fëmijë, me Astrid Lindgrenin shënon nismën e një periudhe të re të letërsisë për fëmijë. Krijimtaria e saj hap një kapitull të ri  në letërsinë për fëmijë që kudo në botë ishte e panjohur më parë.

            Ku është merita e autores që ia arrin një gjëje të tillë?

            Merita e saj më e madhe, mendoj unë, është se ajo botën në krijimtarinë e saj e sheh dhe e percepton nga brendësia, nga brendësia e botës së fëmijës. Ajo në krijimtarinë e saj nuk e sheh as nuk e percepton fëmijën me sytë e botës e të parë nga jashtë, por nga brendësiae botës së fëmijës. Duke hyrë në këtë botë Lindgren diti t’i hetojë të gjitha të metat, devijimet, prapësitë, shabllonizimet bajate dhe mangësitë e jetës përgjithësisht. Shkruan për fëmijën në familje, në shkollë, në shoqëri. Në krijimtarinë e saj fëmijën dhe as botën përgjithësisht nuk i sheh me sytë e një të rrituri, por me sytë e botës së brendshme të fëmijës. Fëmijën e sheh me sytë e fëmijës.  Ëndrrën e fëmijës e sheh me sytë e ëndrrës së fëmijës. Dëshirën e fëmijës e sheh me sytë e dëshirës së fëmijës. Fantazinë e fëmijës e sheh me sytë e fantazisë së fëmijës. Imagjinatën e fëmijës e sheh me sytë e imagjinatës së fëmijës.         

            Pikërisht një qëndrim i tillë, një qasje e tillë në krijimtarinë e saj, Astrid Lindgrenin e bënë aq të dashur për lexuesin, aq të kërkuar për fëmijën, aq të dashur, aq të pëlqyeshme dhe aq të çmuar në fushën e letërsisë për fëmijë përgjithësisht.

            Të rrëfyerit e Astrid Lindgrenit është plot ndjenjë. Fjala dhe të rrëfyerit e saj është plot magji, e rrëmben fëmijën menjëherë dhe e bën për vete, sepse është rrëfim, është fjalë që buron nga shpirti, nga zemra, nga ëndrra, nga dëshira, nga imagjinata, nga dashuria e sinqertë e fëmijës. Prandaj edhe fëmija-lexues s’ka se si të mos dashurohet në këtë rrëfim, këtë fjalë, me këtë përceptim.

Astrid Lindgren me shumë sukses në krijimtarinë e saj u ik shablloneve moralizuese, nga çka shpesh herë letërsia për fëmijë ka vuajtur e aty-këtu, ndonëse edhe sot ajo vuan. Ajo krijon personazhin e saj si antipod i skajshëm i këtyre moralizimeve, i rregullave të ngurta e predikimeve të mërzitshme. Me mjaft suksese arrin që në veprat e saj letrare të krijojë si botë reale botën e brendshme të fëmijës me të gjitha ëndrrat, dëshirat dhe me gjithë fantazinë e pakufishme të tyre. Personazhet e saj në të shumtën e herës janë vetë tipizime të një karakteri nga brendësia e fëmijëve. Ata pak ose fare janë fëmijë nga realiteti. Ata janë fëmijë të jashtëzakonshëm. Ata janë fëmijë të krijuar për të kënaqur fëmijët, pra, janë fëmijë të imagjinuar nga autorja. Fëmijë që në realitet paraqesin dëshirën dhe fantazinë e tyre për të qenë të tillë. Ashtu siç është edhe bota e brendshme e tyre, siç janë ëndrrat dhe fantazia e tyre. E atyre fëmijëve të cilët  duan ta krijojnë botën ndryshe. Siç e thamë edhe më herët të jenë të fortë, trima e guximtarë, por edhe qesharakë, çapkënë e hokatarë... P. sh.  Një karakter i tillë është Pipi Çorapegjata.

 

Me krijimtarinë e saj Astrid Lindgreni angazhohet gjithë fëmijëve të botës t’i gjendet pranë edhe atëherë kur ata kanë dhembje, vuajtje, brenga e halle, apo ndonjë plagë tjetër shpirtërore. Atëherë ajo do të jetë pranë tyre dhe me krijimtarinë e saj, me personazhet e saj, me rrëfimet e përrallat e saj t’ua lehtësojë e t’ua largojë dhembjet, t’i shoqërojë e t’ua heqë vuajtjen e vetminë dhe t’ua shërojë plagët e shpirtit. Në krijimtarinë e saj ajo do të mendojë gjithmonë për fëmijët e vuajtur, të lënë mënjanë a të përbuzur. Ajo, fëmijëtë tillë do t’i ngrohë me dashuri, do t’u gjendet pranë në momentet më të vështira, p.sh. kur ata mbesin pa dashuri prindërore, kur nuk kanë për të ngrënë e për të pirë apo edhe kur u shkelen të drejtat dhe liritë e tyre. Astrid Lindgren, me krijimtarinë e saj, vihet në anën e fëmijëve pa prindër, në anën e atyre fëmijëve të cilët ngacmohen e përqeshen nga të tjerët, në anën e atyre fëmijëve të varfër të cilët përqeshen e nënçmohen vetëm pse janë varfanjakë, etj., etj. ... Ajo fëmijëve gjithmonë do t’u gjendet pranë me fantazinë e saj prej krijueseje

            Në vend të përfundimit

Astrid Lindgren me krijimtarinë e saj, me personazhet e saj, ka hyrë menjëherë në zemrat e lexuesve në mbarë botën, ka hyrë në zemrat e tyre dhe është bërë një pjesë e botës së tyre, një pjesë e rritjes dhe jetës së tyre. Për një shkrimtar përqafimi i veprës së tij nga miliona zemra në mbarë botën padyshim është gjëja më e çmueshme, është çmimi më i madh. Lum ai shkrimtar si Astrid Lindgreni që lë pas vetes një krijimtari të tillë, të begatë dhe të dashur për të gjithë! Një krijimtari e tillë shkrimtarin e bënë të pavdekshëm, të përjetshëm! Edhe pse Astrid Lindgreni ka ndërruar jetë, ajo nuk ka vdekur, por bashkë më veprën e saj ka hyrë në përjetësi! E përjetësi dhe gjithnjë nderim i ka dhënë edhe Letërsia shqipe për fëmijë me përkthyesit e saj të nderuar. Astrid Lindgren është e njohur dhe shumë e dashur me librat e saj në shqip. “Pipi Çorapegjata” ka pasur disa botime e ribotime. Por edhe një libër tjetër është gjithashtu shumë i dashur dhe është i përkthyer në shqip për lexuesit shqiptar. Ky është libri “Picirruku dhe Karlsoni, njeriu që banonte mbi çati”, libër që u botua më 1964, më 1968 u ribotua, duke pasur edhe disa ribotime në vitet e mëvonshme; ashtu, siç ka pasur këto vitet e fundit libra të tjerë të shkrimtares suedeze Astrid Lindgren, përkthyer me mjeshtri nga Virgjil Muçi.

            Shkodër, prill, 2019.

Literatura e shfrytëzuar:

-Autorja, librin e parë rreth Pipi Çorapegjatës e botoi në vitin 1945. Në të vërtetë, Historitë dhe aventurat e Pipit janë përmbledhur në tre libra.

-“Piciruku dhe Karlsoni – njeriu që banonte mbi çati” (1961, 1997, përkthyer nga Petro Zheji) dhe “Pipi Çorapegjata” (1990, përkthyer nga Virgjil Muçi).

- “Nëna e Pipi Çorapegjatës”, përgatitur nga Kristofor Grillo, gazeta “Drita”, 26.04.1998.

-“Po s’dite të këndosh, mos ia merr këngës”, përgatitur nga Lili Bare, gazeta “Drita”, 10.08. 1986.

-Lindgren, Astrid: “Emili i Loneberges”, Botim: Botimet “Vëllezërit Tafa”

-Sheqiri, Rizah: “Vepra e Astrid Lindgrenit një botë në vete – një mbretëri përrallore e ngritur nga bota e brendshme e fëmijëve, revista “Besa”, nr.1, 2002, USHSHS.

-Bishqemi, Astrit: Astrid Lindgren, “Pipi Çorapegjata”, T. 1990, f.16.

-Frangu-Demiri, Qibrije: Letërsia për fëmijë (gjeneza, fenomene, autorë), Rozafa, Prishtinë 20111; 17.5. Astrid Lindgren (1907 – 2002), f. 269 – 271.

-Intervistë me shkrimtaren e madhe suedeze Astrid Lindgren, përgatiti Irena Dono.

-Canosinaj, Viktor: Nga Liza te Harri Poteri – Vështrim mni letërsinë për fëmijë dhe të rinj, Lili, T. 2006.

-Dedja, Bedri: (përzgjedhur nga - ) Thesaret e letërsisë, Dua të njoh botën – Enciklopedi fëminore, V. I, Mësonjëtorja e Parë, Tiranë 2001.

-File, Valter: Astrid Lindgren dhe personazhi i saj i jashtëzakonshëm (parathënie e librit “Pipi Çorapegjata”), T. 1990.

-Vinca, Nuhi: Pasthënie – në librin “Astrid Lindgren: Picirruku dhe Karlsoni (Njeriu që banonte mbi çati), botimi i dytë, T. 1984, f. 3 – 5.

-Zheji, Petro: Parathënie – në librin e përkthyer nga ai “Astrid Lindgren: Picirruku dhe Karlsoni (Njeriu që banonte mbi çati), Logos A, Shkup 2002, Sh. 2003.

-Muçi, Virgjil: Pipi, një heroinë e kohës sonë, gazeta MAPO, 18-19 prill 2015.

-Muçi, Virgjil: Pipi Çorapegjata (e A. Lindgren-it) vidhet sheshit, Metropol, 15.03.2005. një heroinë e kohës sonë, gazeta MAPO, 18-19 prill 2015.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rëzimi i avionit, Azerbajxhani shpall 26 dhjetorin ditë zie kombëtare

Rëzimi i avionit, Azerbajxhani shpall 26 dhjetorin ditë zie kombëtare