Në një shkrim të publikuar në Panorama më 13 shkurt 2014, Fatos Lubonja analizonte jetën e Vaçe Zela si dhe repertorin e saj, si këngë që i jepeshin për aftësitë e larta vokale dhe “”ajo i merrte e i këndonte pa u menduar gjatë, sepse kështu do të kishte famë e sukses".
Lubonja nënvizonte në shkrim se me këto këngë nuk i përgjigjej botës dhe kohës por “kërkohej të edukohej dashuria e rrejshme për atdheun, shokun Enver, Partinë, Revolucionin, socializmin, arat fabrikat”. Ai ironizon edhe qëndrimin e kryeminstrit Edi Rama, Ilir Metës, Berishës dhe Nexhmije Hoxhës në këtë ceremoni.
Sot, përmes një letre të hapur të publikuar në media Aurela Gaçe replikon me analistin duke e cilësuar “të lig”, “të dërguar i djallit në tokë”.
Gaçe shkon më tej duke thënë se Lubonja do të ishte “shumë i lumtur nëse do të ishe një nga oficerët e lartë të ushtrisë së Hitlerit”.
“Mirë do të bëje ta bëje si Hitleri edhe ti, t'ia fusje vetes (se ashtu e dimë, që nuk e vranë por vrau veten )... e nëse s'ta mban me koqe plumbi, merr një litar, se thonë që ndjen edhe kënaqësi në akt e sipër. E unë të jap fjalën se do të vij të të këndoj atë këngën e famshme të "Beatles", "Mbyte veten me litar o Dinooo", mbyll letrën e saj të hapur Aurela Gaçe.
Më poshtë ju sjellim të plota dy shkrimet për të dhënë vetë gjykimin tuaj ju lexues.
FUNERALI PËR VAÇE ZELËN, FATOS LUBONJA: LETËR NGA FERRI ENVER HOXHËS PËR EDI RAMËN”
(Shkrimi i Fatos Lubonjës u publikua më 13 shkurt 2014 në gazetën Panorama me këtë titull)
Ne nje nga kryeartikujt e sotem te gazetes ‘Panorama’ mund te lexoni nje analize te publicistit Fatos Lubonja, pas vdekjes se kengetares Vace Zela. Ironia e Lubonjes me Ramen, Metanm Berishen dhe Nexhmije Hoxhen.
(Mbi këngët e Vaçes dhe një letër që Enveri i shkruan Edit nga Ferri pas funeralit të saj)
Njëherë e një kohë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson te më të rriturit; kur, prandaj, besoja se këngët tona qenë më të bukurat në botë, se jetoja “në të bukurin atdhe, ku lulëzon jet’ e re”, kur ende nuk njihja botë tjetër përtej asaj shqiptare, kur nuk kisha lexuar libra të tjerë përveç atyre të shkruar nga shkrimtarët e soc-realizmit dhe as gjuhë tjetër dhe as këngë të tjera të këngëtarëve të botës. Me një fjalë, kur isha fëmijë dhe ende nuk isha në gjendje të kuptoja se në çfarë regjimi jetoja.
Të më falin të gjithë ata që vdekjen e Vaçes e përjetuan sikur u vdiq një pjesë e shpirtit, por unë i përkas një brezi që, pasi kaloi këtë periudhë të fëmijërisë, nuk e ka dëgjuar muzikën e Vaçes veçse me detyrim: nëpër altoparlantët e zboreve, të aksioneve dhe pastaj në ata të burgjeve. Në vitet ‘60, kur ajo u bë këngëtarja e parë e muzikës së lehtë, unë dhe shokët e shoqet e mia rrinim tërë ditën duke rrotulluar sumbullën e radios për të kapur stacionet e botës, ku mund të dëgjoje Beatles dhe Rollig Stones, Charles Aznavour dhe Jacques Brel, Celentano-n dhe Mina-n, Fabrizio de Andre dhe Lucio Batiisti-n. Edhe kur organizonim në shtëpitë tona ato që i quanim “mbrëmje”, kërcenim e këndonim këngë të huaja. Dhe këto nuk i them për t’u mburrur se kushedi se ç’paskemi bërë. Por për të thënë thjesht se këngët që kompozoheshin e këndoheshin në atë kohë në Shqipëri nuk i përgjigjeshin botës dhe jetës sonë. Ose, më saktë, ato çka ndienim e përjetonim, ashtu në mënyrë spontane dhe të sinqertë, e refuzonin, si trup të huaj, frymën që përçonin këngët e muzikës së lehtë shqiptare të asaj kohe.
Pra, nëse një këngë dhe këngëtari i saj mund të konsiderohen shprehës të ndjenjave dhe, njëherësh, formues dhe zëdhënës të një brezi (siç konsiderohen p.sh. Beatles, Rollig Stones, Bob Dylan, Joan Baez për rininë e viteve ‘60) mund të them se për ne s’kanë qenë të tillë as Vaçja dhe askush nga këngëtarët e muzikës së lehtë. Madje vështirë të thuash se cilin brez përfaqësojnë ata pasi i përkasin, më së shumti, një kohe pa kohë që e mohonte konfliktin midis brezave në emër të pushtetit të “baballarëve” të saj pa moshë. Nuk flas në emër të të gjithëve, sigurisht, por them se flas në emër të shumicës së të rinjve të gjimnazeve të Tiranës, që kam njohur në vitet ‘60, të shumë syresh që ishin bij komunistësh dhe të atyre, më të shumtëve, që vinin nga familje që e duronin me heshtje atë regjim që gjurmonte për njolla në biografi deri në brezin e shtatë. Pra, edhe nëse mund të flas për një edukim sentimental, do të thosha se, me aq sa kemi mundur, këtë e kemi marrë nga këngët perëndimore të dashurisë, pasi këngët e festivaleve tona, edhe ato që na këndonte Vaçja, kërkonin të na edukonin dashurinë e rrejshme për atdheun, shokun Enver, Partinë, revolucionin, socializmin, arat, fabrikat, kantieret…
Po pse të rrejshme? – do të thoni ju. Të rrejshme për ata që e kishin kuptuar se kush ishte Partia, shoku Enver dhe “atdheu” që ata na servirnin, jo për të tjerët. Dhe kjo diferencë vlen për të reflektuar. Por, gjithsesi, mund të them se, për nga vetë karakteri i tyre, këto këngë e përjashtonin refleksionin, introspeksionin, aq më tepër protestën ndaj autoritetit, siç qenë shumë këngë të famshme perëndimore të viteve ‘60. Po ashtu ato as këndoheshin dot në intimitetin e një shoqërie dhe as kërceheshin, pasi qenë kompozuar që të të ftonin për marshim, për entuziazëm dhe patos revolucionar. Me fjalë të tjera, si për ata që besonin, edhe për ata që nuk besonin, ishin pjesë e programit propagandistik trushpëlarës për të cilin punonte një armatë e tërë poetësh dhe artistësh në Shqipërinë e asaj kohe.
Pra e vërteta ime është se këngët e Vaçes unë nuk i dëgjoj dot as sot; ato nuk janë këngë as për shpirtin tim, as për zemrën time dhe as për kujtesën time, pasi nuk janë të lidhura as me kujtimet e mia më të bukura, as me emocionet e mia më të forta, as me mënyrën se si e shikoja dhe e shikoj unë jetën dhe shoqërinë e asaj kohe. Dhe sigurisht, nuk janë këngët që do t’ia rekomandoja ndokujt t’i dëgjonte përveçse si dokumente të një kohe dhe aq më pak do t’ua këshilloja të rinjve për t’u zhvilluar shijen e muzikës dhe dashurinë për këngën.
* * *
Lexova edhe një reagim të Nexhmije Hoxhës pas vdekjes së Vaçes. Më tërhoqi vëmendjen pasazhi ku ajo tregon se si i ka kënduar këngët e Vaçes në burg. Besoj se edhe kjo dëshmi flet shumë për karakterin e këtyre këngëve. Është e vërtetë ajo që thotë se, në vetminë e qelisë, njeriu u drejtohet kujtimeve dhe, midis tyre, edhe melodive e këngëve që i di përmendësh e që i ngjallin emocione. Edhe unë kam pasur një repertor timin të qelisë që më ndihmonte të shtyja disa orë të vetmisë vrastare të saj. E pra, me keqardhje mund të them se në atë repertor nuk kishte këngë shqiptare, përveç një kënge të kompozuar apo përshtatur në burg që i drejtohej qelisë, me fjalët:
“ …Si s’ke shpirt, si s’ke pak zemër që po kalb kta djemt e rinj/ dalëngadal ma more jetën/ burgu i namun, burgu i zi”. E përsëris, kjo ndodhte për arsyen e thjeshtë sepse këngët e festivaleve tona nuk u përgjigjeshin ndjenjave të vërteta njerëzore, gjendjeve të vërteta shpirtërore dhe aq më pak aspiratave për të ndryshuar jetën tonë. Sepse
“Valsi i lumturisë”, që e kuptoj se mund të emocionojë Nexhmije Hoxhën, e cila prej shumë kohësh jeton në një botë virtuale për të mos u shqetësuar nga kujtimet e vrasjeve pa numër që ka bërë i shoqi dhe partia e tij, ishte një këngë e rrejshme, e kompozuar për të ilustruar thënien e Enver Hoxhës se “rinia jonë është më e lumtura në botë”. “Vals o vals, ti jehon, në të bukurin atdhe, fushat tona i përshkon, ku shpërthen jet’ e re”.
Këto, të dashur miq, janë vargjet banale të një kënge banale propagandistike dhe kush thotë sot se Vaçja i zgjidhte me kujdes këngët që do të këndonte, gënjen. Në fakt këto këngë i jepeshin Vaçes që kishte aftësi më të larta vokale dhe ajo i merrte e i këndonte pa u menduar gjatë, sepse kështu do të kishte famë e sukses. Dhe te kjo mungesë mendimi “gjatë” fillon një problem tjetër mbi të cilin duhet reflektuar. Pra, sa për vete, duke dëgjuar ato që u thanë e shkruan për Vaçen me rastin e vdekjes së saj nuk mund të mos ndihesha keq e të mos shtroja pyetjen: Ç’është kjo histeri, si ta shpjegojmë? A jemi në një regjim tjetër nga ai që kaluam, apo vazhdojmë të jemi në po atë regjim? A kemi mësuar ne ndonjë gjë nga ajo kohë dhe a jemi bërë më të rritur, apo jemi qorrollepsur edhe më? Mos vallë unë jetoj në një botë tjetër nga këta që shprehen kështu, apo kemi të bëjmë me një epidemi konformizmi, hipokrizie dhe debilizimi masiv?
Pastaj thashë me vete, ndoshta nuk është e drejtë t’i gjykosh kaq ashpër dhe t’i quash hipokritë tërë ata njerëz që mbuluan me lule arkivolin e Vaçes, ndoshta ndjenjat e tyre janë të sinqerta. Por, në këtë rast, s’mund të mos shtroja edhe pyetjen: Produkt i çfarë gjëje janë këto ndjenja, të paktën t’i kuptojmë, sepse, siç thuhet, “të kuptosh gjithçka do të thotë të justifikosh gjithçka”. Mos vallë kemi të bëjmë me nostalgjinë e një jete që na iku, paçka se në izolim nga bota e madhe disave edhe në vuajtje e persekutime (kam shkruar edhe vetë një ese me titull “Nostalgji e hidhërimit”). Është e vërtetë se “Valsi i lumturisë” mund të ngjallë te shumë njerëz kujtimet e mallin e një moshe, të një kohe, të një jete në të cilën, pa dyshim, kanë njohur edhe gëzime e kënaqësi. Truri i njeriut mbetet një mister i madh.
Loja që bën ai me asosacionet është nga më të çuditshmet. Ja edhe unë, që e kam pritur vdekjen e Enver Hoshës me një gëzim të pakrahasueshëm, e kap ndonjëherë veten duke më gurgulluar pavetëdijshëm në tru muzika dhe vargjet e këngës “Enver Hoxha, tungjatjeta” … “n’ato male, n’ato shkrepa…”. Nuk e di pse, por duket janë ato qelizat e bombarduara me vite e vite nga kjo këngë, aq sa më kap tmerri kur mendoj se në moshën e pleqërisë, kur siç thuhet njeriut i mbesin vetëm kujtimet e fëmijërisë, mund të më gjëmojnë në tru vetëm këngët për partinë dhe për shokun Enver. Por të paktën mua sot më kap tmerri, kurse këta, për të cilët po flas, duken sikur ose kanë mbetur në fëmijëri, o kanë hyrë në pleqërinë të thellë pa e kaluar moshën e pjekurisë.
Ndryshe, ndryshe mund të them se kjo është një nostalgji e sëmurë, e prekur nga amnezia apo nostalgjia e një jete të jetuar në mënyrë inkoshiente, mbi të cilën nuk kanë reflektuar asnjë çast. Sepse këngët në fjalë, me muzikën dhe tekstet e tyre, flasin qartazi, sipas meje, për kufizimin mendor, shpirtëror e artistik ku kemi jetuar si shoqëri. Mjaft të kesh parasysh se në “të vetmen kështjellë të socializmit në botë” ato kanë shërbyer si ushtarë mbrojtës ndaj sulmeve të tërë atij revolucioni muzikor me rrok, e me pop, e me radhë që njohu bota nga vitet ‘60 deri në vitet ‘90.
Por një shqetësim më të madh më ngjalli shprehja e një gazete, se “Vaçja iku së bashku me sistemin që ia zbuloi dhe ia rriti vlerat. Në Shqipërinë që kemi sot Vaçja nuk do t’ia dilte të kapërcente sekserët e festivaleve tona banale…”, që më bëri të mendoj: Mos vallë koha që po jetojmë është kaq e shëmtuar saqë disave ua ka bërë të vyer edhe atë kohë të tmerrshme? Si nuk arrijnë të kuptojnë se jemi kështu si jemi pikërisht prej atij sistemi? Apo gazetarët e rinj shkruajnë kështu pasi nuk e kanë provuar në kurriz atë sistem, por dëgjojnë vetëm përralla enveristësh?
Sigurisht, nuk mund t’u jap përgjigje gjithë këtyre pyetjeve në një artikull. Po të kisha kohë, do të shkruaja një roman me titull “Vdekja e Artistes së Popullit”, ku do t’i pleksja tërë këto tema nëpërmjet kujtimeve të personazheve të romanit për këngëtaren dhe këngët e saj. Dhe në këtë roman nuk do të mungonin edhe personazhet e përlotur të
funeralit që i përgjigjen ndokujt si puna ime: “Po pse ngjisnin këto këngë atëherë? Apo nuk ngjisnin? Sepse ishin më të bukura se të tjerat për nga forma e tyre…”. Po, ngjisnin, do t’i përgjigjesha edhe unë. E provon këtë edhe ajo që përjetuam në homazhe, në funeral dhe në mediat e këtyre ditëve. Sepse arti jo vetëm shpreh, por edhe formon. Dhe ai art formonte njeriun e ri, që zbrazëtinë e mendimit e mbushte me entuziazmin e të vërtetave që i servirte ideologjia, kjo gënjeshtër e madhe siç e quante Solzhenjicini. Dhe këto këngë qenë forma e kësaj përmbajtjeje të gënjeshtërt.
Talenti, zëri i bukur apo shija e ngjyrës apo e fjalës për artistin nuk janë gjëra që mund të qëndrojnë më vete nga ato që ai thotë nëpërmjet këtyre tingujve, fjalëve e ngjyrave. E gënjeshtërt përmbajtja, e gënjeshtërt forma, i gënjeshtërt edhe njeriu që formonte ky art. Në fakt, për mua mbetet e pakuptueshme deri në fund se si mund të kishte njerëz që i frymëzonin sinqerisht këto këngë, pa i menduar këta si të mbetur në stadin fëminor. Më së shumti besoj se ato funksiononin te të rriturit si dhunë mendore dhe psikike, që ushtrohej, përveç të tjerave, për të mos u lënë njerëzve mundësisht asnjë çast të mendonin me mendjen e tyre mbi realitetin e brendshëm dhe të jashtëm që përjetonin.
Ato dhe për t’u dëgjuar nuk mund të dëgjoheshin në vetmi, por në masë. Derisa arrinin vrasjen e kësaj aftësieë. Atëherë këta si fanatikë edhe mund të hidheshin në zjarr me këto këngë. Nuk mund të mos mendoj se edhe ata ushtarët që vrisnin të burgosurit që hidheshin te telat me gjemba, edhe ata hetuesit që torturonin të burgosurit janë inspiruar në këtë mënyrë të dhunshme nga këngët revolucionare që ka kënduar edhe Vaçja.
* * *
Nuk dua me këtë të fajësoj Vaçen, se kjo është e ekzagjeruar, por ftoj për reflektim megjithatë dhe ju ftoj që të mos harroni, o njerëz, se dhuna e këtyre këngëve nuk është përçuar vetëm në këtë mënyrë inkoshiente. Dua të them se ato këngë nuk i kanë dëgjuar vetëm Nexhmije Hoxha dhe ata që përmenda më sipër, që mirë keq kanë qenë të privilegjuar në atë regjim. (Pashë me dëshpërim se edhe ministrja jonë e re e Kulturës e do shumë “Valsin e lumturisë”). Ato i kanë dëgjuar me detyrim edhe njerëzit që vuanin nëpër burgje dhe internime, të cilët, duke i dëgjuar, kanë provuar ndjenja shumë të tjera nga ekzaltimi dhe himnizimi që u përçon fanatikëve “Valsi i lumturisë”.
A mund t’i imagjinoni ata, në qelitë e Burrelit apo të reduktuar në kafshë pune të detyruar, duke kënduar me kënaqësi të madhe shpirtërore dhe estetike “… bashkë me pranverën edhe ti lulëzon…”? Në Burgun e Burrelit, altoparlanti i ndezur gjithë ditën te Radio Tirana konsiderohej si një torturë dhe shumë të burgosur kanë bërë biruca ndëshkimore pse e kanë mbyllur atë. Atëherë të paktën bëni kujdes në emër të të gjithë atyre që kanë vuajtur në atë regjim, në emër të atyre që ende sot, pas njëzet vjetësh, nuk keni bërë asgjë për t’u gjetur eshtrat e trupave të lëna pa jetë në mënyrën më mizore, se po kontribuoni, direkt apo indirekt, për t’i vrarë edhe një herë. Në fillim të viteve ‘90, kur Kryeministri ynë i sotëm Edi Rama bënte publicistikë, midis të tjerave shkruante edhe letra nga Ferri që Enver Hoxha ia dërgonte Sali Berishës. Duke parodizuar ato letra, po i shkruaj edhe unë një letër që Enveri ia dërgon Edi Ramës nga Ferri pas funeralit të Vaçes:
* * *
“I dashur Edi, Ishte një moment i veçantë i jetës sime këtu në Ferr kur të pashë, së bashku me Saliun dhe gjithë shokët e tjerë, në homazhet e artistes sonë të madhe të popullit, Vaçe Zela. U përlota, Edi i dashur, jo vetëm nga kujtimet për atë kohë të artë të popullit shqiptar, që vërshuan e më zunë grykën deri në ngashërim, por edhe për faktin që ju pashë bashkë. Mos harro Edi, asnjëherë, se ju jeni bijtë tanë, me gjithë kontradiktat që keni. Partia, unë dhe shoku Ramiz pas meje, kanë bërë kujdes që pushteti të mos shkonte kurrë në duart e armiqve. Ata më të rrezikshmit i “dekoruam”, të tjerët i kalbëm nëpër burgje e internime e i bëmë që të mos i duhen as dreqit.
Saliu e ka ruajtur më së miri vazhdimësinë e pushtetit tonë dhe ja tani është radha jote, Edi, që je më i ri, më energjik dhe më i përgatitur për të përballuar rreziqet që i kanosen Partisë dhe atdheut tonë të dashur nga armiqtë tanë të brendshëm dhe të jashtëm. Sepse ti Edi ke pasur ca lajthitje në fillim. Je tallur me artistët dhe shkrimtarët tanë të mëdhenj dhe veprat e tyre, madje je bërë edhe me armiqtë për një kohë të shkurtër, kur ata tentuan të krijojnë atë Partinë reaksionare Kristian-Islamike, që e pe vetë si përfundoi. Sikur të kishe vazhduar në atë rrugë, sot do ishe duke lypur nëpër galeritë e botës, të të varnin ndonjë pikturë në mur, kurse shiko ç’të bëri Partia jonë, të bëri Kryeministër, të bëri dhe artist të madh, aq sa pikturove gjithë Tiranën dhe u bëre i famshëm në botë.
Prandaj mos e harro kurrë forcën e Partisë që qëndron pikërisht te njerëzit e mrekullueshëm që ajo ka edukuar nëpërmjet punës, por edhe nëpërmjet artit dhe letërsisë sonë revolucionare. Mos u shkëput kurrë nga këta njerëz. Lamtumira që ju i dhatë Vaçes ishte shumë inkurajuese për mua. Edhe Nexhmija ishte emocionuar shumë. Sepse ti nuk e merr dot me mend se çfarë ngushëllimi është për mua, i zhytur nga mesi e poshtë në llumrat e zeza të Ferrit të një gjaku të prishur që kundërmon erë, dhe i përvëluar nga mesi e lart në flakë të tmerrshme, kur shoh kolegët e mi këtu jo vetëm të vuajnë këto tmerre, por edhe të shohin se ç’bëjnë të gjallët me kujtimin dhe veprën e tyre.
Pse, si mendon ti, Edi, se në Gjermaninë e Hiterit apo Italinë e Musolinit dhe po ashtu në Poloni, Hungari, Çeki e gjetkë nuk ka pasur këngëtarë të talentuar që u kanë kënduar këngë udhëheqësve dhe lavdisë së tyre? Pa dyshim që po. Por shumica janë varrosur bashkë me ato regjime, kurse unë, kur dëgjoj këngët tona, për mua, Partinë, atdheun, socializmin dhe veprat e mëdha që ndërtuam së bashku të jehojnë nëpër televizionet dhe radiot tona (tani së fundmi ka hyrë edhe këtu interneti dhe i shoh edhe atje), nuk e ke idenë se sa inkurajohem. Shoh Hitlerin, Musolinin, Frankon, Stalinin, Brezhnjevin, Gomulkën, Kadarin të pashpresë dhe ndihem ndryshe nga ata. Kam gjithnjë e më shumë shpresa për të ardhmen.
Sepse, dua të të them edhe diçka, i dashur Edi. Dantja është një gënjeshtar i pacipë. Nuk është e vërtetë ajo që ka shkruar ai sikur në portën e Ferrit shkruhet “O ju që hyni, braktisni çdo shpresë!”. E kam parë vetë që s’kishte gjë të tillë tek ajo portë. Në fakt, herë pas here, ky i madhi që kemi këtu, bën edhe rishikime dënimesh. Dhe a e di ku bazohet? Në atë që thoni e bëni për ne ju të gjallët atje. Sepse mos kujto se Ai nuk ndikohet, siç thuhet atje. Ndikohet që ç’ke me të, sidomos nga mediat dhe intelektualët.
Prandaj, kujdes mediat dhe intelektualët Edi, mos i lësho nga duart asnjëherë, të t’i marrë armiku, kundërrevolucioni. Mbaje lart frymën revolucionare! Edhe mediat perëndimorët mos i harro, mos kurse as euro, as dollarë për këtë. Megjithëse e di se për këtë ty s’ta ha qeni shkopin. Më tepër të kam merak një gjë tjetër: kujdes, ti e di mirë që unë thosha gjithmonë “Partia”, jo “unë”, veçanërisht kur eliminoja tradhtarët e partisë. Kjo është një nga gjërat që Saliu nuk e mësoi dot kurrë. E ke edhe ti këtë defekt. Korrigjoje sa më parë. Sikundër po të thosha pra, me mediat dhe inteligjencien popullore me vete jo vetëm popullin do ta kemi gjithnjë grusht çeliku rreth Partisë, por edhe Zotin do ta bëjmë me ne.
Ja, pas fitores tënde, veçanërisht kur pa fotografinë time te Varrezat e Dëshmorëve, Ai m’i ka kursyer disa nga flakët më të tmerrshme të Ferrit – nga ato që e kanë bërë Hitlerin të pendohet që ka lindur. Më krijoi edhe mundësinë e një takimi me Maon, që e trajton shumë ndryshe pikërisht pse kinezët vazhdojnë ta adhurojnë. S’e kisha takuar ndonjëherë sa qemë gjallë. Por kishte rrjedhur fare, fliste vetëm për dashnoret, asnjë fjalë për fitoren e borgjezisë dhe humbjen e revolucionit tonë. Pra, unë, të them të drejtën, kam shumë shpresë se qëndrimi im këtu do të rishikohet, pasi ka qenë një padrejtësi e madhe ajo që u bë ndaj meje.
Keni faj edhe ju që nënvleftësuat në ato fillime forcën e Partisë e kujtuat se do të përfitonit duke e mohuar atë e duke u bashkuar me armiqtë që hodhën parullat Enver- Hitler dhe më përmbysën shtatoren në qendër të Tiranës. Sot po kujtoheni për vlerat e mia gjithnjë e më shumë. Ja, ndodhi vdekja e Vaçes dhe u kujtuat prape se – siç ua thoshte edhe Nexhmija – jam unë, ai dashamirës i madh i kulturës, artit që i kam mbështetur këta artistë që ju sot i adhuroni, që i kam ndjekur personalisht festivalet e koncertet e tyre në salla, i kam përgëzuar; jam kujdesur, së bashku me Nexhmijen, edhe për problemet e tyre familjare, për strehimin e plot e plot probleme të tjera.
Po titullin “Artist i Popullit” kush ua dha? Mendon ti se e merrnin dot ata pa kaluar në filtrat e Partisë, të Sigurimit e pa aprovimin tim? Po e mbyll këtë letër duke të porositur ta mbash Partinë bashkuar, Edi. Edhe me Ilirin, të cilit bëji shumë të fala nga ana ime dhe falënderoje që kurrë s’e ka prishur gjuhën me mua, por kërkon që figura ime të rivlerësohet, të bashkohesh sa më parë. Por ëndrra ime finale është t’ju shoh përsëri të gjithë bashkë, edhe me Saliun. Siç e pe, ajo parulla “pluralizëm i mendimit; jo pluralizëm partiak”, që hodhi Ramizi me intelektualët tanë të shquar, për t’ua hedhur imperialistëve dhe revizionistëve në ato ditë të vështira për Marksizëm-Leninizmin e vërtetë, kur u pa se nuk e mbanim dot më pushtetin me forcat tona, dështoi.
Ajo që funksionoi ishte prapë dredhia ime që ia këshillova Saliut në letrat e para që i kam dërguar që këtej: “pluralizëm partiak pa pluralizëm mendimi”. Saliu tregoi se ishte kockë e fortë, nuk e hëngri sapunin e revizionizmit për djathë. Nën udhëheqjen e tij ju vazhduat të mendoni të gjithë sipas mësimeve të Partisë dhe të miat. Sot ka ardhur
koha, siç e treguat edhe në funeralin e Vaçes, që të bashkoheni të gjithë përsëri në një parti të vetme me në krye ty.
Edi, që për hir të së vërtetës duhet të them se të kam më për zemër, se je djalë më i zgjuar dhe më me shije se Saliu, se ai ishte ca avdall. Jam i bindur se ti do të ndreqësh së shpejti edhe gabimet që janë bërë ndaj meje; dhe Zoti, duke parë këtë, do të më çlirojë nga flakët e Ferrit dhe llumi i gjakut të ndyrë, kundërmues ku më ka zhytur dhe do të më kalojë në purgator, ku unë do të jetoj me shpresën se brezat e rinj, që po edukohen nën kujdesin tuaj, do të më çojnë më në fund në Parajsë, ku një ditë do të takohemi së bashku me ty, me Saliun, Ilirin, Nexhmijen e të gjithë shokët.
Përshëndetje revolucionare, i juaji Enver”
"AURELA GAÇE: LUBONJA I LIG, S'TA KA FAJIN VAÇJA QË VUAJTE “
(Letra e hapur e Aurela Gaçes u publikua më 18 shkurt 2014 në “Gazetën Shqiptare”
Fort i nderuari, më i zgjuari i kohërave, më i lexuari, mençuria vetë, njeriu modern, opinionisti me vlera njerëzore, ti që na ndrit televizorin sa herë del e flet, ti që jep opinione mbi histori e politikë, e së fundmi na ndrite me dijet e tua edhe mbi artin, ti dora vetë, Fatos Lubonja.
Kushedi sa mirë u ndjeve me gjithë këto lëvdata ëëëë? Se ke nevojë edhe ti, ke nevojë të ndjesh se njerëzit e dinë që ti je këtu, ti jeton.... dhe gjithmonë të shoh në kundërshtim me çdo gjë që të rrethon... me historinë, me figura historike, jep mendime e opinione se sa pa vlera kanë qenë ata, e je në opozitë me politikën e me gjithçka... E unë sa herë të kam parë kështu të "grindur" kam menduar se kushedi si e ka hallin i shkreti, kushedi nuk i japin rrogën nëse nuk "grindet" për çdo gjë e për çdo njeri... kam pas menduar se luan "rolin" për të qenë në "tavë"...
Madje edhe kur të kam dëgjuar se ti nuk je kaq i vogël sa të kesh nacionalitet sepse e quan veten qytetar të botës, edhe në këtë rast kam thënë kushedi si e ka hallin.
Tani që lexova kryeveprën tënde, analizën që i bëje karrierës së Vaçe Zelës, tani mendoj se ti nuk ke më një hall. Tani mendoj se ti je shumë rëndë... ose përndryshe në gjuhën e këtij populli, ti paskërke ikur nga mendtë.
Ekziston ajo shprehja "budallait hapi rrugë", por ti nuk dukesh dhe nuk je i tillë.
Megjithëse jam një fshatare jo aq e ditur dhe e mençur sa hirësia juaj, kam lexuar pak edhe unë mbi natyrën njerëzore, kam parë edhe shumë emisione që na tregojnë se si funksionon truri i vrasësve, i atyre që përdhunojnë fëmijët dhe kemi mësuar që ata nuk kanë ndërgjegje, truri i tyre nuk funksionon si ai i njerëzve normalë. Atyre nuk u vjen keq për viktimat e tyre. E ti, megjithëse nuk ke kryer krim me armë, ti ke vrarë me fjalë aq të rënda dikë që as nuk jeton më... ke vrarë një njeri që akoma nuk ka mbushur të 40-at. Ti nuk ke bërë krim në gjaknxehtësi e sipër. Përkundrazi. Ti more kohën ta shkruaje e me vetëdije të plotë e botove... e bëre njësoj si ata që vrasin e pastaj bëjnë edhe dashuri me trupin pa jetë të viktimave. Nga çfarë kuptoj, ti më dukesh njeri shumë i vetmuar, jo i lumtur, njeri që s'ndjen gëzim për asgjë.
Meqë ti bën analizë e na tregon se merr vesh nga arti, po të them se ti nuk arrin ta kuptosh procesin, as ndjeshmërinë e dikujt që bën art. Na tregove ti se këngët e Vaçes na qenkërkan për atdheun e për partinë... pale pale, shkove deri aty sa të na tregoje se ajo nuk ka punuar me këngët, asaj thjesht i ia jepnin...
Po kënga për "Gjyshen" çfarë lidhje ka me partinë? Apo s'e kupton dot ti atë? Të ka përkëdhelur ndonjëherë gjyshja ty? Se nuk ka mundësi të dëgjosh atë interpretim e të mos kujtosh gjyshen tënde. Po kënga e nënës që pret fëmijën e saj të parë? Apo as atë s'e kupton dot... po "Mesnatë", "Natën vonë", "Për Arbërinë"? Po "Erë Pranverore", "Flakë e Bore"? Ah prit, po aty ku flitet thjesht për flirt e dashuri si "Lemza" e "Djaloshi e shiu"? Apo i bie që as këto s'i kupton dot? Po a e di ti se këto lloj notash e fjalësh, janë alla Broadway...... , alla musical? Hë? Uh më fal, kjo lloj muzike ty s'të thotë gjë. Ti në fakt je më modern se vetë ata që e kanë shpikur këtë nocion.
Përndryshe, andej nga vij unë, ti quhesh MODHERN.
Sot, atdhedashurisë i këndojnë edhe amerikanët, edhe francezët. Po ti e edukon keq brezin e ri, u thua të mos e duan atdheun se ai nuk është i mirë. Të duash vendin tënd do të thotë të duash shtëpinë tënde. Edhe ata që ti i quan "perëndimorë" kanë shumë këngë që ja kushtojnë atdhedashurisë.
Ti në fakt për të treguar se kupton muzikë, po na përmend 'Beatle's etj., etj. Por ti harron se ata artistë kishin fatin që lindën në shtete si Anglia e Amerika, e Vaçja e gjithë ai brez artistësh që ti i fshive fare, lindën në kohën kur komunizmi paralizoi e mbylli një vend të vogël që quhet Shqipëri.
Harron ti se nuk është faji i saj se lindi në atë kohë, se edhe ata artistë botërorë që përmend ti, po të kishin lindur këtu, do të dilnin në të njëjtin festival e do ta këndonin edhe ndonjë këngë për partinë.
Sipas teje, edhe aktorët e filmave e teatrove tona, gjithë skenaristët, regjisorët, kompozitorët e poetët, na qenkërkan pa vlera sepse në skenarët e këngët e tyre hera-herës paskan përmendur fjalën Parti.
Po pse nuk u largove në atë botën tjetër perëndimore kur të erdhi rasti? Të shkoje të jetoje mes njerëzve e artistëve që s'e kanë përmendur kurrë fjalën Parti e s'i paskërkan kënduar kurrë atdheut të tyre?
Po ta them unë. S'ta mban. Sepse andej nuk do të dilje dot në TV e nuk do shkruaje dot nëpër gazeta, sepse edhe ti ke nevojë të tregosh se ekziston. Dhe na e tregon me mënyrat më të shëmtuara.
Unë që të drejtohem, nuk jam e atij brezi, madje jam e një brezi që u rritëm mes rrëmujës, tranzicionit dhe normal, jemi brezi që vuajtëm mendërisht e shpirtërisht me shpresën se do të jetonim edhe ne si njerëz normalë.
Unë që të drejtohem nuk kam kënduar asnjë këngë për partinë, as nuk vij nga prindër komunistë e as të përndjekur. Unë jam rritur me dy prindër normalë, që jetojnë ndershmërisht me djersë, ashtu si shumica e popullit.
Unë që të drejtohem, jam ajo që edhe pse më janë ofruar të ardhura të majme të këndoj kohëve të fundit nëpër fushata, nuk kam pranuar, sepse kam kuptuar se sa të ndjeshëm jemi ndaj politikës, e nuk kam dashur kurrë të ngatërroj dashurinë time, muzikën me politikën. Dhe nuk kam kënduar as për parti e as për liderë, e nuk kam lëpirë sahanët e askujt, prandaj qëndroj shumë e fortë përballë teje e ligësisë tënde. Po, po, ti je i lig.
Harron ti se nuk ta ka fajin Vaçe Zela për vuajtjet e tua. Më vjen shumë keq për ata njerëz që vuajtën në atë regjim, më këputet shpirti të dëgjoj historitë e tyre të dhimbshme...
Por ti nuk përfaqëson dot as ata.
Sepse ti nuk je si ata.
Madje sa më shumë sjell në mend fytyrën tënde e sytë e tu të çakërryer nga inati që ke me botën, aq më shumë kuptoj se ti do të kishe qenë shumë i lumtur nëse do të ishe një nga oficerët e lartë të ushtrisë së Hitlerit. Të imagjinoj se me sa vullnet e përkushtim do t'i fusje nëpër furra njerëzit e pafajshëm, e ja, me imagjinatën e artistit po të shoh që sytë e tu marrin jetë, ti mbushesh me lumturi... sa më shumë shfaros racën e "keqe" njerëzore, aq më shumë ndjen se triumfon. Merre një herë foton e Hitlerit e vendose pranë vetes, dil në pasqyrë dhe mundohu të gjesh ndryshimet. Merr edhe foton e Vaçes e të kujtdo artisti e bëj të njëjtën analizë... shiko, brenda syve të artistëve ka shumë, po shumë dashuri (ndjenjë që ti nuk e njeh) .... merr e shiko sytë e tu... janë të mbushur me urrejtje e ftohtësi...
E bej këtë paralelizëm, sepse pakënaqësia jote, inati yt, ato çfarë t'i shkruan e nxjerr nga goja, më tregojnë se je i pashpirt. Më kujton një ish-oficer të ushtrisë hitleriane, që kishte shfarosur qindra njerëz, e ai me ftohtësinë më të madhe, thoshte se kishte bërë detyrën. Do thuash ti, po s'është njësoj.
Fjala vret me rëndë se plumbi. E ti përdor çdo mënyrë për të vrarë me fjalët e tua të shkruara me helm e me finesë, se helbete je i lexuar shumë zotrotë.
Nëse besojmë se ka një Zot, po ashtu e pranojmë se edhe djalli ekziston, dhe ashtu si Zoti përdor njerëz për të treguar ekzistencën e Tij, po ashtu këmba-këmbës e imiton edhe djalli, e na dërgon mes nesh vepra si puna jote.
Sa më shumë madhështi kuptove se ka figura e Vaçe Zeles, aq më shumë kuptove se askush nuk do të të qajë ty, aq më shumë kuptove se askush s'e çan kokën për ty... Nuk mundesh dot kurrë të përbaltësh figurën e saj. E kuptoj që ndihesh i eklipsuar, por tani, ky fat të ra.
Na quajte "debilë", the se na ka zënë debilizmi që ndjejmë, kuptojmë, shijojmë e këndojmë këngët e Vaçes... e di ti që tani që e mendoj, ti ke të drejtë? Sa herë unë i këndoj live ato këngë, të gjithë këndojnë në kor, edhe janë breza të ndryshëm... madje ka edhe 20-vjeçarë. E ata kanë lindur në komplet tjetër kohë me ty e me Enverin... Madje, as nuk duan t'ia dinë për komunizmin. E me sa duket, i paska zënë "debilizmi" edhe këta të rinjtë e sotëm.
Dëgjo, ti misionin tënd mbi tokë e kreve si i dërguar i djallit, na helmove sa herë munde. Mirë do të bëje ta bëje si Hitleri edhe ti, t'ia fusje vetes (se ashtu e dimë, që nuk e vranë por vrau veten )... e nëse s'ta mban me koqe plumbi, merr një litar, se thonë që ndjen edhe kënaqësi në akt e sipër.
E unë të jap fjalën se do të vij të të këndoj atë këngën e famshme të "Beatles", "Mbyte veten me litar o Dinooo".
Je modhern ti, e meriton të ta këndoj.