TIRANE - Nxjerrja e emrit të Durim Bamit, dëshmitarit kyç të deputetit Tom Doshi, ka bërë që të ngrihen në publik shumë pikëpyetje mbi vërtetësinë e tij si dëshmitar apo dhe vetë atentatin e kurdisur ndaj Tom Doshit dhe Mhill Fufit. Vetë emri i Durim Bamit dhe vetë dëshmia e tij, ka ngritur shumë pikëpytje, pasi ka një linjë paralele me disa krime të rënda të ndodhur në Tiranë.

Në dëshminë e tij, Bami ka treguar se takimin e parë me shtetasin “Toni” e ka kryer në muajin qershor 2014, në zonën e ish-bllokut në Tiranë. Pikërisht në këtë takim janë hedhur “piketat” e para se si duhej të eliminoheshin dy deputetët. Muaji qershor, mund të jetë dhe koiçidencë, por pikërisht në këtë muaj është vrarë bankieri i njohur Artan Santo, në qendër të bllokut. Një dyshim mjaft i fortë është edhe për atentatin e vitit 2013, ku në muajin shkurt është ekzekutuar me armë zjarri kryekomisari Dritan Lamaj.

Enver Stafuka, shoku i dëshmitarit Bami, njeriut që ishte kontraktuar për të vrarë Tom Doshin dhe Mëhill Fufin, disa ditë më parë u zhduk pa lënë gjurmë, vetëm pasi kishte dalë nga i njëjti lokal ku qëndronte me Durim Bamin. Stafuka nga Fushë-Kruja, në vitin 2013 është arrestuar nga policia si vjedhësi i BMË në Durrës, e cila një javë më pas u përdor për ekzekutimin e kryekomisaritit Dritan Lamaj, për këtë vrasje akuzohet Arben Frroku.