Si ky, ashtu dhe pasardhësit e tij, luftuan me të gjitha forcat që të zotëronte kudo në Shkodër, në të gjitha institucionet, fryma e respektit të çdo gjëje italiane, nënshtrimit ndaj kulturës dhe gjuhës italiane. Jo rastësisht selia e jezuitëve në Shkodër, përmes oborrit të saj lidhej me kryekonsullatën italiane në Shkodër. Gjatë pushtimit italian, Valentini u bë përfaqësonjës i kulturës fashiste në Shqipëri.
Ai ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i Mustafa Krujës dhe i Ernest Koliqit.Ai u bë ndër zëdhënësit e ideologjisë fashiste në Shqipëri, sidomos në Institutin e Studimeve, që u themelua më 1940 nga Çianua dhe Jacomoni. Sot, në Itali, është miku më i ngushtë i Ernest Koliqit dhe vjell vrer kundër Shqipërisë socialiste. (Rakip Beqaj: “Veprimtaria antikombëtare e klerit katolik në Shqipëri”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1969, vëllimi I, f. 74)
Në fakt këtu ka vetëm një të vërtetë, që At Zef Valentini kishte qenë vërtet misionari kryesor jezuit, madje katolik, në Shqipëri në kohën për të cilën flitet. Në paragrafin e mësipërm gjejmë të adresuara për Valentinin akuzat që Enver Hoxha dhe regjimi i tij komunist i bënë pareshtur Vatikanit, misionarëve të huaj katolikë në Shqipëri dhe vetë klerit katolik shqiptar. Akuza fare të pabaza. Të cilat rrëzohen vetëm me një fakt. Me të pushtuar fashistët Shqipërinë në 1939, u ndalua revista “LEKA” drejtor i së cilës ishte At Zef Valentini.
“Nderpremja, për arsye politike qe vepër e censurës së Ministrisë së Shtypit dhe Propagandës së kohës.Kjo për bindjen që kishin autoritetet italiane se revista me përmbajtjen e saj (kryesisht me serinë e dokumentave te zbuluara nga Valentini që më 1939 e që ai synonte t’i vijonte nën po atë okelio me titull “Përpjekje për lirim të Shqipërisë”-shënim i autorit), do të kishte mujtë me u dhanë shkas lëvizjeve të rezistencës. Kështu që Leka me vullnet të saj e pezulloi botimin prej 1939 deri më 1943” (Willy Kamsi:Bibliografia “LEKA”, Botimet Franceskane, Shkodër 2008, fq 5).
VLERËSIMET E ERNEST KOLIQIT PËR AT VALENTININ
Vetëm një vit më pas u ndalua “Hylli i Dritës”, revista e françeskanëve. Zef Valentini nuk donte të ngjallte frymën e nënshtrimit ndaj gjuhës dhe kulturës italiane, ndonëse ai përpiqej që në Shqipëri të bëheshin të njohura ato gjëra të kulturës italiane që studiohen dhe çmohen në të gjithë botën. Nuk ishte faji i Zef Valentinit që lidhja e Shqipërisë me Perëndimin në shekuj, që nga koha e Romës Antike e në vazhdim, kishte ardhur nga ana tjetër e detit me Venedikun, Mbretërinë e Napolit etj. Vatikani kishte pasur këtu një rol të përhershëm.
At Valentini nuk bënte gjë tjetër veçse e konfirmonte këtë me dokumentet që zbulonte si kërkues, me studimet që shkruante si historian etj. Por regjimi komunist nuk e donte orientimin perëndimor të Shqipërisë, prandaj ishte kundër kësaj që bënte At Valentini. Në kohën që propaganda e regjimit komunist shkruante gjëra të tilla, në 1969, Shqipëria ishte orientuar nga Kina komuniste.
Që akuzat e mësipërme ndaj At Valentinit janë qesharake, kuptohet edhe nga interpretimi qesharak i faktit se selia e jezuitëve në Shkodër qenkësh e lidhur me Kryekonsullatën italiane me anë të një dere anësore në oborr. Kush e njeh Shkodrën e kupton se sa naive është kjo akuzë. Në atë kohë nuk kishte shtëpi një Shkodër që nuk kishte një derë të tillë të vogël, arkapia quheshin dhe që u bënë të famshme me novelën e Migjenit “Të çelen arkapijat’!”. Imagjinoni Kryekonsullin italian në Shkodër që, kur kishte për të biseduar me At Valentinin, jepte urdhër: “Të çelet arkapia!”.
Epo jezuitët dhe diplomatët fashistë në Shkodër duhet të kishin bërë diçka më sekrete, për shembull një tunel që do të lidhte të dyja ndërtesat. Se me çfarë merrej At Valentini dhe si e përse bashkëpunoi me Çianon, Jakomonin etj., këtë do ta tregoj në libër me fakte. Që At Zef Valentini nuk u mor me politikë këtë e pohoi dhe miku i tij Ernest Koliqi, në vitin 1970, kur mund ta kishte përdorur emrin e At Zef Valentinit për të justifikuar zgjedhjen që bëri për bashkëpunimin me italianët gjatë pushtimit të Shqipërisë dhe hyrjen në Partinë Fashiste.
Ernest Koliqi, në një shkrim të botuar në 1970, me rastin e 70-vjetorit të lindjes të At Valentinit shkruan: “Ai nuk asht marrë kurrë me politikë militante në Shqipni, vepra e tij frymëzohej prej qëllimit të naltësimit të klasës intelektuale shqiptare drejt nji koncepti ma të gjanë të jetës sociale në kultin e rregullit e të frymës krenare t’ energjive, ngjye në burimet ma t’ thella të substancës etnike. Mbeti, pra i huej ndaj çdo nisme që s’ kishte si qëllim ripërtëritjen morale e qytetare, nëpërmjet debatit të lirë t’ ideve e përdorimit të mjeteve që ofron kultura.
Ky qëndrim nuk vinte si pasojë e nji vendimi për t’ u pozicionuar përmbi situatën politike gjithnji të trazueme në Ballkan, por pikërisht ngase gjindej në një mjedis krejtësisht të papërshtatshëm për të mbrojtë idetë e tij në nji klimë që s’ mund të ishte paqësisht intelektuale”. (Ernest Koliqi: “Njeriu Valentini”, “Shejzat”, nr. 10-12, 1970. Këtë shkrim e gjeni të plotë edhe tek vëllimi i dytë i veprave të At Giuseppe (Zef) Valentini: Shtëpia botuese “Plejad”, Tiranë 2006, f. 10)
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 17.07.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)