Elden Tarja, Kristian Ymeri, i njohur edhe si “Shkambi”, dhe Vinçesk Piroli janë lënë në burg nga Gjykata e Lezhës, ku u paraqitën këtë të hënë nën masa të rrepta sigurie.

Tre të arrestuarit u shoqëruan nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) drejt ambienteve të gjykatës. Sipas burimeve, ata nuk kanë folur gjatë seancës gjyqësore.

Të tre u vunë në pranga pak ditë më parë në kuadër të operacionit policor të koduar “Detajet”, pasi dyshohet se po përgatiteshin të kryenin një atentat.

Ndërkohë, sipas burimeve, ndaj tyre ka dyshime për përfshirje edhe në tri ngjarje të tjera kriminale, të dyshuara si vrasje me pagesë.

Ata dyshohen se kanë ekzekutuar Artan Myrtajn në Sarandë, i njohur si 'Tani i Ruzhdiut', si dhe dy vrasje të tjera, një në qarkun e Shkodrës dhe një në Mirditë.

Vinçesk Piroli, 38 vjeç, dyshohet të jetë ekzekutori kryesor në këto ngjarje.

Piroli dhe Ymeri, 34 vjeç, u arrestuan teksa po lëviznin të armatosur dhe me skafandra në një motomjet të vjedhur në Suedi, ndërsa Tarja, 25 vjeç dyshohet se do t’i ndihmonte të largoheshin me automjet pas kryerjes së krimit. Gjatë operacionit u sekuestruan tri pistoleta, municion luftarak, motomjeti dhe automjeti tip “Volkswagen”.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë