Zëvendësministrja e Arsimit, Lorena Haxhiu ka dhënë një sqarim lidhur me deklaratën e saj në Panairin e Punës. Ajo sqaron se ajo që u quajt gafë në fakt ka një tjetër kontekst.

Në panair ajo përmbysi shprehjen "atë që do mbjellësh, do korrësh", duke thënë "atë që do korrësh do mbjellësh", por në sqarim Haxhiu thotë se nuk është ngatërruar por ka dashur të thotë  "atë që do të korrësh në panair, do ta mbjellësh në të ardhmen".

"Ka tekst, por ka edhe kontekst" - citonte dikur një profesori im në auditoret e fakultetit. 
M'u kujtua sot, teksa portalet e futën në makinerinë e tyre dhe e nxorrën të deformuar e jashtë kontekstit fjalën time të djeshme në çelje të Panairit të Punës. 
"Atë që ju do të korrni (në panairin e punës), atë do të mbillni dhe në të ardhmen (në tregun e punës)!" ishte fjalia ime përmbyllëse drejtuar të sapodiplomuarve, teksa prisnin të vizitonin stendat, për të korrur frytet e punës së tyre, pas vitesh të tëra studimi, lodhjeje, mundi e sakrifice. 
Duket që nuk paska patur mjaftueshëm lajme të këqija dje... Nice try",
shkruan Haxhiu.