Deri sa vdiq, në dhjetor 1940 Fishta u perpoq të ishte një trait d’union ndërmjet pushtuesve dhe katolikëve shqiptarë, duke perligjur me aderimin e tij te regjimi i ri veprimet e italianëve. Përsa u përket çështjeve politike brenda urdhërit të tij, Fishta arriti deri sa t’i sinjalizojë policisë italiane lëvizjet e françeskanëve që përndiqeshin, si edhe të kallëzojë eprorin provincial…”
Gjykimi “Ky letrar me një të kaluar të pasur përpjekjesh për pavarësi kulturore e politike të Shqipërisë deri më 1939 kish qenë kundërshtar i flakët i italianëve” nuk asht plotsisht i vertetë. Fishta ka qenë i bindun se Shqipnia mund të ruejë kufijtë e të zhvillohej vetem me mbështetjen e një shteti të madh. Austro-Hungaria e Italia interesoheshin per Shqipninë, per një Shqipni sa ma të madhe. Astro-Hungaria ndiqte politikën e luftës kundër pansllavizmit. Për këte, aspironte ose të pushtojë Shqipninë që të mos lejonte sllavët të delshin në Durrës, të pushtojshin Veriun shqiptar, ose të ringjallshin ndergjegjen kombtare nëpërmjet shkollave, a tue pregatitë kuadro etj. etj., që shqiptarët ta mbrojshin vetë atdhenë e tyne.
Zgjodhi rrugën e dytë. Rivaliteti austro-italian mbante pezull fatin e Shqipnisë. Fishta shkruen: “Desh Austria e Italia, prandej n’veti duel Shqipnia”.”Veprimeve austro-italiane u shoqëroheshin edhe manevrat dinake të qeverisë osmane, që nuk deshi të pranonte as humbjen e Shqipërisë, as pavarësinë e saj”, shkruente Fishta në Letrën dergue V. Prendushit. Fishta kishte të rranjosun bindjen se Shqipnia nuk i kishte elementet e nevojshme per t’u themeluar si shtet i pavarur”. Fishta nuk njifte teorinë e mbështetjes në forcat e veta, sikurse nuk e njifshin as nacionalistët tjerë. Enver Hoxha e shpiku, populli e vuejti. Teza e Fishtes ishte: “ Unë nuk them që italianët do ta shpëtojnë, por them e pohoj se askush nuk mud ta humbasë Shqipërinë pa pelqimin e qeverisë italiane. Të ashtuquajturit nacionalistë shqiptarë e kanë hedhur poshtë formulën Shqipëria me ndihmën e Italisë, por ata nuk kanë mundur akoma tën percaktojnë një formulë tjeter politike...”.
Edhe Princ Vidin, nën sundim të cilit i mendonte kufijtë e Shqipnisë të sigurtë, e pelqente. Në kohën e nderkombtarëve në Shkoder, perfaqsuesi italian, Gali bante çmos me internue Fishten. Në periudhën e serbëve, Italia mbajti qendrim pro sllav, permendim vetem çeshtjen e Fiumes, prandaj Fishta qe antisllav e antiitalian (kupto: kunder politikes shoviniste të qarqeve politike sllave e italiane e jo si duen ta interpretojnë disa, kunder sllavëve, megjithëse ushtarët sllavë banë shumë krime ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare. Fishta ishte meshtar e nuk ushqente urrejtje per asnjë popull). Qeverinë e Durrësit e perkrahu. Qeveria ishte e vijës italiane. Autoriteti i kësaj qeverie shkoi tue ra.
Kështu, Fishta që në fillimet e veprimtarisë së tij e deri më 1918 ishte pro Austro-Hungarisë, pra, vertetë antiitalian, per çeshtje kombtare. Bashkëpunoi sidomos per shkollat shqipe me Austro-Hungarinë, ndersa shkollat italiane i kritikonte së tepërmi, madje bante çmos t’i mbyllte. E filloi edhe me ndihmën e Guerinit, kryeipeshkvit të Shkodres. Prandaj Italia bani çmosin të mos lejonte as Bumçin e, sidomos, as Fishtën të ishin delegat në Konferencë të Paqes. Por, per interesa kombtare, Fishta parimin e pranuem edhe nga Mons. Serreqi, “Shqipnia e plotë, e pavarun, e pa dallime e mbajti gjatë Konferencës së Paqes, në kundershtim me dallaveret italiane. Por pranonte Shqipninë me ndihmën e Italisë. Në kohën e Luftës së Vlorës, nisë nga interesa kombtare, mbajti qëndrim të matun, të rezervuem, por jo krejt proitalian. Fitoi vija e luftës e Vlora u çlirue.
Lidhun me percjelljen që shkodranët i banë gjeneralit Dë Furtu, Fishta i shkruen Imzot Prendushit: “Do të isha kurioz të dija përse shkodranët e kanë pa të nevojshme t’i bëjnë një të tillë brohoritje një të huaji, cilësitë e mira të të cilit ishin përherë të nënshtruara urdhrave eprorë? Supozoj se e kanë bërë këtë vetëm për njerëzi të thjeshtë”.
Parimisht, afrimi me Italinë i pelqente, se Italia kishte interesë që Shqipnia të perfshinte edhe tokat e mbetuna jashtë kufijve. Amerikës nuk ia kishte besën. Kishte zane që të mbështetemi tek amerikanët. Gjatë viteve 1921-1924 Fishta ishte me Opozitën, pra, kundra politikës deshtake të Zogut, kundra marrëveshjeve nënshtruese ekonomike italiane.
Mendimi i Dela Rokës: “Pas 7 prillit bëri një kthesë të shpejtë. Pasi u mbush me ndere dhe shperblime nga italianët, vendosi të bashkëpunojë me ta, duke pranuar para së gjithash emërimin si akademik i Italisë. (Edhe Puto u mbështet te Dela Roka, por u mbështet në dërrasë të kalbët). Kështu, Fishta pasi mori ndere e shperblime, vendosi të bashkëpunojë me ta”,( dmth me fashistët). Bravo Dela Roka, na e nxori Fishtën trathtar e të pakarakter: per do “ndere” e “shperblime” shiti Shqipninë.
Dela Roka vazhdon: “Përsa u përket çështjeve politike brenda urdhërit të tij, Fishta arriti deri sa t’i sinjalizojë policisë italiane lëvizjet e françeskanëve që përndiqeshin, si edhe të kallëzojë eprorin provincial…” Edhe kjo thanie e lypë një Bravo. Na e nxori Fishtën spiju i fashistëve. Lëvizjet e françeskanëve janë ba me porosi të Melonit, madje në mënyrë konfidenciale dhe per një kohë të shkurtë.
Pader Donat Kurti, drejtor i shkollës françeskane, më ka thanë sa vijon, “shkurtimisht”: “Kam shkue te ministri i arsimit i kohës dhe i kam kerkue kuadro arsimore, se janë largue disa profesora me iu ruejtë situatës, tue i permendë një nga një të larguemit që duhen zevendsue sipas landëve mësimore”. Pra, nuk bahet fjalë per zbulim sekreti, se nuk ka kenë aspak e fshehtë se ku gjinden profesorët antifashistë, aq ma teper per ministrin e arsimit që ishte vëllai i famullitarit të Shkodres.
Gjithashtu, provinciali françeskan nuk ka kenë i fshehtë aspak, e kanë dijtë shumë se ku gjindet e mese merret. Lëvizjet e profesorave i kanë dijtë edhe studentët. Po kujtoj fjalët e Melonit, sekretarit të Jakomonit: “Hiqni provincialin e gjithçka ndreqen”. (Provincial ishte Ciprijan Nika, i pushkatuem mbas torturave).
Qe, si e spjegon vetë Pader Gjergji në një promemorje të pabotueme ma parë. (Dela Roka duhet të botojë Promemorjen që të bindemi, jo si sot, që mund t’i thuesh gjithkuj spiju, e ta beson gjithkushi, edhe pse shpifje të pambështetuna në fakte e pa dokumente).
Promemorje
Së pari, Per autoritetet civile e ushtarake, në rrethana jo të zakonshme, ose në rrethana të tensioneve politike nderkombtare, dyshimi asht një detyrë.
Së dyti, Per detyrë mirësie, klerikët janë mbajtë në kufijt e drejtësisë e mbrenda fushës së natyrës të gjendjes së tyne, me ndihmue autoritetet në fuqi në krejt atë që mund të nxisin të mirën e vërtetë morale e materiale të shtetit.
Kjo premtue edhe në lidhje me propozimet të bame prej Kom. Melonit Provincialatit Françeskan të Shqipnisë lidhun me vendosjen e disa fretenve tanë në liceun françeskan të Shkodres, pra: Dr. Atanas Gegaj, Dr. Gjon Shllaku, Lekë Luli e Antonin Fishta dhe Pader Anton Harapi, të gjithë mësues në gjimnazin –lice të Shkodres, Provincialati ka mbajtë masat që vazhdojnë: (nenvizimi im, K.C.).
1. Pader Atanas Gegaj e Pader Gjon Shllaku do të mbahen jashtë Provincës per një kohë të pacaktueme.
2. Pader Lekë Luli prej Shkodre do të vendoset në një prej famullive tona të Malsisë, mbas gjaset, në dioqezën e Pultit.
3. Pader Antonin Fishtës, pjesëtar i Këshillit, do t’i kerkohet rregull .
4. Persa i takon P. Anton Harapit, provincialati nuk e mendon të nevojshme me marrë masa speciale, e kjo, per këto arsye:
Së pari, provincialati ka bindjen e plotë që P. Anton Harapi, as me fjalë, as me vepra nuk ka dhanë kurr rasë me dyshue në sinqeritetin e besnikërinë ndaj regjimit të ri në Shqipni.
Së dyti, komisioni perfaqësues shkodran shkoi në asamblenë kombtare me mandatin t’i ofrojë kunorën shqiptare një antari të dinastisë së lavdishme të Savojës e jo Madhnisë së Tij aktual mbretit e perandorit tonë. Qe Pader Antoni që, me fjalën e tij të meçme, i paraqiti idenë e bashkimit personal.
Në fund, provincialati mban pozitivisht të sigurtë, se dyshimet mbi sinqeritetin e besnikërinë e Pader Anton Harapit dhe të motrave të nderueme stigmatine kanë qenë krijue nga insinuacionet malinje e të interesueme ndonjë të treti që, ma pak se kushdo tjeter, do ta kishte dashtë me e ba.
Nga e gjitha kjo (sa thamë ma nalt) arrijmë te fakti që P. Anton Harapi asht një personalitet i njohun, mundet me u thanë në tanë Shqipninë, e per ma teper një meshtar rregulltar që nuk të jep shkas me e qortue.
Për këtë, Provincialati e mbanë se çdo masë e improvizueme, marrë në ngarkim të P. Harapit, në kuptimin e propozimeve të Kom. Melonit do të ishte një padrejtësi e besoj mjaft në politikë.
P.G. Fishta ofm
Shenoj: Pader Antoni ka qenë kundërshtar i Italisë, ka pasë probleme, madje i internuem (me forma të ndryshme) nga Italia, prandej të mbrohej ai, ishte si të vepronte kunder politikës italiane. Më thonte Pader Justini: “Pader Antoni ka qenë regjent në kohen e gjermanëve e na thonte: “Luften e fitojnë anglezët”. Pra, asht mbajtë si filoanglez! Me rastin e 12 prillit, vetem Dergata shkodrane paraqiti kerkesat që të çojshin tek ruejtja e Pavarësisë.( ma gjatë, lexo Prof. Dr. A. Plasari, “Anton Harapi redimensus”. Këto kerkesa i nenshkrou edhe Fishta. Ka gjurmë në leterkëmbim që Fishta u del zot fretenve të perfolun ma nalt.
Promemorja botohet, besoj, per herë të parë.
Po nxjerri nga dorëshkrimet e Fishtes edhe letrën e maposhtme, shumë sqaruese (botohet per herë të parë):
E ejte, 24 gusht 19...
Fort i nderti At Provincial,
Mbasi më duhet me shkue në Luogotenencë e neser kam në mendë me u nisë per Tiranë, po deshe, interesohem pranë Ekselencës së Tij Jakomonit per çeshtjen e Pader Antonit (Harapi) e të Pader Lekës (Luli), si kemi pasë rasë me folë goja-gojas.
Ju lutem me më autorizue me shkrim per këte punë, tue më diftue njiheri, në e pranoni, mbas gjithë hallit, që Pader Antoni të largohet per do kohë jashtë Shkodret e Pader Leka të dalë, edhe ky per do kohë prej Shqypnie, pse mundet me ndodhë, që s’më del me ia mbushë menden Luogotenentit mos me e tjerrë çashtjen ma gjatë.
Nderkaq, Ju puthi dorën e Ju lypi bekimin,
P. Gjergj Fishta OFM
Mendimi i dalun në shtyp per Fishten: “që nga 7 prilli 1939 kur Italia pushtoi Shqipërinë e deri ditën e fundit të jetës së tij ai nuk shkroi e nuk doli në asnjë çast” nuk asht aspak i saktë. Fishta, nder tjera, pati edhe dy probleme: Fashizmi kerkonte të pezullonte revisten “Hylli i Dritës” dhe të mbyllte liceun “Illyricum” edhe të kryente detyrat që i ngarkonte Akademia, anëtar i së cilës ishte. “Pader, e pata pyet njëherë Justinin: Pse keni botue në revistën tuej materiale fashiste, si p.sh. Statuti i Partisë Fashiste”? Më pati pergjegjë: “Na çuen materialin, na nuk e botuem. Na thirren e na thanë se do t’ ju mbyllim revistën (na e pezulluen). Na u mblodhem dhe vendosem ta mbajmë revistën”. Kështu u botuen ato materiale!
Nga ditari i Pader Pashko Bardhit, kolegut e shokut të ngushtë qyshë në fëmijëri e që ka ruejtë materiale të Fishtës, po rilevojmë:
6.I.1940 Fishta në “Institutin e studimeve romane në Romë ka mbajtë konferencën: “Roma e çezarëve e Shqipnia”. (Nder dorëshkrimet e Fishtës jepet: “Roma e Shqipnia ose ma hollësisht “Roma e çezarëve e Shqipnia; Roma kristiane e Shqipnia”; “Roma Litoria e Shqipnia”.
Këte konferencë e ka mbajtë edhe në Cagliari, me datën 30 prill 1940.
11 prill 1940 A. Gjergj Fishta ka mbajtë në Milan konferencën “Veprimtaria e françeskanëve per misionin e Kishës Lindore me Kishën e Romës”. Mbas pushtimit fashist, Fishta botoi “Prosperita del popolo Skipetaro sotto L’Impero Romano” perkthye nga unë: “Begatia e popullit shqiptar nën Perandorinë Romake”.
Tue pershkrue ndertimet me karakter luftarak, hapjen e rrugëve të reja, vlerësimin e cilësive luftarake të ilirëve si ushtarë të shkelqyer të Perandorisë Romake, dhanien e së drejtes me sherbye në ushtri, deri në shkallën ma të lartë si perandorë (që sherbyen si romakë të vertetë, jo si ilirë, njashtu si pashallarët shqiptarë që i sherbyen Turqisë si turq të vertetë, jo si shqiptarë), dhanien e së drejtes romake, funksionimin i minierave, zhvillimin e tregtisë, lulëzimin i arteve etj. ngritën begatinë e ilirëve, sollën edhe ndikimin romak në qytetnimin ilir. Fishta lavdëroi dhe trimninë e ushtarëve ilirë që rrezikuen Perandorinë e Romës.
Kjo pjesë u interpretue si pershëndetje per pushtimin fashist!
Një episod: Tek po bisedojshim një ditë, Pader Marini (Sirdani) më pyeti:
- He, Kolec, çka ke lexue?
- Iu pergjegja: Kam lexue veprën tande, Pader, “Shqypnija e Shqyptarët”.
- A të ka pelqye?
- Po pader, veç pak faqeve, (atyne që flitshin per Italinë e Musolinin).
- U kuq e m’u drejtue: “Ndigjo, Kolec, mos i lexo librat me sytë e komunistavet. Më foli per klerin ortodokës e musliman. Mandej shtoi: “Kleri katolik ka kenë krejt patriotik, veç ndonjë rasti të veçantë, të cilin e ka dënue vetë ai. I vetmi gabim që kemi ba, asht se jemi afrue me Italinë ma shumë se duhej”.
Perfundoj: Fishtës iu ba një nderim i veçantë ditën e vorrimit. Homelinë e mbajti Imzot Thaçi, i cili, nder tjera tha: “Para dy-tri ditësh shkova me pa Fishtën në spital. më tha: “Po më vjen keq, se po iu la Shqypninë e pushtueme”.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 janar 2016
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)