Kjo shifër ka dalë nga auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi prokurimet me fonde publike për vitin 2013, ku janë zbuluar shkelje të natyrave të ndryshme. Këto shkelje kanë të bëjnë më lidhjen e kontratave për objektet ”Ndërtim i rrugës së Unazës së Jashtme Tiranë, pjesa verilindore (seg. Kthesa e Saukut-Bregu i lumit)” loti 1, loti 2, loti 3 dhe “Ndërtim rrugës Lushnje-Berat” loti 2, ku, sipas KLSH, është vendosur kushti për “paradhënie”, pas publikimit të Dokumenteve Standarde të Tenderit të miratuar nga Autoriteti Kontraktor, si dhe para marrjes së miratimit nga Ministri i Financave.
Për pasojë është urdhëruar kryerja e pagesave për paradhënie për kontratat e sipërcituara gjithsej në vlerën 258.4 milionë lekë, duke vepruar në mënyrë fiktive në shpërdorim të detyrës me pasojë shkelje të interesave të shtetit dhe efekte negative për buxhetin, në një kohë që kjo shumë mund të ishte me efektivitet nëse do përdorej për likuidimin e Operatorëve të tjerë Ekonomikë që kanë përfunduar punimet në mënyrë uljen e borxhit ndaj tyre. Gjithashtu rezultoi se janë urdhëruar dhe paguar më tepër 3.3 milionë lekë nga vlera e miratuar për paradhënie nga Ministria e Financave.
Për këtë KLSH ka rekomanduar fillimin e procedimit penal për konsumin e veprës penale shpërdorim detyre në ngarkim të Andi Tomës, ish- Drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, i cili, në përmbushje të detyrave të tij funksionale, ka kryer veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, të cilat konsistojnë në lidhjen e kontratave me kusht dhënien e “paradhënies” gjithsej në vlerën 258.400.000 lekë në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjor, duke sjellë si pasojë shkeljen e interesave të ligjshme të shtetit, si dhe urdhëruar dhe paguar më tepër 3.300.000 lekë nga vlera e miratuar për paradhënie nga Ministria e Financave.
Po kështu, kallzim penal është bërë për zëvendësdrejtorin Skënder Çota dhe drejtorin teknik të ARSH-së, Lefter Kostenia e shefes së sektorit të financës, për likuidimin e Urdhër Shpenzimeve përkatëse të jashtëligjshme.
Nga auditimi mbi zbatimin e kontratave të punimeve civile në objektet “Rikonstruksioni dhe zgjerimi i Rrugës së Elbasanit, segmenti Fakulteti Filologjik-Unaza e Madhe, Tiranë” dhe “Ndërtim Rruga Kukës-Morinë, Loti 1 (vepra arti të mëdha-dublimi)” nga KLSH ishte konstatuar se ishte rritur artificialisht fondi limit në vlerën 24.139.392 lekë (me TVSH) për objektet e mësipërme me pasojë efekte negative në buxhetin e shtetit.
Konkretisht, dëmi financiar tek “Rikonstruksioni dhe zgjerimi i Rrugës së Elbasanit, segmenti Fakulteti Filologjik-Unaza e Madhe, Tiranë” ishte në vlerën 19.158.132 lekë (me TVSH) dhe “Ndërtim Rruga Kukës-Morinë, Loti 1 (vepra arti të mëdha dublimi)” në vlerën 4.981.260 lekë (me TVSH).
d.c./shqiptarja.com