Gjykata e Korçës ka lënë në burg Nikolla Agollin dhe David Priftin pas plagosjes me armë zjarri të Brian Syzos në Pogradec.Seanca gjyqësore për 24-vjeçarin dhe shokun e tij zgjati 2 orë. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për "vrasje me paramendim, në bashkëpunim”, mbetur në tentativë, si dhe armë pa leje.

Burime nga Gjykata bëjnë me dije se gjatë seancës autori Nikolla Agolli ka pranuar se ka qenë një konflikt çasti mes tij dhe Brian Syzos. Sipas dëshmisë së tij para togave të zeza, ai ka dëshmuar se është sulmuar nga Briani dhe ka qëlluar ndaj tij për ta neutralizuar dhe që ai të ndalonte sulmin.

"Kisha mundësi ta vrisja dhe nuk e bëra", citohet të ketë thënë thënë autori.

Sa i përket të arrestuarit tjetër, David Prifti, ai ka deklaruar se nuk ka lidhje me ngjarjen. Sipas dëshmisë së dhënë në seancë, Davidi është shprehur se nuk ka gisht në këtë ngjarje.

Ai ka pretenduar se makinën e tij ia ka dhënë Nikollës dhe ka ikur me makinën e të fejuarës për në plazh. Ndër të tjera, Prifti ka thënë se ka kamera sigurie në vendet ku ka qënë, çka vërtetojnë që s'ka gisht në ngjarje.

Në vijim pritet të verifikohen nga prokuroria kamerat e qytetit, ndërsa ende nuk ka patur përgjigje nga ana e grupit hetimor lidhur me transkriptimin e filmimeve të kamerave të sekuestruara.

Kur ndodhi atentati?

Ngjarja ndodhi mesditen e së hënës, në zonën e Fortesave, në hyrje të Pogradecit. Brian Syzo, një person me precedent penal në fushën e narkotikëve dhe i liruar së fundmi nga burgu, kishte parkuar makinen në rrugë dhe qëndronte në pritje të një shoku.

Sapo ai ka mbërritur, është afruar një tjetër fuoristradë "Jeep" me xhama të zinj me targa amerikane, ku udhëtonin Nikolla Agolli, vëllai i tij Edison Agolli, David Prifti dhe Meardi Berberi.

Fillimisht kanë thyer xhamin e automjetit të shokut. Sapo 35-vjeçari, Syzo ka dalë nga makina e tij, Nikolla Agolli dyshohet se ka qëlluar me pistoletë, duke e goditur me dy plumba në këmbë.

Dyshohet se shkak i këtij atentati të jetë bërë ngjarja e tetorit te vitit te shkuar, ku vëllai i Brianit, Sindi Syzo plagosi me thikë Nikolla Agollin.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë