Sot françeskanët vazhdojnë me i fal Shqipnisë visaret ma të çumueshme të saj, botimin, ase ribotimin veprave të korifejve të kulturës shqiptare tÁ Át Gjeçovit, të Át Fishtës, të Át Donat Kurtit, Át Justin Rrotes, Át Benedikt Demes, Át Anton Harapit, Át Marin Sirdanit, Át Zef Pllumit, etj. Mbajmë në kambë nji bibliotekë me libra antikë, me doreshkrime arkivore, me botime të rralla, njimend e vlefshme per kulturën shqiptare. Sot po, kemi Hyllin e Dritës që vazhdon të ndriçojë mendjet e zemrat e shqiptarëve me shkrime të ndryshme kulturore, filologjike, historike, etj. Mbajtja e ketyne institucioneve kulturore në kambë asht nji barrë e randë ekonomike, por me gjithë keto veshtirësi asht nji kontribut i pazavendesueshem atdhedashunije i Françeskanëve ndaj popullit shqiptar e historisë tonë kombetare.
SHQYPTARI – FRATI – SHQYPNIJA
Vullkan ende i pafikun, qi bán, bëzân, prân, por qi zien kurdoherë permbrenda, vullkan qi zhberthen kur t’i teket. I randë e hijemadh si malet e hjedhta, me të cilat âsht e thurun kjo tokë, fisi ynë pau boenat e historive, ndieu hungrimet e kafshimet e egercive: u shkel, u shtrue, nuk u shue. Borë jetike e tretun gerdhatash të vetmueme, shí as diell nuk muejten me e shkrí; kermí krepatuese, fushkulluese, të cillen rribëve të kohës nuk u duel kurr me e ndalë. Ky kje, ky âsht fisi i shqyptarit. Ndo’i shkarth repacak mund të zgerdhîhet. Jetoi gjithmonë i lirë. Jetoi i lirë edhe në robní.
Pse lirija nuk epet, nuk bieret, nuk fitohet. Lirija gufon kur trolli i sajë të jetë i shndoshtë, kur nendheu të ketë fuqi me e mbajtë të ngrohtë, me e ushqye. Lirija mugullon, qet synin, zberthen, shprazet, hîn nen dhé, zhduket: pret. Pret puntorët me duer të pastra, të dêjë me kênë flamurtarërt e sajë. E Shqypnís nder kohë të vjetra e dikur nuk i munguen kësi puntorësh. Prej ksaj çerdhe dolen skyferë me çapoj perandorësh. Vigâj idésh së mëdhaja qi i realizuen me hov. Tokë e shkelun, popull i shtypun, komb gati në rektim.
Kështu qindrote Shqypnija në XIII shekull. Gerhatëte në nji gjumë bore robnísh të pershkueme, flête e strukun, e hîme, mbetë gati kurrgjâ prej asaj qi dikuer kje. Trup i plagosun, i mbluem prej mizash, pá fuqín e duehun me i largue. Çë farë burrash e trimash mund të përftote gjaku i idhtë i racës s’onë. Në crescendo-n e këtij epos të madhënueshëm të fisit t’ynë, frati na del para gjithkund. Në daç me butsin e shêjtit, në daç me urtín e diplomatit, në daç edhe me hovin e ushtarit t’eger e fatos. P. Pál Matja hidhet në luftë, e, tu u perleshun fyta-fyt me turk, rrxon prej kështjellit flamurin e gjysë hanës e në vend të tij ngulë atê të Lirís.
Frati matjanë del prej qytetit të dorzuem me flamur nen sjetull e zhduket. Por ká lanë shokë mbas vetit. Këta kan me mësŷ kurdoherë qi flamuri të jetë në rrezik. Plumbi e salvimet janë shperblimi i dêjë qi presin prej anmikut. Konopi, hûni e skreditimet janë nderimi qi u bân vllau i çoroditun. Nder stuhi të ndrrimeve politike janë këta qi i han furra mâ të parët. Flamurtarë desin, flamurtarë zhduken; por flamurtarët françiskan Shqypnín “edhè në vorr do t’a permendin.” Kan me e permendë edhè kur vorri të jetë ndo’i muranë e stolisun.
Per me e dashtë nji popull, duehet me e njohtë. Nuk mjafton por as me e njohtë. Duehet me pasë lé, me u pasë rritë me at popull. Lypet qi vuejtjet e deka t’i kenë shkrî zbashku zêmbrat. Kur dy vetë duehen fort, të dekmen njani, des edhe tjetri. Historija e Shqypnís e historija franciskane në ket vendin t’onë ndjekin shoqa shoqen. Janë dý historí qi shkojn paralel: të njillojta në të çueme, të njillojta në të rrxueme, të njillojta në humbëje. Por gurgullimi i termegëshem i gjakut të fisit t’ynë shfren rregullisht nder perjoda të shkurta, veç të lumnueshme, qi lân jeh të kumbueshëm per perjoda të gjata heshtimit.
Shka i fali franciskani nder kohet e mbrame Shqypnís?
I fali vehten, i fali jeten e vet. Janoshi e Zymbi janë stërklatë e lá me gjak fretensh të vrám. I fali, i pasqyroi Shqypnís edhè vehten e sajë. I këndoi më Lahutë Kangët e Kreshnikëve, Besën e Burrnin, i ruejti Kanunin e Lek Dukagjinit. Prrallat e Lojët kombtare, Gojëdhanen e Skanderbegut. Pse e pat gjithmonë per zêmer Visarin Kombtar. Franciskant i falen Shqypnís Poetin e fisit, të rracës. Shka u ká detyrë Shqypnija Franciskanvet? Kurrgjâ. Pse Francikant janë të Shqypnís.
A.Gjon Shllaku, o.f.m.
JETËSHKRIMI I PATER GJON SHLLAKUT, OFM
Pater Gjoni leu në Shkodër me 27 korrik 1907. I jati, Lorja dhe e ama, Maria Ashta në pagëzim ia ngjitën emnin Kolë. Endè i vogël hyni në Kolegjën françeskane të qytetit. Aty kreu filloren e gjimnazin e ultë, tue u dá në shenj për squetësí e mirësjellje. Me 4 tetuer 1922, shi ditën e Shën Françeskut, veshi petkun e Shenjtit në Troshan. Me 5 tetuer 1923, gjithnjë në Troshan, bâni kushtet e përkohshme. Më 13 shtatuer 1928 u lidh me kushte të përjetshme rregulltare, tue ndërrue emnin e pagëzimit në Gjon. Shpotitej ma vonë: si i krishtênë e kam Shën Nëkollin për gjithë vá, si frat kam Shën Gjonin si vëllá që më mbron.
Kreu shkëlqyeshëm licenë dhe kursin e filozofisë në Atdhé. Ma vonë kje dërgue, si tanë studentat e françeskanëve, përjashta, e pikërisht në Holandë. Kreu atje teologjinë dhe, me 15 marc 1931 u shugurue meshtár. Po në ketë vjetë kje dërgue nga Provinçiali i atëhershëm, Pater Vinçenc Prennushi, ma vonë Ipeshkëv i Sapës (27 kallnduer 1936) e Argjipeshkëv i Durrësit (26 qershuer 1940), dekë në burg në fruer të 1949-ës, në Luvain të Francës. Atje Pater Gjoni ndoq ne e parë degën e shkencave e ma vonë atë të historisë e të filozofisë, tue u laurue me një tezë të shkëlqyeshme në filozofi në vjetin 1936.
Fillë mbas doktoratit, ktheu në vendlindje dhe u vû menjëherë me dhânë mësim në gjimnazin-licé që e kishte pregatitë për universistet. Që në ditët e para u dallue ndër profesora tjerë për kompetencë e metodë mësimi. Pak mbrapa, përposë filozofisë, muer mbi veti edhe gjuhën frangishte, tue çilë, veç orëve të shkollës, edhe kurse të veçanta për të gjithë në ketë gjuhë. I kje ngarkue edhe drejtimi i “Djelmnisë Antoniane”, më të cilën merrshin pjesë, veç nxanësve të liceut, edhe shumë nga ish-nxanësat e gjimnazit “Illyricum”, të rij, profesorë, artistë, shkrimtarë, punëtorë, zanatlij në shenj.
Gropa e Shkodrës, forum i Atenës së kulturës arbënore, kishte gjetë në fratin e ri, udhëheqsin e përshtatshëm. Pushtimi fashist i 1939-ës e xû në ketë detyrë. Simbas traditës së Françeskanizmit në Shqipní e si pasojë e edukatës së fitueme nga të mëdhajt me zhgun: Bardhi, Gjeçovi, Harapi, Fishta, Rrota, Gjoka, që i kjenë mësuesa mende e zemre, Pater Gjoni përçoi ndër të rij jo veç ndjenjat fetare, por edhe kulturën e shëndoshtë e ndjesitë kombëtare. Edhe atij, si të tjerëve Etën të provinçës fretnore, i kje ideal binomi “Fé e Adhé”.
Prandej më 1939, kur trupat fashiste shkelën tokën e shenjtë të Atdheut, për shkak të qendrimit antifashist, kje shtërngue të largohet në Jugosllaví. Ktheu në Atdhé me 13 qershuer 1940, mbas shumë ndërhymjesh. Po nuk mujti me e pranue kurr pushtimin, se pushtim do të thotë shkelje, dhunë, padrejtësí. Përherë koherent me parimet shoqnore të Kishës, punoi aty e mbrapa, në heshtim, gjithnjë në mbrojtje të drejtave themelore të njeriut. Edhe në ketë periudhë ai shtoi përherë ma tepër numrin e simpatizuesve.
Pjesa ma e mirë e djelmnisë shkodrane u lidh ngusht me tê.Kur në vendin tonë nisen të mbilleshin, të bîjshin dhe të përhapeshin idé e parime materialiste, të marruna uhá nga marksizmi bolshevik dhe agjitatorë të tij, të mshehun nën maskën e atdhetarizmit e të çlirimit të vendit, e filluen të depërtojnë, nën dhé, në radhët e moshës së ré e të nacionalistave njetmirë të asajë kohe, Pater Gjoni, me një sërë konferencash publike, të mbajtuna në Kishën Françeskanëve të Gjuhadolit, vûni në beh rrezikun e një propagande të tillë, me të cilën ndër né shpërndahej helmi, nën etiketën e mjaltës; shitej shap në vend të sheqerit; mbillej fara e hithave, në vend të barishteve të ushqyeshme; pregatitej shkatërrimi, në vend të përparimit; gatohej robnia, në vend të librimit.
Ai e shihte kjartë rrezikun që na kërcënohej. Parashihte stuhinë, e cila mbas pak kohe do ta pështillte në zí popullin shqiptár, tue kapërdî në gjire të veta kishë e kler, besimtarë e rregulltarë, fshatarë e qytetarë.Mbas hymjes se komunizmit denohet me pushkatim pader Gjon Shllaku. Me Pater Gjonin dënohen për dekë Pater Dajani e Pater Fausti, seminaristat Mark Çuni e Gjergj Bici, mandej civilat Qerim Sadiku e Gjon Vata e disa të tjerë. Sentenca merrte fund më 22 fruer 1946. Ishte agimi i përgjakshëm i 4 marcit 1946.
S’ishte e para herë që shi në orët e para të ditës, në të zbardhun të dritës, në qytetin e Shkodrës ndiheshin të shtîme pushkësh me ushtimë të xânun, si ato që bien në mish njeri. E ‘i mend, komunistat e kishin doke me e zbatue dënimin me pushkatim shi atëherë, kur shumica e banorëve ishte endè në të shtrueme.Bibliografia mbi jeten e Pater Gjon Shllakut asht nxjerr prej librit: Át Daniel Gjeçaj, Galeria e Artit të Martirizimit. Faqe nga tragjedia e Krishtenimit në Shqipní, Botime Françeskane, Shkodër, 2012, f. 36-49.
(Në foto: Bashksia e Urdhrit Françeskan në Shqipëri, dalë në Shkodër në vitin 1936 me logo)
(Në foto: At Gjon Shllaku)
Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 18.08.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)