ATHINË, 10 nëntor /ATSH-DPA/ - Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu do të zhvillojë muajin e ardhshëm një vizitë zyrtare në Greqi, ku do të takohet me homologun e tij grek, Antonis Samaras, njoftuan sot qeveritë respektive të të dy vendeve.
Takimi i Këshillit vjetor të Nivelit të Lartë të Bashkëpunimit Greqi-Turqi (GTHLCC) do të zhvillojë punimet më 5-6 dhjetor dhe është i treti i këtij lloji.
Ai vjen në kohën e mosmarrëveshjeve për eksplorimet për naftë e gaz në Mesdheun Lindor.
Fundjavën e kaluar, liderët grekë, egjiptianë dhe qipriotë ranë dakord të punojnë së bashku për një sërë çështjesh, përfshirë energjinë dhe luftën kundër terrorizmit.
Ndërkohë, anija kërkimore turke "Barbaros" po eksploron për naftë dhe gaz në një zonë që Qiproja e konsideron zonë të saj ekskluzive ekonomike./ a.jor.