ATHINË - E përditshmja spanjolle "El Pais" duke iu referuar situatës aktuale të Greqisë në raport me atë të vitit 2011 e titullon një artikull të saj "Grexit: Episodi XXIV" duke theksuar se borxhi publik është më i madh ndërkohë që njëjta gjë po ndodh edhe me nivelin e papunësisë dhe të varfërisë.
Në këtë artikull vihet gjithashtu në dukje se kriza ekonomike ka krijuar edhe një krizë sociale dhe politike, gjë që i vështirëson gjërat, pasi kërkohet nga grekët të rikonfigurojnë të gjitha institucionet e tyre në mes të recesionit ekonomik. Rezultati do të jetë copëzimi i votave dhe një qeveri e dobët gjatë mandatit të ardhshëm, fakt që do të ndërlikojë objektivin për përballimin e papunësisë dhe të varfërisë.
Në vazhdim, artikulli vë në dukje se SYRIZA ka avantazh në sondazhe, mirëpo është larg arritjes së maxhorancës absolute, ndërsa përshkruhet se çfarë do të ndodhte në rast të mospagimit të borxhit dhe njëkohësisht të rritjes të shpenzimeve, ashtu si propozon SYRIZA.
"Kjo do të çonte në falimentim të sistemit bankar, do të detyronte BQE të mbyllte aksesin e vendit për financime dhe brenda 24 orëve Greqia do të duhej të dilte nga euro. Mirëpo kjo do të shkaktonte falimentimin e shtetit, të bankave dhe gjithë familjeve dhe bizneseve debitore, duke e rritur papunësinë në 35% dhe duke dyfishuar kuotat e varfërisë", vë në dukje gazeta spanjolle.
Artikulli përfundon me theksimin se zgjidhja do të duhet të gjendet në nivel europian, sepse përndryshe Europa do të humbasë në kredibilitet dhe në fuqi./ATSH/