Report Tv ka siguruar raportin e plotë të Partisë Socialiste duke bërë të qqartë qëndrimin kundër kërkesës së SPAK për marrjen e autorizimit për arrestimin e deputetes Belinda Balluku.
Raporti i PS
I. JURIDIKSIONI DHE KOMPETENCA
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për zëvendësimin e masës së sigurimit personal “ndalim i daljes jashtë shtetit” , me masën më të rëndë të arrestit në burg ose në shtëpi ndaj deputetes Belinda Balluku e ushtron kompetencën e tij në përputhje me nenin 73, pika 2, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, me nenet 260, 288 dhe 289 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe me nenet 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit.
Sipas nenit 73, pika 2, të Kushtetutës, deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo forme pa autorizimin e Kuvendit. Kjo dispozitë kushtetuese vendos një garanci institucionale për ushtrimin e mandatit përfaqësues dhe për funksionimin e pavarur të pushtetit legjislativ.
Në të njëjtën linjë, neni 288 i Kodit të Procedurës Penale parashikon se kur ndaj një deputeti duhet të caktohet masa e sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, heqja e lirisë në çfarëdolloj forme, kontrolli personal ose kontrolli i banesës, prokurori duhet të kërkojë autorizim nga Kuvendi. Kërkesa për autorizim duhet të shoqërohet me një relacion të arsyetuar dhe me provat që mbështesin kërkesën.
Nga ana tjetër, neni 289 i Kodit të Procedurës Penale parashikon se mosdhënia e autorizimit sipas nenit 288 të këtij Kodi nuk e pengon prokurorin që të kërkojë një masë tjetër sigurimi sipas nenit 244 dhe as të procedojë ndaj deputetit ose personave të tjerë ndaj të cilëve zhvillohen hetime për të njëjtin fakt.
Ndërsa në lidhje me procedurën parlamentare të shqyrtimit të kërkesës së prokurorisë për dhënien e autorizimit për arrest ose heqje lirie, nenet 13, 118 dhe 119 të Rregullores së Kuvendit, në zbatim të nenit 73 të Kushtetutës, përcaktojnë se kërkesa e prokurorit i paraqitet Kryetarit të Kuvendit, i cili ia përcjell menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin dhe vë në dijeni deputetin përkatës. Këshilli e shqyrton kërkesën duke garantuar të drejtën e mbrojtjes së deputetit dhe në përfundim të shqyrtimit harton raportin përkatës që i paraqitet seancës plenare për vendimmarrje. Kuvendi vendos me votim të hapur për dhënien ose mosdhënien e autorizimit, ndërsa nëse nuk shprehet brenda tre muajve nga paraqitja e kërkesës, ajo konsiderohet e rrëzuar. Në rastet e arrestimit në flagrancë për krime të rënda, Këshilli mblidhet brenda 48 orëve për shqyrtimin e çështjes sipas të njëjtave rregulla procedurale.
Duke iu referuar këtij kuadri normativ, kompetenca e Kuvendit në shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme është e natyrës procedurale-kushtetuese dhe jo gjyqësore. Kuvendi nuk gjykon fajësinë dhe as themelësinë e provave penale, pasi ky atribut i përket ekskluzivisht gjykatës kompetente.
Kontrolli parlamentar në këto raste kufizohet në verifikimin dhe kontrollin e respektimit të procedurës penale sa i takon ekzistencës së kushteve ligjore për zëvendësimin e masës së sigurimit, të ekzistencës së rrethanave të reja konkrete, të rëndimit real të nevojave të sigurimit, të proporcionalitetit të ndërhyrjes në mandat dhe të domosdoshmërisë së arrestit si masë përjashtimore.
Në funksion të këtij raporti rekomandues drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, e çmojmë me vend të theksojmë se paraqitja e këtij akti vjen në një moment kur kanë ndryshuar një sërë rrethanash fakti, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në qasjen vendimmarrëse të Kuvendit ndaj kërkesës së Prokurorisë së Posaçme. Më konkretisht, është me rëndësi për natyrën e kontrollit parlamentar fakti që deputetja Belinda Balluku nuk ushtron më funksione ekzekutive si anëtare e Këshillit të Ministrave, fakt i cili është bërë publik, pasi përbërja e Këshillit të Ministrave ka ndryshuar në përputhje me nenet 95, 96, 98 dhe 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Në këtë këndvështrim, masa e sigurimit personal ndalues, e pezullimit nga detyra si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk prodhon më asnjë pasojë juridike, por do të analizohet për efekt të vlerësimit të proporcionalitetit të ndërhyrjes në mandat.
II. ROLI KUSHTETUES I KUVENDIT
Raporti që rekomandon dhënien e autorizimit mbështetet në tezën se Kuvendi duhet të kufizohet në një verifikim formal të kërkesës së Prokurorisë dhe të mos ndërhyjë në vlerësimin e nevojës së masës së sigurimit. Kjo qasje reduktuese në fakt nuk përputhet me frymën dhe funksionin e nenit 73 të Kushtetutës. Trajtimi i kërkesës së Prokurorisë së Posaçme në frymën dhe germën e normës kushtetuese përbën edhe thelbin e zgjidhjes së çështjes që ka sot përpara Kuvendi i Shqipërisë.
Neni 73 i Kushtetutës i jep Kuvendit të Republikës një rol jo thjesht formal në disponimin për dhënien ose jo të autorizimit për heqjen e lirisë së deputetit. Autorizimi është një akt vullneti relevant kushtetues, i cili mbart përgjegjësi politike dhe juridike. Thënë më qartë, nëse dhënia e këtij autorizimi do të ishte i detyrueshëm sa herë kërkohet nga Prokuroria, dispozita kushtetuese do të ishte e panevojshme dhe Kuvendi do të shndërrohej në një organ formal, pa rol real balancues.
Gjykata Kushtetuese ka theksuar se imuniteti procedural nuk është privilegj personal, por garanci institucionale për mbrojtjen e funksionimit të lirë të Kuvendit. Kjo do të thotë se Kuvendi ka detyrimin të verifikojë nëse ndërhyrja në lirinë personale është reale, e domosdoshme dhe proporcionale. Ky rol i rëndësishëm i Kuvendit del qartësisht nëse i referohemi rastit të ndalimit ose arrestimit në flagrancë të deputetit ku në nenin 73/3 të kushtetutës thuhet:
“Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose
menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Prokurori i Përgjithshëm ose Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.”
Nga ky parashikim kushtetues del qartë se roli i Kuvendit në shqyrtimin e kërkesës për dhënie autorizimi për arrest ose jo ndaj një anëtari të tij nuk është formal, por thelbësor për natyrën e shqyrtimit që bën Kuvendi. Kuvendi në këtë rast kur konstaton se nuk janë respektuar kushtet dhe kriteret procedurale që kanë cenuar lirinë personale të një anëtari të tij merr atribute që i rezervohen gjyqësorit dhe kjo është tërësisht në frymën e nenit 73/3 të Kushtetutës. Përkundër këtij qëndrimi, nëse Kuvendi voton formalisht mbi bazën e kërkesës së organit të akuzës, atëherë ai heq dorë nga funksioni i tij kushtetues dhe dobëson parimin e ndarjes së pushteteve.
Imuniteti për hetimin dhe ndjekjen penale në Shqipëri nuk ekziston më pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2012. Deputeti hetohet dhe ndiqet si çdo shtetas tjetër. Ndaj tij mund të caktohen masa sigurimi personal nga ndalimi i daljes jashtë shtetit deri tek arresti në shtëpi ose në burg.
Megjithatë, Kushtetuta ka ruajtur një imunitet procedural të kufizuar për masat që prekin drejtpërdrejt lirinë personale, ku për arrestimin kërkohet autorizim paraprak nga Kuvendi.
Kjo nuk është mburojë personale, por mekanizëm institucional balancues.
Detyrimi i Prokurorisë për t’iu drejtuar Kuvendit është i sanksionuar në nenet 288 dhe 289 të Kodit të Procedurës Penale. Ky detyrim procedural për prokurorinë do të ishte pa kuptim nëse Kuvendi nuk do të ushtronte një vlerësim real mbi kushtet ligjore dhe proporcionalitetin e masës.
Kompetenca përfundimtare për dhënien ose jo të autorizimit i takon seancës plenare pas raportit rekomandues të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Ky proces garanton balancë mes shumicës dhe pakicës parlamentare dhe nuk mund të reduktohet në një procedurë mekanike.
Pretendimet se Kuvendi duke u kujdesur për të garantuar parimin e ligjshmërisë, parimin e sigurisë juridike, ndarjen e pushteteve, barazinë para ligjit dhe parimin e pavarësisë së hetimit, të garantuar në nenet 4, 7, 18, 42 dhe 148/2 të Kushtetutës, pengon drejtësinë nuk kanë bazë kushtetuese dhe ligjore, por janë të natyrës politike. Përkundrazi, vendosja e kufijve të qartë për respektimin e secilit prej këtyre parimeve e bën në vetvete procesin penal me garantues sa i takon procesit të rregullt ligjor. Hetimi ndaj deputetes Belinda Balluku në rastin konkret vazhdon dhe masa e sigurisë personale e ndalimit të daljes jashtë shtetit e dhënë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është në fuqi. Prandaj çështja që shtrohet sot përpara Kuvendit nuk është nëse duhet të mbështetet drejtësia, sepse ne si shumicë parlamentare e kemi testuar vullnetin tonë politik në këtë drejtim duke e mbështetur pa rezerva drejtësinë e re, por nëse ndërhyrja në lirinë personale të një anëtari të këtij parlamenti është e domosdoshme dhe proporcionale. Kuvendi nuk është dhe nuk mund të jetë pengesë për drejtësinë. Ai është garant i Kushtetutës. Dhe pikërisht për këtë arsye, autorizimi që kërkohet sot nuk është akt formal, por akt i shprehjes së një përgjegjësie të lartë kushtetuese.
III. ZBATIMI I PROCEDURËS PARLAMENTARE
Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë në datën 16.12.2025.
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në mbështetje të nenit 13 dhe nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, u mblodh në datat 19.12.2025 dhe 23.2.2026 dhe shqyrtoi me procedurë me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor kërkesën e prokurorëve të posaçëm për dhënie autorizimi për arrest ndaj deputetes së Kuvendit të Shqipërisë Belinda Balluku.
Mbledhja e radhës u zhvillua pas vendimit procedural të Gjykatës Kushtetuese të datës 6.2.2026, me të cilin kjo gjykatë nuk arriti të marrë një vendim në themel për kërkesën e depozituar nga Kryeministri më 21.11.2025.
Kërkesa kishte për objekt zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje kompetence ndërmjet pushtetit ekzekutiv dhe pushtetit gjyqësor, konkretisht ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), nga ana tjetër. Mosmarrëveshja lidhej me pezullimin nga detyra të një anëtari të Këshillit të Ministrave dhe me pasojat që kjo masë prodhon në ushtrimin e funksionit të tij kushtetues.
Në këtë kuadër, me vendimin nr. 118, datë 19.11.2025, të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, zonja Belinda Balluku u pezullua nga detyra e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke ngritur kështu çështjen e raportit ndërmjet kompetencave të autoriteteve gjyqësore dhe rendit kushtetues që rregullon funksionimin e Këshillit të Ministrave.
Njëkohësisht, kërkesa synonte edhe interpretimin e nenit 103, pika 3, të Kushtetutës, në drejtim të përcaktimit të garancive procedurale që gëzon një anëtar i Këshillit të Ministrave në ushtrimin e funksionit të tij kushtetues, veçanërisht në rastet kur ndërhyrjet e autoriteteve të tjera shtetërore mund të ndikojnë drejtpërdrejt në ushtrimin e këtij funksioni.
IV. RRETHANAT FAKTIKE TË ÇËSHTJES
Prokuroria e Posaçme fillimisht ka regjistruar procedimin penal nr. 167, datë 9.8.2024, me kallëzues ish-kryetarin e Partisë Demokratike, zotit Lulzim Basha, dhe më pas procedimin penal nr. 181, datë 12.9.2024, me kallëzues deputetin Gazmend Bardhi, sot kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Këto dy procedime janë bashkuar me procedimin penal nr. 136, datë 16.6.2025, të nisur kryesisht nga Prokuroria e Posaçme me referim të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), në një procedim të vetëm, atë me nr. 136/2025, për veprën penale ““Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të parashikuar nga nenet 25 dhe 258/2 të Kodit Penal.
Në datën 20.10.2025 është regjistruar emri i deputetes Belinda Balluku si person nën hetim dhe më pas asaj i është njoftuar akuza për veprën penale të parashikuar nga nenet 25 dhe 258/2 të Kodit Penal.
Me vendimin nr. 118, datë 19.11.2025, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar ndaj saj masën e sigurimit “ndalim i daljes jashtë shtetit” sipas nenit 233 të Kodit të Procedurës Penale, e cila rezulton të jetë lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit të Posaçëm.
Po me të njëjtin vendim është caktuar edhe masa ndaluese “pezullim i ushtrimit të detyrës” sipas nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, e cila, për shkak të konfliktit kushtetues të kompetencave ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) nga ana tjetër, u shty deri në marrjen e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese. Ky vendim u dha në datën 6.2.2026 duke konfirmuar fuqinë e kësaj mase me vendim procedural, ndonëse ajo tashmë e ka humbur fuqinë automatikisht për shkak të zëvendësimit të zonjës Balluku në detyrën e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në datën 16.12.2026 Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), bazuar në nenin 260, pika 3, të Kodit të Procedurës Penale, ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit “ndalim i daljes jashtë shtetit”, të caktuar ndaj deputetes Belinda Balluku sipas nenit 233 të Kodit të Procedurës Penale, me një masë më të rëndë sigurimi, atë të “arrestit në burg ose në shtëpi”, sipas neneve 237 ose 238 të Kodit të Procedurës Penale, duke pretenduar ekzistencën e rëndimit të nevojave të sigurimit, rrezikun e prishjes së provave, rrezikun e arratisjes, si dhe rrezikun e kryerjes së veprave të tjera penale.
V. SHQYRTIMI DHE VLERËSIMI I KËSHILLIT PËR RREGULLOREN,
MANDATET DHE IMUNITETIN
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në cilësinë e organit përgjegjës parlamentar, në përputhje me nenin 13 dhe nenin 118 të Rregullores së Kuvendit në mbledhjet e datave 19.12.2025 dhe 23.2.2026 mori në shqyrtim, me dyer të mbyllura për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor, kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për dhënie autorizimi për arrestim/heqje lirie nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit personal për deputeten Belinda Balluku.
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin u njoh fillimisht me parashtrimet e palëve, të cilët parashtruan:
Prokurorët e posaçëm Klodian Braho, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko paraqitën kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestim/heqjen e lirisë të deputetes Belinda Balluku nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit “ndalim i daljes jashtë shtetit”, të parashikuar nga neni 233 i Kodit të Procedurës Penale, me masën më të rëndë të arrestit në burg ose në shtëpi sipas neneve 237 dhe 238 të Kodit të Procedurës Penale. Në mbështetje të kërkesës së tyre, prokurorët e posaçëm iu referuan dispozitave të neneve 228, 229, 230 dhe 260 të Kodit të Procedurës Penale, duke pretenduar se nevojat e sigurimit janë rënduar për shkak të zhvillimeve të hetimit dhe rrethanave konkrete të çështjes.
Në parashtrimet e tyre ata theksuan se hetimet penale ndaj deputetes Belinda Balluku janë zgjeruar dhe përfshijnë edhe fakte të tjera penale që lidhen me procedura të tjera prokurimi publik, si dhe me veprimet e saj në një procedurë koncesioni.
Sipas tyre, ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës, duke argumentuar se gjendja e lirë e të pandehurës mund të krijojë rrezik real për mbledhjen e provave për shkak të funksioneve të larta publike që ajo ka ushtruar. Në këtë kuadër, prokurorët pretenduan se ekziston mundësia që e pandehura të ndërhyjë në procesin e mbledhjes së provave, të ndikojë mbi dëshmitarë ose të krijojë rrethana që mund të vështirësojnë administrimin e provave.
Po ashtu, prokurorët pretenduan se ekziston rreziku i largimit të të pandehurës nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke iu referuar marzhit të lartë të dënimit që parashikon ligji për veprën penale për të cilën ajo dyshohet, si dhe rrethanës se kjo vepër penale dyshohet të jetë kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim me persona të tjerë. Sipas tyre ekziston gjithashtu edhe rreziku që e pandehura për shkak të rrethanave të faktit dhe të personalitetit të saj të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet.
Më pas u vijua me parashtrimet e avokatëve mbrojtës të deputetes Belinda Balluku, zotin Ardian Kalia dhe zonjën Pamela Qirko, të cilët kërkuan nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin që në funksion të hartimit të raportit përfundimtar për seancën plenare të Kuvendit të rekomandojë rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetes Belinda Balluku nëpërmjet zëvendësimit të masës aktuale të sigurimit personal.
Në parashtrimet e tyre, mbrojtësit argumentuan se kërkesa e Prokurorisë nuk plotëson: kushtet dhe standardet e kërkuara nga legjislacioni procedural penal për rëndimin e masave të sigurimit personal. Sipas tyre nuk provohet ekzistenca e rrethanave të reja konkrete me të cilat ligji lidh mundësinë e rëndimit të nevojave të sigurimit. Po ashtu, ata theksuan se, pavarësisht qëndrimit të mbrojtjes se në rastin konkret nuk ka qenë e nevojshme caktimi i asnjë mase sigurimi, nevojat e sigurimit tashmë përmbushen nga masa ekzistuese “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Mbrojtja argumentoi gjithashtu se nuk plotësohen kriteret e veçanta të parashikuara nga nenet 229 dhe 230 të Kodit të Procedurës Penale për caktimin e masave më të rënda shtrënguese dhe se në rastin konkret nuk janë përmbushur as standardet kushtetuese dhe procedurale që justifikojnë autorizimin e arrestimit të një deputeti nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
Pas dëgjimit të plotë të parashtrimeve të palëve dhe pas diskutimeve të zhvilluara me dyer të mbyllura, pa praninë e tyre, anëtarët e Këshillit vijuan me shqyrtimin dhe vlerësimin e argumenteve të paraqitura, në funksion të hartimit të raportit përfundimtar.
VLERËSIMI I KËSHILLIT
Në shqyrtimin e pretendimeve të paraqitura nga Prokuroria e Posaçme dhe nga përfaqësuesit ligjorë të deputetes, Këshilli mban në konsideratë se kompetenca e Kuvendit në këtë procedurë nuk ka karakter gjyqësor dhe nuk konsiston në vlerësimin e fajësisë ose pafajësisë së personit nën hetim. Vlerësimi i përgjegjësisë penale dhe i provave të administruara në proces është kompetencë ekskluzive e organeve të drejtësisë dhe e gjykatës që do të shqyrtojë çështjen në themel.
Në këtë kuadër, analiza e mëposhtme kufizohet vetëm në verifikimin e përmbushjes së standardeve kushtetuese dhe procedurale që lidhen me kufizimin e lirisë personale të një deputeti, në përputhje me nenin 73 të Kushtetutës dhe me dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale. Këshilli nuk bën një rivlerësim të provave në kuptimin gjyqësor të fjalës, por shqyrton nëse nga materialet e paraqitura që shoqërojnë kërkesën e prokurorisë së Posaçme në kuptim të nenit 288/2 të kodit të procedurës penale, rezultojnë rrethana konkrete dhe aktuale që justifikojnë zëvendësimin e masës ekzistuese të sigurimit personal.
i. MBI PRETENDIMIN PËR RËNDIM TË NEVOJAVE TË SIGURIMIT
Prokuroria e Posaçme në kërkesën e saj shprehet se nevojat e sigurimit ndaj deputetes Belinda Balluku janë rënduar për shkak se, sipas saj, hetimi veç dy fakteve penale ka evidentuar një numër më të madh episodesh dhe indiciesh të reja dhe se sanksioni i mundshëm i dënimit dhe dëmi ekonomik i shtetit është rritur.
Në shqyrtimi e këtij pretendimi, Këshilli ka marë në konsideratë standardin ligjor të parashikuar nga neni 260, pika 3, i Kodit të Procedurës Penale për zëvendësimin e masës së sigurimit personal.
Kjo dispozitë kërkon ekzistencën e rrethanave të reja objektive që e bëjnë masën ekzistuese të sigurimit të pamjaftueshme për garantimin e zhvillimit të rregullt të procedimit penal.
Në këtë kuptim, zgjerimi i hetimit penal nuk përbën në vetvete një rrethanë të re procedurale. Ai përbën një zhvillim të zakonshëm të një procedimi penal, veçanërisht në çështje që lidhen me procedura të shumta të prokurimit publik.
Për rrjedhojë, vetëm zgjerimi i hetimit ose shtimi i episodeve të dyshuara nuk mund të konsiderohet automatikisht si rrethanë e re procedurale që justifikon rëndimin e masës së sigurimit.
Nëse dp pranohej fakti se çdo zgjerim i hetimit do të konsiderohej automatikisht si rrethanë e re që justifikon arrestin, atëherë çdo procedim penal me shumë episode do të përfundonte domosdoshmërisht në paraburgim, gjë që do të binte në kundërshtim me parimin e proporcionalitetit dhe me natyrën përjashtimore të arrestit si masë sigurimi.
Në jurisprudencën dhe doktrinën procedurale penale është pranuar gjerësisht se paraburgimi përbën një mjet të fundit (ultima ratio), i cili mund të përdoret vetëm kur masa ekzistuese ka rezultuar e pamjaftueshme për të garantuar qëllimet e procedimit penal. Në këtë kuptim, paraburgimi nuk konsiderohet si një reagim ndaj rëndësisë së akuzës apo ndaj marzhit të sanksionit penal, por vetëm si një instrument procedural që synon të garantojë zhvillimin normal të procesit.
Zëvendësimi i masës së sigurimit personal sipas nenit 260, pika 3, të Kodit të Procedurës Penale kërkon një ndryshim objektiv të situatës faktike pas momentit të caktimit të masës së parë të sigurimit. Në mungesë të një ndryshimi të tillë, rëndimi i masës nuk mund të konsiderohet i justifikuar.
Nga materialet e paraqitura në Këshill rezulton se në hetimet që zhvillohen ndaj deputetes Belinda Balluku janë përfshirë edhe procedura të tjera që lidhen me projektin e Unazës së Madhe të Tiranës.
Megjithatë, këto procedura rezulton se kanë qenë objekt verifikimi nga organi i akuzës që në momentin e caktimit të masës së parë të sigurimit personal dhe dokumentacioni përkatës ka qenë në dispozicion të hetimit.
Në këto kushte, ndryshimi i vlerësimit juridik të këtyre procedurave nga ana e hetuesve dhe prokurorëve nuk përbën, në vetvete, një rrethanë të re faktike në kuptimin e nenit 260, pika 3, të Kodit të Procedurës Penale.
Për rrjedhojë, nga shqyrtimi i materialit të paraqitur nuk rezulton në mënyrë të qartë ekzistenca e një fakti të ri konkret dhe aktual që të dëshmojë se masa ekzistuese e sigurimit është bërë e pamjaftueshme.
Edhe me shtimin e episodeve të pretenduara, natyra e veprës penale mbetet e njëjtë, konkretisht “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e parashikuar nga nenet 25 dhe 258, pika 2, të Kodit Penal.
Për rrjedhojë, nga materialet dhe informacioni i paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, nuk rezulton të jetë paraqitur ndonjë rrethanë e re konkrete dhe aktuale, e lindur pas caktimit të masës ekzistuese të sigurimit personal, që të tregojë se kjo masë është bërë e pamjaftueshme për qëllimet e procedimit pena.
Në këto rrethana, pretendimi për rëndimin e nevojave të sigurimit nuk rezulton të përmbushë standardin procedural të kërkuar për zëvendësimin e masës së sigurimit personal.
ii. MBI PRETENDIMIN PËR RREZIK TË PRISHJES SË PROVAVE
Prokuroria e Posaçme pretendon ekzistencën e një rreziku të ndikimit në procesin penal, duke përmendur mundësinë e ndikimit përmes personave me influencë, ndikimit përmes zyrtarëve të administratës, si dhe tentativa presioni ndaj dëshmitarëve.
Megjithatë, nga relacioni që shoqëron kërkesën për dhënien e autorizimit për arrest, në kuptim të nenit 288/2 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe nga parashtrimet e prokurorëve të posaçëm në mbledhjen e Këshillit, nuk rezulton të jetë paraqitur ndonjë element konkret që të tregojë ushtrimin e presionit ndaj dëshmitarëve apo ndërhyrje në procesin e hetimit nga ana e deputetes Belinda Balluku. Gjithashtu, nga informacioni i paraqitur në Këshill nuk rezulton që ndaj saj të jetë ngritur ndonjë akuzë e re për pengim të drejtësisë apo të ekzistojë ndonjë vendim gjyqësor që të ketë konstatuar një shkelje të tillë.
Në jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut është theksuar vazhdimisht se rreziku procedural duhet të jetë konkret, aktual dhe i mbështetur në elemente objektive. Paraburgimi nuk mund të justifikohet mbi bazën e supozimeve apo të një rreziku abstrakt.
Në mbështetje të këtij pretendimi, Prokuroria ka paraqitur një transkript bisede mes një shtetaseje pjesë e administratës në varësi të ish-ministres Belinda Balluku dhe një shtetaseje tjetër që në atë moment nuk kishte cilësi procedurale në proces. Nga sqarimet e dhëna gjatë mbledhjes së Këshillit rezultoi se personi që pretendon intimidim ka statusin e të pandehurës në këtë procedim penal dhe jo të dëshmitares.
Në këtë kuadër, Këshilli mban në konsideratë se vlerësimi përfundimtar i deklarimeve dhe i elementeve të tjera të procedimit penal është kompetencë e organeve të drejtësisë dhe e gjykatës që do të shqyrtojë çështjen në themel.
Gjithashtu, nga diskutimet e zhvilluara gjatë mbledhjes së Këshillit nuk rezultoi të jetë paraqitur ndonjë element që të tregojë ekzistencën e kontakteve të drejtpërdrejta ose të tërthorta midis personave të përfshirë në këtë komunikim dhe ish-ministres Balluku në funksion të ndikimit në procesin e hetimit.
Po ashtu, nga materialet e paraqitura nuk rezulton të ketë ndodhur ndonjë zhvillim i ri pas vendimit nr. 118, datë 19.11.2025, të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që ta bëjë të pamjaftueshme masën ekzistuese të sigurimit personal. Transkripti i bisedës, i siguruar përmes mjeteve të posaçme të hetimit, ka qenë në dispozicion të organit të akuzës dhe të gjykatës që në momentin e caktimit të masës së parë të sigurimit “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Në këto kushte, nga materialet dhe informacioni i paraqitur në Këshill nuk rezulton të jenë evidentuar rrethana konkrete, objektive dhe aktuale që të tregojnë ekzistencën e një rreziku real për prishjen e provave, përfshirë edhe ato që lidhen me dëshmitarët.
Për rrjedhojë, pretendimi për rrezikun e prishjes së provave nuk rezulton të paraqitet mbi baza të tilla që të justifikojnë zëvendësimin e masës ekzistuese të sigurimit me një masë më të rëndë kufizuese të lirisë.
iii. MBI PRETENDIMIN PËR RREZIKUN E ARRATISJES
Në parashtrimet e saj, Prokuroria e Posaçme ka ngritur edhe pretendimin për ekzistencën e rrezikut të arratisjes, duke e lidhur këtë rrezik kryesisht me marzhin e lartë të dënimit që parashikon ligji për veprën penale për të cilën procedohet, si dhe me rrethanën se vepra penale dyshohet të jetë kryer disa herë dhe në bashkëpunim.
Në këtë kuptim, vlerësimi duhet të marrë në konsideratë elemente të tilla si: vendbanimi i qëndrueshëm, lidhjet familjare dhe shoqërore, profesioni, gjendja pasurore, sjellja e mëparshme ndaj autoriteteve, si dhe çdo rrethanë tjetër që tregon nivelin e rrënjosjes së personit në territorin e shtetit.
Në vlerësimin e këtij pretendimi, Këshilli mban në konsideratë se rreziku i arratisjes, si një nga kriteret që mund të justifikojë caktimin ose rëndimin e masave të sigurimit personal, duhet të vlerësohet sipas një standardi konkret dhe individual, në përputhje me parimet kushtetuese të lirisë personale dhe proporcionalitetit, si dhe me standardet e konsoliduara të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Sipas jurisprudencës së konsoliduar të kësaj gjykate, të shprehur ndër të tjera në çështjet “Neumeister v. Austria”, “Letellier v. France”, “Smirnova v. Russia”, “Panchenko v. Russia”, si dhe në praktikën më të fundit ndaj Shqipërisë në çështjet “Hysa v. Albania” dhe “Gëllçi v. Albania”, rreziku i arratisjes nuk mund të mbështetet vetëm në ashpërsinë e dënimit të mundshëm që parashikon ligji penal.
Sipas këtij standardi, autoritetet gjyqësore janë të detyruara të bazojnë vlerësimin e tyre në rrethana konkrete, individuale dhe të verifikueshme të personit në fjalë, duke analizuar në mënyrë të veçantë lidhjet reale të tij me shtetin ku zhvillohet procedimi penal, si: vendbanimi, familja, aktiviteti profesional dhe integrimi shoqëror. Në të njëjtën kohë, gjykatat duhet të arsyetojnë në mënyrë të posaçme pse masat më të lehta të sigurimit nuk janë të mjaftueshme për të garantuar zhvillimin normal të procesit penal, pasi kufizimi i lirisë personale nuk mund të mbështetet në supozime apo arsyetime abstrakte.
Në raport me këto standarde, Këshilli vlerëson se materialet dhe informacioni i paraqitur nga Prokuroria e Posaçme nuk paraqesin elemente konkrete që të tregojnë ekzistencën e një rreziku real dhe aktual të largimit nga territori i Republikës së Shqipërisë në rastin e deputetes Belinda Balluku.
Nga informacioni i paraqitur në Këshill rezulton se deputetja Belinda Balluku ka pasur dijeni të plotë për procedimin penal dhe për akuzën e ngritur ndaj saj. Megjithatë, edhe pas kësaj, ajo ka udhëtuar jashtë shtetit në kuadër të angazhimeve zyrtare (Bukuresht 26–27 tetor, Athinë 6–8 nëntor dhe Romë 13–14 nëntor) dhe është kthyer çdo herë në Republikën e Shqipërisë, duke reflektuar një sjellje të rregullt dhe jo shmangëse ndaj autoriteteve proceduese.
Gjithashtu, nga materialet e paraqitura rezulton se ajo ka respektuar masën e sigurimit personal “ndalim i daljes jashtë shtetit”, ka dorëzuar dokumentet përkatëse sipas kërkesave të organit procedues dhe është paraqitur pranë autoriteteve sa herë është kërkuar.
Nga informacioni i administruar në Këshill nuk rezulton të jetë evidentuar ndonjë tentativë për t’iu shmangur drejtësisë, për të cenuar procesin apo për të penguar zhvillimin normal të procedimit penal.
Për rrjedhojë, pretendimi për rrezikun e arratisjes rezulton të mbështetet kryesisht në elementin abstrakt të ashpërsisë së dënimit të mundshëm dhe në një vlerësim hipotetik mbi sjelljen e personit nën hetim, pa u shoqëruar me rrethana konkrete që të tregojnë se ky rrezik është real, aktual dhe i individualizuar.
Në këto kushte, në përputhje me standardet e jurisprudencës evropiane, ky pretendim nuk paraqitet si bazë e mjaftueshme për zëvendësimin e masës ekzistuese të sigurimit personal me një masë më të rëndë kufizuese të lirisë.
Në përfundim, Këshilli vlerëson se, nga materialet e paraqitura, nuk rezulton të jetë evidentuar ekzistenca e një rreziku real dhe aktual arratisjeje në kuptimin që kërkohet për caktimin ose rëndimin e masës së sigurimit personal.
iv. MBI PRETENDIMIN PËR RREZIKUN E PËRSËRITJES SË VEPRËS PENALE
Prokuroria e Posaçme ka pretenduar gjithashtu se ekziston rreziku që e pandehura, për shkak të rrethanave të faktit dhe të personalitetit të saj, të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet. Nga parashtrimet e bëra në mbledhjen e Këshillit, ky pretendim është lidhur kryesisht me funksionin publik që deputetja Belinda Balluku ka ushtruar dhe me faktin se në kuadër të këtij funksioni ajo ka pasur lidhje me vendimmarrje që përfshijnë administrimin e fondeve publike.
Në vlerësimin e këtij pretendimi, Këshilli mban në konsideratë se rreziku i përsëritjes së veprës penale, si shkak që mund të justifikojë kufizimin e lirisë personale, kërkon një vlerësim të bazuar në rrethana konkrete, individuale dhe aktuale dhe nuk mund të ndërtohet mbi supozime abstrakte apo mbi natyrën e përgjithshme të funksionit publik.
Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ka theksuar se autoritetet duhet të mbështesin një vlerësim të tillë në rrethana konkrete individuale që tregojnë ekzistencën e një rreziku real dhe aktual për kryerjen e veprave të tjera penale. Në çështjen “Clooth kundër Belgjikës”, Gjykata ka theksuar se rreziku i përsëritjes nuk mund të justifikohet vetëm nga pozicioni shoqëror apo profesional i personit të hetuar, por duhet të mbështetet në elemente konkrete që lidhen me sjelljen e tij, me rrethanat e veçanta të çështjes dhe me indicie të verifikueshme për një prirje reale drejt kryerjes së veprave të tjera.
Në rastin konkret, nga materialet dhe informacioni i paraqitur në Këshill nuk rezulton të jetë evidentuar një analizë konkrete e tillë. Akuza e ngritur ndaj deputetes Belinda Balluku mbetet e njëjtë dhe nuk janë paraqitur rrethana të reja që të tregojnë ekzistencën e një aktiviteti kriminal të vazhdueshëm apo të një rreziku real për përsëritjen e veprës penale.
Për më tepër, Këshilli mban në konsideratë edhe rrethanën faktike se zonja Balluku nuk ushtron më funksion ekzekutiv në administratën shtetërore. Në këto kushte, pretendimi që lidhet me mundësinë e përdorimit të funksionit publik për kryerjen e veprave të tjera penale paraqitet pa mbështetje të drejtpërdrejtë faktike dhe mbetet në nivelin e një hipoteze.
Këshilli vlerëson se një interpretim sipas të cilit vetë fakti i ushtrimit të një funksioni publik dhe administrimi i fondeve publike do të mjaftonte për të justifikuar rrezikun e përsëritjes së veprës penale do ta shndërronte masën e sigurimit personal nga një instrument procedural për garantimin e zhvillimit të rregullt të procesit penal në një formë sanksioni institucional ndaj funksionarëve publikë, gjë që do të ishte e papajtueshme me parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe me natyrën e masave të sigurimit.
Në fakt, çdo funksionar publik në ushtrimin e detyrës së tij administron ose vendos mbi përdorimin e fondeve publike. Megjithatë, kjo rrethanë e përgjithshme nuk mund të shërbejë si bazë e mjaftueshme për të justifikuar zëvendësimin e masës ekzistuese me një masë më të rëndë sigurimi pa u shoqëruar me rrethana konkrete që të tregojnë ekzistencën e një rreziku real dhe aktual.
Në këto kushte, pretendimi për rrezikun e kryerjes së veprave të tjera penale paraqitet hipotetik dhe i pambështetur në elemente konkrete. Për rrjedhojë, nuk rezulton të jenë paraqitur elemente që të përmbushin standardin e kërkuar nga neni 228, pika 3, i Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit kufizimi i lirisë personale mund të justifikohet vetëm në prani të rrethanave konkrete që tregojnë ekzistencën e një rreziku real dhe aktual.
Në përfundim, Këshilli vlerëson se, nga materialet dhe informacioni i paraqitur, nuk rezulton të jetë evidentuar ekzistenca e një rreziku real dhe aktual për përsëritjen e veprës penale dhe, për pasojë, ky pretendim nuk paraqitet si bazë e mjaftueshme për zëvendësimin e masës ekzistuese të sigurimit personal me një masë më të rëndë kufizuese të lirisë.
V. KONKLUZIONET, PËRFUNDIMET DHE REKOMANDIMI
Nga shqyrtimi i materialeve të paraqitura nga Prokuroria e Posaçme, nga parashtrimet e paraqitura nga mbrojtja, si dhe nga vlerësimi institucional dhe kushtetues i rrethanave të çështjes, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin arrin në përfundimin se kërkesa për autorizimin e Kuvendit për zëvendësimin e masës së sigurimit personal “ndalim i daljes jashtë shtetit” me masën e arrestit në burg ose në shtëpi ndaj deputetes Belinda Balluku nuk përmbush standardin e kërkuar nga legjislacioni procedural penal dhe nga parimet kushtetuese që rregullojnë kufizimin e lirisë personale të një deputeti.
Nga shqyrtimi i rreziqeve procedurale të parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale nuk rezulton të jenë paraqitur rrethana konkrete që të justifikojnë vendosjen e një mase më të rëndë sigurimi. Pretendimi për rrezikun e arratisjes nuk mbështetet në elemente faktike që të tregojnë një sjellje konkrete të shmangies nga drejtësia. Përkundrazi, nga informacioni i administruar në Këshill rezulton se deputetja ka qenë e disponueshme për organet e drejtësisë dhe ka respektuar në mënyrë të plotë masën ekzistuese të sigurimit.
Në të njëjtën mënyrë, pretendimi për rrezikun e prishjes së provave apo të ndikimit në procesin hetimor nuk rezulton i mbështetur në rrethana konkrete dhe aktuale. Materiali i paraqitur nuk rezulton të paraqesë veprime të reja që të tregojnë përpjekje për të penguar hetimin ose për të cenuar vërtetësinë e provave. Në kushtet kur dokumentacioni përkatës është administruar dhe procedura hetimore është në zhvillim prej një kohe të konsiderueshme, ky rrezik mbetet në nivelin e një supozimi abstrakt dhe jo të një rrethane konkrete që mund të justifikojë kufizimin maksimal të lirisë personale.
Gjithashtu, pretendimi për rëndimin e nevojave të sigurimit nuk rezulton i mbështetur në rrethana të reja që të bëjnë të pamjaftueshme masën ekzistuese. Zgjerimi i hetimit ose shtimi i episodeve të dyshuara përbën një zhvillim të zakonshëm të procesit penal dhe nuk mund të konsiderohet në vetvete një rrethanë e re procedurale që të justifikojë vendosjen e një mase më të rëndë sigurimi.
Këshilli mban gjithashtu në konsideratë se vepra penale e pabarazisë në tendera, e parashikuar nga neni 258, pika 2, i Kodit Penal, është një vepër penale me natyrë administrativo-penale, e lidhur me procedurat e prokurimit publik dhe me elemente të natyrës kryesisht dokumentare që burojnë nga administrimi i këtyre procedurave.
Po ashtu, Këshilli merr në konsideratë edhe të dhënat e paraqitura në raportet vjetore të Prokurorisë së Posaçme të paraqitura përpara Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nga të cilat rezulton se hetimi dhe gjykimi i kësaj vepre penale është zhvilluar në praktikë pa vendosjen e masave të sigurimit personal të natyrës së paraburgimit.
Këto të dhëna pasqyrojnë tregues të raportuar në kuadër të praktikës së deritanishme hetimore dhe gjyqësore për trajtimin e kësaj kategorie veprash penale.
Në këtë kuadër, analiza e proporcionalitetit, në përputhje me frymën e nenit 17 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në dritën e jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, të standardeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) dhe të Komisionit të Venecias, merr një rëndësi vendimtare për të vlerësuar nëse kufizimi i të drejtave themelore është i domosdoshëm, i përshtatshëm dhe proporcional në një shoqëri demokratike.
Parimi i proporcionalitetit kërkon që çdo kufizim i lirisë personale të jetë masa e fundit dhe e domosdoshme për garantimin e qëllimeve të procedimit penal. Arresti përbën masën më të rëndë të sigurimit dhe mund të përdoret vetëm kur masat më të buta rezultojnë të pamjaftueshme.
Në rastin konkret, masa ekzistuese “ndalimi i daljes jashtë shtetit”, e vendosur me vendimin nr. 118, datë 19.11.2025, të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, rezulton të ketë qenë efektive dhe e respektuar plotësisht nga deputetja Belinda Balluku. Nuk rezulton të jetë evidentuar ndonjë shkelje e kësaj mase apo ndonjë rrethanë që të tregojë se ajo ka dështuar në garantimin e pranisë së deputetes përpara organeve të drejtësisë.
Për rrjedhojë, zëvendësimi i saj me një masë shumë më të rëndë si arresti në burg ose arresti në shtëpi nuk rezulton i domosdoshëm dhe, për pasojë, nuk paraqitet në përputhje me testin e proporcionalitetit të kërkuar nga legjislacioni procedural penal dhe nga standardet e jurisprudencës evropiane për mbrojtjen e lirisë personale.
Në këtë analizë duhet mbajtur parasysh edhe dimensioni kushtetues i çështjes. Neni 73 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë parashikon një regjim të veçantë mbrojtjeje për deputetin, jo si privilegj personal, por si një garanci institucionale që synon të mbrojë ushtrimin e lirë dhe të pavarur të mandatit parlamentar.
Në këtë kuptim, vendimmarrja e Kuvendit në lidhje me kërkesën për autorizimin e arrestit nuk përbën një gjykim mbi fajësinë ose pafajësinë e deputetes, e cila është kompetencë ekskluzive e organeve të drejtësisë.
Roli i Kuvendit është të vlerësojë nëse kufizimi i rëndë i lirisë personale paraqitet i domosdoshëm dhe proporcional në raport me rrethanat konkrete të paraqitura dhe me funksionimin e institucionit parlamentar.
Ky rol është në përputhje edhe me standardin e përcaktuar në opinionet e Komisionit të Venecias, sipas të cilit parlamentet nuk duhet të kryejnë një gjykim penal mbi themelin e akuzës, por kanë detyrimin të vlerësojnë nëse masa e kërkuar është e domosdoshme dhe nëse ajo mund të ndikojë në mënyrë disproporcionale në ushtrimin e mandatit parlamentar dhe në funksionimin e organit përfaqësues.
Në mungesë të rrethanave konkrete që të tregojnë domosdoshmërinë e arrestit, autorizimi i një mase të tillë do të përbënte një kufizim të panevojshëm të lirisë personale dhe një ndërhyrje disproporcionale në ushtrimin e mandatit parlamentar.
Në një shtet të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe garantimi i funksionimit të drejtësisë janë objektiva legjitimë dhe të domosdoshëm. Megjithatë, këto objektiva duhet të realizohen gjithmonë në përputhje me parimet kushtetuese dhe me garancitë procedurale që mbrojnë liritë dhe të drejtat themelore.
Për këto arsye, nga shqyrtimi juridik, procedural dhe kushtetues i çështjes rezulton se kërkesa për zëvendësimin e masës ekzistuese të sigurimit personal me masën e arrestit nuk paraqitet e mbështetur në rrethana konkrete dhe të verifikueshme dhe, për rrjedhojë, nuk përmbush standardin e domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit të kërkuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, legjislacioni procedural penal, si dhe nga standardet evropiane për mbrojtjen e lirisë personale.
Në këto kushte, në mbështetje të nenit 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neneve 260, 288 dhe 289 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin i rekomandon Kuvendit të Republikës së Shqipërisë:
Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetes znj. Belinda Balluku.
Mosdhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetes znj. Belinda Balluku, pasi nga shqyrtimi i materialeve dhe rrethanave të paraqitura në Këshill nuk rezulton të jetë evidentuar domosdoshmëria e vendosjes së një mase të tillë në raport me ushtrimin e mandatit parlamentar dhe funksionimin e institucionit të Kuvendit.
Lajmi në përditësim...
Deputeti Manja në prezantimin e raportit tha se raporti i rekomandon Kuvendit rrëzimin e kërkesës së SPAK për marrjen e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut. Manja tha se nuk ka asnjë rrezik për arratisjen e Ballukut jashtë vendi dhe as për përsëritje të veprës penale.
“Balluku edhe pse ka qenë në dijeni të hetimeve që në gushtin e viti 2024, dhe psi iu njoftua akuza nga ana e SPAK ajo ka udhëtuar ia herë jashtë shteti, dhe përsëri është kthyer në Shqipëri në respekt të masës dhe në respekt të funksionit dhe procedimit penal. Ka udhëtuar në Bukuresht, Athin, Romë dhe në të gjitha rastet është kthyer n Shqipëri duke reflektuar sjellje të rregullt dhe jo shmangëse. Ka dorëzuar të gjitha dokumentet e identifikimit. Pretendimi se shtimi i sanksionit penal, mund të çojë në rrezik për tu arratisur, bie poshtë.
Rreziku i përsëritjes së veprës panel. Dhe kjo kërkon të jetë real dhe jo hipotetik. Mbahet në konsideratë të Balluku nuk ushtron funksione në administratë, dhe një interpretim që bën SPAK që çdo funksionar publik administron fonde, do të mjaftonte për të justifikuar rrezikun e veprës penal. Nuk qëndron. Ne si anëtarë të mazhorancës në këshillin e mandateve, arrijmë në përfundimin se nuk ka vend për dhënien e autorizimit për zëvendësimin e masës së sigurimit personal, atë të ndalimit jashtë shteti, me masën më të rëndë, atë të arrestit më burg apo në shtëpi. Është e vërtetë që në një shtet të drejtës, lufte kundër korrupsionit janë objektiva legjitim dhe të domosdoshme, këto objektiva duhet të orientohen për përputhje me kushtetutën. Ne i rekomandojmë seancës penale rrëzimin e kërkesës së SPAK për dhënien e autorizimit për heqjen e lirisë së Ballukut, pasi nga shqyrtimi i materialeve që shoqërojë kërkesën e SPAK, nuk rezulton të jenë evidentuar domosdoshmëri të vendosjes së një mase të tillë. Kjo nuk e pengon SPAK të vazhdojë hetimet”, tha Manja.
Në raportin e PS për heqjen e Imunitetit të Belinda Ballukut, thuhet se SPAK nuk provoi me fakte reale rrezikun e prishjes së provave
“SPAK përmend mundësinë e ndikimit mes personave me influencë, zyrtarëve të administratës dhe tentativa presioni ndaj dëshmitarëve/. Lidhur me këtë pretendim në kërkesën e SPAK lidhur me rrezikun e prishjes së provave, SPAK i referohet funksioneve në ekzekutiv që ushtronte Balluku, ky shkak tashmë ka rënë, por përtej kësaj. Lidhur me rrezikun e prishjes së provave, sot që flasim nuk ka akuzë për pengim të drejtësisë ndaj Ballukut. Qoftë në relacion, apo parashtrimet palëve në mbledhje, nuk ka provë direkte apo indirekte ku deputetja Balluku të ketë përdorur ndikimin e saj për të prishur provat e SPAK. Aq më tepër që vepra për të cilën akuzohet është vepër penale me natyrë administrativo penale, çka do të thotë i gjithë dokumentacioni i praktikave të dyshuara që përbën vepra penale të pabarazisë në tenderë, sot janë te sekuestruara dhe janë në dispozicion të SPAK. Po ashtu, edhe një sërë provash të tjera, kryesisht me dëshmitarë, janë administruar nga organi i akuzës. Duke i qëndruar besnik ruajtjes së sekretit hetimor, na paraqiten një proces verbal të dy shtetase bisedojnë me njëra tjetër, lidhur me dëshminë që njëra nga këto shtetase ka dhënë gjatë hetimit në SPAK, e cila pretendon se është intimduar. Nuk rezulton as nga procesverbali as nga deklarimet e saj që ajo të jetë intimudra nga deputetja jo e jo, por edhe kur thuhet nga kabineti. Kabineti është nocion abstrakt. Hetimi penal nuk mund të zhvillohet mbi kabineti. Është pretendimi se është intimiduar nga persona të fortë. Thuhet unë do t’i qëndroj dëshmisë sime çfarë kam thënë dhe nuk e ndryshoj dëshminë edhe sikur të intimidohem nga persona të fortë. Një provë e tillë do duhet të provohet edhe me prova të tjera. Sepse një dëshmie tillë, janë mjet i kërkimit të provës dhe nuk mund të jenë provë. Rreziku i prishjes së provave nuk u provua me fakte reale, por janë konsiderata që në themel të tyre kanë ish-funksionin e ministrit që mbante Balluku, aq më tepër që akuza mbetet e njëjta”, tha Manja.
Deputeti Ulsi Manja në prezantimin e raportit të PS, tha se SPAK po heton lirisht Belinda Ballukun dhe nuk është penguar në ushtrimin e kompetencave. Referuar relacionit të SPAK se pozita penale e Ballukut është rënduar, Manja tha se, “çdo zgjerim i hetimit të ishte një rrethanë e re për rëndim të masave atëherë do të binte që çdo hetim kompleks do të përbënte arsye për paraburgim”.
“Është me interes për publikun të theksohet një fakt me rëndësi, në vlerësimin tonë jemi të bazuar strikt në provat që shoqërojnë kërkesën e prokurorisë së posaçme. Nuk kemi bërë asnjë analizë të shqyrtimit gjyqësor të provave. Roli i kuvendit nuk është formal, por thelbësor. Imuniteti për hetimin dhe ndjekjen penale nuk ekziston pas ndryshimeve kushtetuese në vitin 2012. Deputeti hetohet, ndiqet si cdo shtetas, ndaj tij mund të caktohen masa sigurimi deri tek arresti. Kushtetua ka ruajtur një imunitet procedural të kufizuar për masat që prekin lirinë personale. Për arrestimin kërkohet autorizim nga Kuvendi, nuk është mburojë penale, por mekanizëm balancues. Deputetja ka një masë sigurie penale, të daljes jashtë shteti. SPAJK po heton lirisht dhe nuk po pengohet në ushtrimin e kompetencave sa i takon hetimit. Sa i takon kërkesës për zëvendësim mase, kompetenca përfundimtare, i takon kuvendit pasi merr një raport rekomandues nga këshilli i mandateve. Pretendimet se kuvendi, pengon drejtësinë, nuk kanë bazë ligjore, por janë pretendime politike. GJK nuk dha një vendim themeli.
SPAK në realicion thotë janë shtuar dhe disa fakte apo episode penale, çka sipas tyre, shtimi i këtyre e shton automatikisht sanksioni e veprës dhe dëmin hipotetik që ka pësuar shteti nga këto procedura. Në vlerësimin tonë si këshill, fakti që çdo zgjerim i hetimit të ishte një rrethanë e re për rëndim të masave atëherë do të binte që çdo hetim kompleks do të përbënte arsye për paraburgim. Ndërkohë që paraburgimi është masa e fundit. Edhe pse janë shtuar rastet vepra mbetet një “shkelje në tendera” nuk ka asnjë vepër të re penale. Pra ky pretendim nuk qëndron. Paraburgimi është i fundit”, tha Manja.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja prezantoi në mbledhjen e grupit raportin e PS për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, për të cilën SPAK kërkon arrestimin. Manja tha se hetimet ndaj Ballukut nisën pas dy kallëzimeve, një në 2024 nga Lulzim Basha, dhe një në 2025 nga Gazment Bardhi. Por, Manja tha se në raportin e tyre nuk janë ndalur në këtë pikë pasi respektojnë qëndrimin e mbrojtjes dhe atë të Ballukut, që për to kjo çështje është vetëm një çështje drejtësie.
“Kompetenca e Kuvendit në shqyrtimin e kërkesës së SPAK është e natyrë proceduralo kushtetuese. Kuvendi nuk gjykon fajësinë, pasi ky atribut i përket gjykatës. Kompetenca e kuvendit kufizohet në vlerësimin e kodit të procedurës penale.
Lidhur me faktin nëse kërkesa është bërë nën ndikime politike. Ndonëse nga mbrojtësit e deputetes në Këshillin e Mandateve nuk pati pretendime për një kërkesë të motivuar politikisht në rastin e hetimit ndaj Ballukut, ama këshilli konstaton: Një fakt publik, kallëzimi i parë i bërë në gusht 2024, është bërë nga Lulzim Basha, ish kreu i PD, kallëzimi i dytë është bërë në shtator 2024, nga sekretari i PD, Gazment Bardhi, sot kreu i grupit të PD dhe anëtar në Këshillin e Mandateve. Në 2025, këto dy procedime janë bashkuar në një dhe sot mban një numër unik procedimi mbi bazën e të cilit po zhvillohen hetimet ndaj Ballukut. Vlen të theksohet se viti 2024, koha kur u bënë kallëzimet për veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderë, që nuk është vepër korruptive, koecidon me një periudhë parazgjedhore dhe një situatë të nxehtë politike, pastaj u zhvilluan zgjedhjet e 11 majit dhe fill pas zgjedhjeve kemi ashpërsim të gjuhës politike në këtë drejtim, çka e ka shoqëruar gjatë gjithë kohës këtë proces. Por ne nuk jemi ndalur në këtë pikë, e respektojmë qëndrimin e mbrojtjes dhe ballukut, që e konsiderojnë këtë çështje drejtësie dhe vetëm drejtësie”, tha Manja.
Kryetari i komisionit të Ligjeve Ulsi Manja ka prezantuar raportin e PS lidhur me kërkesën e SPAK për marrjen e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut. Në raport thuhet narrativa mbi të cilën SPAK mbështet kërkesën për arrestimin e Ballukut, janë hipotetike pasi Balluku nuk ushtron më sot asnjë funksion ekzekutiv.
“Ka ndodhur një realiteti i ri jurdik dhe institucional. Balluku nuk ushtron më funksione ekzekutive si pasojë e ndryshmeve në përbërjen e qeverisë. Për pasojë masa e sigurimit penal, e pezullimit nga detyra, nuk prodhon më pa asnjë pasojë juridike reale, por dhe narrativa mbi të cilën SPAK ka kërkuar kërkesën , si rrezik i prishjes së provave, apo arratisjes, mbetet hipotetike për sa kohë lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e funksioneve ekzekutive që deputetja nuk i ushtron. Në vend të një procesi të qetë, kemi parë përpjekje për të zhvendosur këtë çështje në një gjyq publik. Kërkesa e SPAK në fakt në rastin e Belinda Ballukut, ndryshon nga kërkesat e tjera që kanë ardhur në Kuvend për marrjen e autorizimit për arrestimin e të tjera sepse nuk është kërkesë për caktimin e një mase sigurie. Kuvendi i kërkohet të zëvendësojë një masë sigurimi personal, efektet që sot janë në fuqi ndaj Ballukut, sic është e daljes jashtë, sic është një masë më e rëndë, ajo e arrestit, për një vepër penale që SPAK po heton që në gushtin e vitin 2024. Zëvendësimi i masës, mund të kërkohet në 2 raste. Kur janë rënduar nevojat masës së sigurimit, ose personi që i është caktuar masa, nuk e ka respektuar. Rasti i dytë përjashtohet.. Balluku sic provohet nga relacioni i SPAK de arsyetimi i fakteve dhe provave, provohet që e ka respektuar në mënyrë korrekte. Në vlerësimin tonë ngelet vetëm rëndimi i masave t sigurimit për ato shkaqe që ka listuar SPAK, që ka të bëjë me shtimin e episodeve, rrezikun e prishjeve të provave, ikjes apo kryerjen e një vepre penale me të rëndë”, tha Manja.
Komente












me kte qe beri PS sot na coi direkt 10 vite pas. uroj qe BE te monitoroje procesin dhe te marre masat e duhura kunder republikes se bananeve te edi rames. eshte e qarte qe kta duan BE pa sakrifica pa leshuar shoket e tyre hajna, por kshu ska. ne ktej kto lloj pabarazish nuk i konceptojm dot
PërgjigjuMEQE RAMA DO TE DALE MBI PROKURORINE..ATEHERE ORGANET E LIGJIT TE ARRESTOJNE RAMEN DHE MANJEN PER PENGIM TE DREJTESISE....
Përgjigju