Lënda eksplozive që u gjet në makinën e Mirash Gjikolës në Sarandë është artizanale me nitrat, e cila përgjithësisht përdoret për peshkim, raporton gazetari i Report Tv Sokol Dema. Ishte vendosur në sediljen e pasme bashkë me celularin që dyshohet se do të përdorej për të krijuar shpërthimin. Në momentin që është konstatuar nga RENEA, është gjetur e plasur vetëm kapsolla.

Policia e Vlorës po heton në 2 pista për momentin. E para lidhet me plagosjen e Dedë Kovaçit në tetor 2012 në Spitën të Lezhës. Sipas burimeve, Gjikola nuk i ka sheshuar konfliktet me familjen Kovaçi që pas ngjarjes, dhe për t’i shpëtuar një hakmarrjeje të mundshme, bashkë me familjen është zhvendosur në fshatin Shëndëlli të Konispolit, i cili njihet për strehimin e shumë familjeve me probleme të ngjashme, që ikin për t’i shpëtuar përballjes me persona dhe familje që kanë pasur probleme. Deri në këtë fazë, policia nuk ka prova të qarta nëse është autor i ngjarjes, por është emri i vetëm që Mirash Gjikola ka dhënë në kallëzim, me pretendimin si me të vetmin person që ka pasur më herët konflikt, ende të pazgjidhur.

Pista e dytë që po hetohet është një sajim i mundshëm i ngjarjes, pasi Mirash Gjikolës, pak kohë më parë, i është refuzuar viza amerikane. Ngjarjen dyshohet ta ketë përdorur me qëllim aplikimin sërish. Vetë Gjikola nuk është treguar shumë bashkëpunues me hetuesit, çfarë ka sjell dyshime për vërtetësinë e ngjarjes.