ATHINE - Lorenc Lezi është shqiptari që ndihmoi kriminelin grek Panajotis Vlastos, në tentivën për t'u arratisur në mënyrë spektakolare me helikopter, një ditë më parë nga burgu i Trikalas në Greqi. Policia greke ka bërë të ditur sot se shqiptari 33 vjeç së bashku me shtetasin grek Kostas Mihalopulos kanë marrë peng pilotin dhe teknikun e një helikopteri në bashkëpunim edhe me dy femra, njëra shqiptare dhe tjetra greke. 4 personat janë paraqitur për të marrë me qera helikopterin në fshatin Zagoria në Pilio, me destinacionin përfundimtar Selanikun. Më pas Lorenc Lezi dhe miku i tij grek kanë detyruar pilotin të ulë helikopterin në Tebë, ku kanë zbritur dy femrat, për të vazhduar më pas tentativën për arratisjen e Panajotis Vlastos.

Tentativa për arratisjen e Panajotis Vlastos, i cili akuzohet për vrasje, rrëmbime dhe vendosje gjobash, dështoi pasditen e djeshme, ndërsa helikopteri u qëllua nga forcat e sigurisë së burgut të Trikalas. Si pasojë mbeti i plagosur rëndë piloti i helikopterit ndërsa u plagos lehtë dhe tekniku i tij, ndërsa shqiptari Lorenc Lezi dhe greku Kostas Mihalopulos u vunë në pranga. Nëse kjo arratisje do të realizohej do të ishte e njëjtë me atë të disa viteve më parë, kur u arratis nga burgu i Koridhalosit shtetasi shqiptar, Alket Rizai.

Panajotis Vlastos, i cili akuzohet edhe për rrëmbimin e një miliarderi grek përpara disa vitesh, ka tentuar edhe tre herë të tjera të arratiset, duke marrë edhe pengje, por pa rezultat.

Mbi personat e implikuar në këtë çështje tashmë rëndojnë akuza të rënda, dhe rrezikojnë vite të tëra burgu. Lorenc Lezi është akuzuar për kontrabandë droge, ndërkohë që ne 30 janar kishte marrë 5 ditë leje dhe nuk ishte kthyer më në burgun e Amfisës, e prej asaj kohe ishte shpallur në kërkim.

Nga kontrolli i policisë në burg janë gjetur tre telefonë celularë, dy fishekë dhe një gëzhojë si dhe një pistoletë e tipit GLOCK që u hodh nga helikopteri. Nga kontrolli brenda helikopterit u gjet edhe një tjetër pistoletë e të njëjtit tip, telefon celular, pasaportë false me të cilët ishte marrë me qira helikopteri, etj. Mësohet se policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim dy femrat.

ARRATISJA
Helikopteri kishte disa orë të pasdites që fluturonte mbi burgun e Trikallës dhe me një ganxhë është përpjekur të rrëzojë murin rrethues, si edhe telat me gjemba, në mënyrë që i burgosuri të mund të hipte ne helikopter.
Menjëherë, rojet e policisë kanë filluar të qëllojnë, ndërkohë që shkalla e lëshuar prej helikopterit është ngatërruar në telat me gjemba, gjë që ka sjellë si rezultat uljen e helikopterit në oborrin e burgut..
Edhe nga helikopteri janë përgjigjur me breshëri kalashnikovi. Gjatë përpjekjes së tij për të hipur në shkallën ajrore, krimineli grek është rrëzuar nga lartësia dhe është plagosur rëndë. Gjithashtu është plagosur ne dorë edhe tekniku i helikopterit. Tre personat e tjerë, dy shqiptarët dhe greku, nuk kanë pësuar dëmtime dhe janë arrestuar menjëherë nga policia.

Sipas burimeve të policisë, kishte informacione për tentativën e arratisjes së të burgosurit dhe për këtë arsye ishin dyfishuar rojet në burgun e Trikallës, si edhe ishte shtuar armatimi i tyre. Për këtë arsye ishin vendosur edhe tela me gjemba me shumë në muret rrethuese të burgut.

Sipas informatave helikopteri ishe marrë me qira dhe ishte ngritur nga Aspropyrgo i Athinës me destinacion Selanikun, por gjatë fluturimit bashkëpunëtorët e kriminelit grek kanë detyruar pilotin dhe teknikun që të deklarojnë difekt dhe kanë informuar se do të uleshin ne aerodromin e Larisës.
Panajotis Vlastos, i cili akuzohet edhe për rrëmbimin e një miliarderi grek përpara disa vitesh, ka tentuar edhe tre herë të tjera të arratiset, duke marrë edhe pengje, por pa rezultat.
Policia bën të ditur se dy bashkëpunëtorët shqiptarë të Panajotis Vlastos, janë persona mbi të cilët rëndojnë akuza të rënda për krime, vrasje e grabitje të dhunshme, si edhe krijim bandash kriminale. Emrat e tyre pritet të komunikohen sot.

Redaksia Online
(sg/Gre.M/Shqiptarja.com)