Një atentat me tritol ka tronditur një ditë më parë qytetin verior të Shkodrës, ku shënjestër ishte një emër shumë i njohur për policinë. Shqiptarja.com iu sjell fotografinë e objektivit të atentatit me rreth 400 gr eksploziv, 42-vjeçarit Lulzim Kullaj.

 

 

 

 

 

 

 

Report Tv mësoi se nuk ka ende asnjë person të arrestuar për ngjarjen e rëndë. Policia ka shoqëruar 20 persona, shumica e të cilëve janë lënë të lirë pas marrjes në pyetje. Ndërkohë,burime i thanë Report Tv se janë rihapur dosjet e vjetra të Lul Kullës, mes të cilave edhe vrasja e një biznesmeni gazi. Sa i takon gjendjes së Lulzim Kullës, vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Lulzim Kullaj njihet si ‘i forti’ i Shkodrës dhe është emër i njohur për uniformat blu, për shkak të së kaluarës së tij kriminale. Lënda eksplozive u vendos në një motor të parkuar në hyrje të një objekti 2-katësh në pronësi të Kullës dhe është shpërthyer me telekomandë, teksa objektivi po largohej me automjet. 

lulzim kullaj
(Lulzim Kullaj, shënjestra e atentatit me bombë në Shkodër)

Kullaj ka mbetur i plagosur rëndë, ndërsa kanë marrë lëndime dhe 7 persona të tjerë, që kanë qenë kalimtarë të rastësishëm në vendin e shpërthimit, ku një prej tyre, i identifikuar si Ditmir Myftia, 32 vjeç, në gjendje të rëndë, ndërsa gjashtë të tjerët jashtë rrezikut për jetën. Ky i fundit së bashku me objektin e atentatit kanë marrë plagë të rënda dhe për pasojë janë nisur drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

[gallery]25331[/gallery]

Objekti ku u vendos tritoli është godinë 2 katëshe multifunksionale si klinikë dentare, lokal, shoqata serbo-malazeze, parukeri, shitje tapetash. Burime për Report Tv saktësuan se shpërthimi ka ndodhur në momentin kur Kulla po hipte në automjetin e tij.

Dyshohet se lëvizjet e Kullës janë monitoruar nga atentatorët dhe në momentin kur ai po merrte automjetin kanë bërë shpërthimin e telekomanduar. Lulzim Kulla ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është transportuar në drejtim të Tiranës për ndërhyrje më të specializuar. Report Tv iu sjell momentet e shpërthimit, që siç duket ka krijuar panik te qytetarët dhe ka qenë i mirëorganizuar si një skenë filmi.

Në qershor të vitit të kaluar, Lul Kulla është arrestuar nga policia për kultivim kanabisi në zonën e Dukagjinit, në Shkodër. Ai është mbajtur në burg dhe është liruar pas gjashtë muajsh.

Ndërkohë, Report Tv mëson gjithashtu se Lul Kulla pas vitit 1997 u kthye në makthin e tregtarëve dhe biznesmenëve në lagjen "Rus" të qytetit verior. Lul Kulla, në bashkëpunim me grupe të tjera kriminale, do vinte nën diktat bizneset e Shkodrës, duke bërë që një pjesë e tyre të largoheshin nga qyteti. Për shumë vite ai mbajti nën kontroll lagjen e famshme të Shkodrës, duke kontrolluar aktivitetin tregtar. Në objektin ku iu vendos tritoli, Lul Kulla ka në pronësi një lokal si dhe disa ambiente të dhëna me qira. Në katin e dytë të ndërtesës ndodhen zyrat e shoqatës së minoritetit serbo-malazez të Shkodrës.

Ngjarja ka ndodhur në një nga lagjet më të populluara të kryeqendrës së veriut, pranë qendrës së qytetit. Nga shpërthimi i fuqishëm janë dëmtuar edhe disa automjete të parkuara pranë biznesit. Një prej automjeteve të dëmtuara nga shpërthimi është një fuoristrade me targë AA 444 CX, e cila dyshohet se i përket pikërisht Lulzim Kullës.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Blutë kanë sekuestruar pamjet filmike të bizneseve aty pranë, pasi kanë qenë të pajisura me kamera sigurie dhe dyshohet të kenë filmuar momentin e vendosjes së lëndës eksplozive në dyqan. 

Emrat e të plagosurve: 

Lulzim Kullaj - 42 vjeç

Arjola Gjonaj - 31 vjeçe

Pjetër Arra 53 - vjeç

Gentian Suça - 40 vjeç

Ditmir Myftia - 32 vjeç

Pjeter Daka - 60 vjeç

Gardosileviç Roikq - 50 vjeçe 

d.c./shqiptarja.com