DURRES-Për vrasjen e Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dautit, Policia e Durrësit ka nisur kontrolle të imtësishme në zonën e Shijakut dhe Sukthit. Burime të Report TV bëjnë me dije se autoblindat e Policisë janë parë ditën e djeshme në Shijak.
 
FNSH dhe RENEA kanë kryer kontrolle në disa banesa. Burimet saktësojnë se Policia ka shoqëruar disa nga personat të cilët cilësohen në zonë si “të fortët e Shijakut”.
 
Këta persona, me precedentë të mëparshëm penal, janë shoqëruar në Policinë e Durrësit për tu pyetur nëse kanë informacion për vrasjen e Dalipajt dhe Dautit.
 
Gjithashtu janë shoqëruar edhe disa miq të Juxhin Dautit dhe Ervin Dalipajt. Mes tyre janë edhe personat që e shoqëronin si eskortë Juxhin Dautajn.
 
Ndërkohë nga të dhënat paraprake të gjithë të shoqëruarit kanë mohuar të kenë dijeni për atentatin që ndodhi ditën e martë te mbikalimi i Sukthit në Durrës.
 
Aksioni i Policisë në zonën e Shijakut është kryer për shkak se Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dauti shkonin shpesh në këtë zonë. Ata frekuentonin lokale dhe restorante në Shijak gjatë ditës, ndërkohë që gjatë natës fshiheshin në banesa të ndryshme në Tiranë e Durrës.
 
Policia ka sekuestruar edhe disa kamera të tjera që mund të kenë kapur makinën e zezë tip “BMV”, e cila dyshohet se është përdorur nga atentatorët për të qëlluar 32 herë në drejtim të Dalipajt dhe Dautajt, të cilët gjetën vdekjen e menjëhershme.

Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com