Astrit Beci: Kontratat e reja shëndetësore
më shumë siguri për pacientët

Astrit Beci: Kontratat e reja shëndetësore<br />më shumë siguri për pacientët
TIRANE- Kontratat e reja që do të lidhen më institucionet shëndetësore qofshin ato publike apo private do të sjellin do të jenë të mirëpërcaktuara, në mënyrë që të sjellin më shumë siguri për pacientët, ndërkohë që auditimi ndaj tyre do të jetë edhe më i rreptë. Bëhet fjalë për 5 paketat shëndetësore të cilave po u llogariten kostot, ndërkohë që paralelisht me to pritet të ndodhin edhe një investimesh në shëndetësi. Këtë fakt e pohon drejtori i Fondit të Sigurimit dhe Kujdesi Shëndetësor, dr. Astrit Beci në një intervistë të dhënë për “Shqiptarja.com”. Sipas tij, dy paketat e para u realizuan me sukses, duke nxjerrë për herë të parë edhe kostot e dializës dhe transplantit të veshkave.
 
Vetëm 10 ditë më parë është bërë prezantimi i dy paketave të reja, dhe ajo që ka qenë më e rëndësishme është bërja publike e kostos së dializës dhe transplantit të veshkave. A është kjo një formë e favorshme për kontraktimin e sektorit privat?
Që në fillim, dëshiroj të theksoj se, në qasjen e re të Qeverisë, shërbimi privat shëndetësor është komplementar me shërbimin publik. Ne e konsiderojmë sektorin privat si partner, në funksion të një shërbimi më të mirë për pacientët. Por, kontraktimi i shërbimit privat, do të shoqërohet me forcim të strukturave publike, pasi në këtë mënyrë, ne do të nxisim një konkurrencë reale në treg, në funksion të përmirësimit të kujdesit shëndetësor për popullatën. Nëpërmjet ofrimit të shërbimit me kontrata të mirëpërcaktuara, ne do të sjellim më shumë siguri për pacientët. Gjithashtu po marrim masa dhe për auditimin e këtyre paketave.

Hartimi i paketave shëndetësore, cila ishte risia që ato sollën? Këtu kam parasysh dy paketat e përfunduara.
Në përputhje me qasjen e re të Qeverisë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë, ne si Fond, kemi sjellë inovacion në shërbimin shëndetësor, duke hartuar dhe matur për herë të parë kostot e 2 paketave  të shërbimit, atë të dializës dhe transplantit të veshkave. Tashmë kemi të përcaktuara saktë kostot reale të këtyre shërbimeve. Pas konsultimeve të gjera dhe një pune voluminoze, kemi përllogaritur kostot e drejtpërdrejta dhe ato indirekte, duke marrë parasysh analizat e nevojshme, koston e interventit, etj, dhe duke u bazuar edhe në protokollet e praktikes klinike

Shërbimi i dializës, do të vijojë të mundësohet në shërbimin publik, në QSUT, Shkodër, Elbasan dhe Gjirokastër, por ne, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, po shikojmë mundësinë e hapjes së qendrave të reja, si psh në Korçë dhe Vlorë, për ta dërguar shërbimin sa më afër pacientëve. Gjithashtu, ne si Fond, do të kontraktojmë dhe shërbimin privat, pasi kapacitetet publike nuk mund ta përballojnë fluksin e madh për shërbimin e dializës.

Ne kemi pacientë që sot e bëjnë dializën në Maqedoni apo Greqi, ndërkohë që me hapjen e qendrave të reja dhe me mundësimin e këtij shërbimi edhe në sektorin privat, mendojmë të arrijmë sa më afër pacientëve dhe nevojave të tyre.
Sigurisht që ky shërbim ka kosto të lartë dhe numri i pacientëve është gjithnjë në rritje. Por duke mundësuar edhe transplantin e veshkave, nga përllogaritjet që kemi bërë, kostot në vitin e dytë dhe në vitet pasardhëse, bien ndjeshëm. Njëherësh, përmirësojmë cilësinë e jetës për pacientët që vuajnë nga insuficienca renale.

Aktualisht janë duke u diskutuar të tjera paketa shëndetësore, cilat janë ato?
Puna e zhvilluar nga Fondi me mjekët ekspertë të QSUT-së, ka qenë një punë intensive dhe mjaft rezultateve. Kostot e dy paketave të para u përllogaritën sipas kritereve mjekësore, ekonomike dhe sociale. Që do të thotë se, në hartimin e këtyre paketave, u vlerësua shkalla e ofrimit të shërbimit në ndihmë të përmirësimit të cilësisë së jetës, të shmangies së përkeqësimit të mëtejshëm të shëndetit dhe të rritjes së jetëgjatësisë. Mund të konsiderohet pa dyshim që ka patur progres, pasi, rezultatet u arritën në një kohë rekord dhe për këtë do doja të falënderoja stafin e Fondit dhe mjekët e grupeve të punës së paketave.

Por puna jonë nuk do të ndalet këtu. Ne po vijojmë me matjen e kostove të 3 paketave të tjera, më konkretisht paketën e kardiologjisë invasive, transplantin e heparit (mëlçisë) si dhe paketën e implantit koklear për fëmijët me problem dëgjimi. Bëhet fjalë për shërbime me ndjeshmëri të lartë sociale, që tregon për angazhimin e Qeverisë për përmirësimin e kujdesit shëndetësor për popullatën.  Dy paketat e shërbimit, dializa dhe transplanti i veshkave, do të kalojnë së shpejti për miratim nga Këshilli I Ministrave dhe më pas do të ofrohet shërbimi bazuar në kontrata të mirëpërcaktuara, sipas standardeve klinike të miratuara për këto shërbime.

Një spital privat që të marrë të drejtën e ofrimit të këtyre paketave dhe shërbimeve, çfarë kushtesh duhet të plotësojë?
Kontraktimi i shërbimit me sektorin privat do të kalojë në një filtër rigoroz si përsa i takon procesit të parë të lidhjes së kontratës ashtu edhe për auditimin e shërbimit, në mënyrë që të ofrohet siguri për pacientët.
Në këtë sens, do të ketë progres sa i takon procesit të kontraktimit të shërbimit privat. Në kontratat mes Fondit dhe ofruesve të këtyre shërbimeve, do të konsiderohen standardet klinike dhe performanca e shërbimit do të matet duke u krahasuar me standardet e miratuara për këtë shërbim. Dhënia e shërbimit të hemodializës, do të mbështetet në udhërrëfyesit më të mirë të praktikës klinike. që sot përdoren në Bashkimin Evropian.

Sa i takon qendrave ku do të kryhet dializa, ato do të raportojnë në mënyrë periodike dhe do të ketë kontrolle të vazhdueshme për mënyrën e dhënies së këtij shërbimi. Do të garantohet që pacientët ta marrin shërbimin 3 herë në javë, sipas praktikave më të mira botërore. Në kontrata, do të përcaktohen elementë si mirëmbajtja e aparaturave, që lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e shërbimit. Për shembull spitalet që do të kontraktohen, do të duhet që pas 40 mijë orë pune, të ndërrojnë aparaturat”.

Finalizimi i paketave të shërbimeve, sjell inovacion, pasi, krijon kushtet e nevojshme për të kaluar gradualisht nga forma e buxhetimit historik të spitaleve, në atë real dhe sipas nevojave. Me financimin e këtyre paketave, do të kemi transparencë në administrimin e fondeve si dhe krijojmë një treg konkurrence mes sistemit publik e privat, në funksion të përmirësimit të kujdesit shëndetësor për popullatën.

Shkrimi u publikua sot (26.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

VIDEO nga Shëngjini/ Digjet një shtëpi pushimi te Rana e Hedhun, flakët rrezikojnë dhe Kishën! Ndërhyn helikopteri

VIDEO nga Shëngjini/ Digjet një shtëpi pushimi te Rana e Hedhun, flakët rrezikojnë dhe Kishën! Ndërhyn helikopteri