TIRANE - Dy kushërinjtë Aurel dhe Amarildo Hoxhallari pritet të dalin nesër para Gjykatës së Krimeve të Rënda, për të mësuar nëse do të lirohen apo do vijojnë të qëndrojnë në qeli. Të arrestuarit janë proceduar penalisht si organizatorë të atentatit të 5 janarit në Tiranë, ku mbeti i plagosur Pajtim Serjani, polici i GOS Roland Meta dhe u vra personi i cilësuar nga policia si vrasës me pagesë Arjanit Sterjo (ose Artur Baze). Kushërinjtë akuzohen për “Vrasje me paramendim” të mbetur në tentativë e kryer kjo në formën e “Grupit të strukturuar kriminal“.
 
Aureli 37 vjeç dhe Amarildo Hoxhallari 24 vjeç u kapën tre ditë nga atentati mafioz, ndërkohë që në asnjë moment nuk e kanë pranuar akuzën e ngritur nga policia. Si pasojë e provave jo bindëse, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi caktimin e masës së sigurisë arrest 30 ditor, ndërkohë gjykata vendosi të lerë 20 ditë në qeli dy kushërinjtë. Ky afat përfundon ditën e sotme dhe pritet një vendim i dytë nëse do lirojë ose jo dy kushërinjtë Hoxhallari.

Shkrimi u botua ne Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)