TIRANË - Kamerat e instaluara në lokalin e masakrës ku mbetën 3 të vrarë dhe tetë të plagosur, kanë filmuar gjithë momentin kur autorët janë afruar duke qëlluar me breshëri dhe dhe më pas janë larguar. Burimet nga policia theksojnë se automjeti me të cilin udhëtonin autorët e masakrës dyshohet të jetë një BMW X5, e cila ka ardhur nga Elbasani në drejtim të Librazhdit. Pak para se të afrohej në vendin ku do të kryhej masakra, autorët kanë fikur dritat e automjetit dhe më pas kanë ndaluar në sheshpushimin e lokalit duke hapur zjarr menjëherë.

Sipas të njëjtave burime, njëri nga autorët ka filluar të qëllojë nga vendi i parë i makinës, nga brenda, me xhamin e ulur. Vrasësi i dytë ka dalë nga dera e pasme e të njëjtit krah, ndërsa i treti dalë nga krahu i shoferit dhe ka qëlluar anash duke u mbrojtur nga kofano e makinës. Automjeti i përdorur në këtë ngjarje mësohet se ka qenë me timon anglez, duke i dhënë mundësi dy prej vrasësve të qëllojnë direkt e pa asnjë pengesë mbi shënjestrat e tyre.

Autorët mbanin veshur kamuflazh ushtrie, ndërsa kanë qëlluar me breshëri në drejtim të 11 personave që ndodheshin në lokal pa përjashtuar asnjë prej tyre. Ndërkohë, burimet thonë se i gjithë krimi ka ndodhur në më pak se 1 minutë. Pas masakrës, pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se makina është larguar me shpejtësi drejt Librazhdit, pa xhiruar gomat e pa lënë asnjë shenjë në vendin e krimit.

Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)