ATHINE, Kur vetëm pak ditë na ndajnë nga 28 nëntori i  ngritjes së flamurit në Vlorë, emigrantë shqiptarë nga qyteti i Lushnjes dhe Përmetit u mblodhën së bashku për të festuar 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë në kryeqytetin helen.
Festa, nën tingujt shqiptarë si dhe në ambiente të rrethuar nga flamuri kuq e zi,  u organizua nga shoqata Lushnja dhe shoqata Përmeti.

I ftuar në këtë aktivitet ishte dhe Ambasadori i Shqipërisë në Athinë, Dashnor Dervishi. Nga Shqipëria për t'iu bashkuar festës udhëtoi dhe kryetari i  bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe dhe drejtoresha e gazetës Shqiptarja.com, Anila Basha.

Kreu i shoqates Lushnja, Jovan Mehilli qe hapi aktivitetin tha se aktiviteti këtë vit merr një vlerë të veçantë për shqiptarët. Surpriza e gjithë aktivitetit sipas zotit Mëhilli, ishte dhënia e 30 pakove brenda të cilës kishte abetare për 30 fëmijë emgirantësh që gjendeshin në këto festime. "U themi fëmijëve tanë që le të mësojnë këtu gjuhën greke, por gjuhën shqiptare, gjuhën e mëmës, duhet ta kenë gjuhën e tyre të parë, tha Mehilli.

Ambasadori shqiptar në Athinë Dashnor Dervishi tha se këto festa janë më të bukura kur kujtohen të gjithë së bashku dhe në harmoni.
“Eshtë nder dhe privilegj për mua të marr pjesë në këto festime të 100 vjetorit të Pavarësisë, për komunitetin e shqiptarëve këtu. Në fakt ajo që kemi bërë gjithmonë është inkurajimi i të gjithëve për të qenë pjesë e integruar edhe në këtë shoqëri. Por, vlerat tonë rriten kur të gjithë së bashku i kujtojmë në harmoni të plotë festa të tilla. Ndaj dhe ambasada jonë u kujdes që këta fëmijë, sot të marrin këto dhurata, abetaren e gjuhës shqipe, për të mos harruar”

Në fjalën e saj përshëndetëse, drejtoresha e Shqiptarja.com, Anila Basha duke vlerësuar kontributin e emigrantëve shqiptarë në sjelljen e kulturës evropiane në Shqipëri, i bëri apel që të vijnë të votojnë në Shqipëri, për të dhënë kontributin  e tyre për ta bërë vendin më të mirë.

“Ju falënderoj qe me ftuat në këtë festë për 100-vjetorin e pavarësisë organizuar nga shoqata Lushnja dhe shoqata Përmeti. Nuk ka rëndësi se nga cili vend ne vijmë. Jemi të gjithë shqiptarë që në mes të Athinës në këtë sallë me qindra vetë po festojmë 100-vjetorin e pavarësisë. Dua të them se ju jeni më të mirë se ne, keni emocione më shumë se ne, gjithë këto vite keni sjellë kulturën evropiane në Shqipëri. Ju e doni atdheun tonë më shumë se ne në Shqipëri. Ju nuk e ndani njëri- tjetrin. Jeni këtu më të bashkuar se kurrë. Ndaj me lutje, me zërin e një gazetareje që vjen nga Shqipëria ju bëj një apel: Ejani të votoni në Shqipëri. Me kontributin tonë e tuajin do ta bëjmë vendin tonë më të mirë. Gëzuar 100-vjetorin e Shqipërisë sonë”, - u shpreh Basha.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)