Këto ditë të fundit, disa studio televizive të kryeqytetit më kërkuan të jap mendimin tim, sado të pakët e të përunjur, mbi gjendjen e komunitetit shqiptar në Amerikë, meqë fati më ka hedhur të kaloj ca kohë ndër ta.

U përpoqa, me aq sa më lejon dija, të them dy fjalë mbi nevojën që ky komunitet të bëhet më i dukshëm e më i dobishëm për mëmëdhenë, duke qenë se sot pesha e tij në çështjet kombëtare duket, për fat të keq, e zbehtë.

Nga këto biseda mësova se në Tiranë qenkësh mbajtur edhe një Samit i Diasporës. Kureshtja më shtyu të hedh një sy mbi këtë ngjarje, për të parë se ç’u tha e ç’u bë. Që në fillim më zunë sytë disa “kalorës të rinj të Skënderbeut”, ca të huaj që, për hir të së vërtetës, i njoh edhe vetë. Po të ishte gjallë Skënderbeu i Parë, nuk besoj se do t’u kishte hapur as portën e Kalasë, sepse duken më fort si ata tregtarët e Venedikut që i shisnin grurë Turkut dhe kashtë trimit tonë, sesa si mbrojtës idealesh të mëmëdheut të shqipove.

Por çudia më e madhe qe paraqitja me bujë e banorit më të ri të Njësisë Administrative nr. 2 të Tiranës, zotit Eric Adams. I veshur me sqimë e i buzëqeshur gjithë kohës, dukshëm nuk merrte vesh ç’bëhej rreth tij, ai mbante mbi krye një kapë të bardhë që dukej si qeleshe. Marrja e shtetësisë shqiptare nga një ish-kryebashkiak i Nju Jorkut është, pa dyshim, një rast i vyer për zbukurim propagandistik, megjithëse arsyet e vërteta të kësaj zgjedhjeje i di më mirë ai që vë firmën mbi dekret  Presidenti ynë i Republikës.

Megjithatë, mendjes sime kurioze nuk i shpëtoi fotografia në ekranin e madh të Samitit, ku zoti Adams, tashmë shqiptar me të drejta të plota, foli dhe, kryelartë, mbante atë kapën e bardhë që ia kishin vënë në kokë. Unë po e quaj “kapë të bardhë”, pasi kurioziteti im u shty pak më tej dhe prisja që zotit Adams t’i kishin dhënë një qeleshe të trevës së Tiranës, meqenëse u bë banor i njësisë 2. Por kapa nuk më qëlloi të ishte e kësaj treve.

Për të zgjidhur këtë dilemë, mora tre akademikë në telefon, duke i pyetur nëse kishin ndonjë ide (si studiues të fushës, sigurisht) se cilës trevë i përkiste “kapa e bardhë”, e quajtur nga komentuesit si qeleshe. Mendova se zoti Adams do të kishte përzgjedhur veriun, ndoshta nga njohjet që ka në New York. Studiuesit më thanë se kjo “qeleshe” nuk ka asnjë lidhje me veriun. Jugun e njoh paksa dhe isha i sigurt se kapa e bardhë në kokën e zotit Adams nuk kishte lidhje me labët apo toskët e jugut. U thashë se, me siguri, mund të ishte nga Ulqini, pasi ulqinakët kanë ca lidhje të vjetra me vendorigjinën e zotit Adams. “Jo”, më thanë, “nuk i japim dot përgjigje, sepse nuk ka lidhje me asnjë trevë tonën.”

I çuditur, nuk e besova dhe mora edhe më të diturin e Institutit të Etnografisë. Pasi i shpjegova hallin, m’u përgjigj: “Auron, mos u lodh kot. Nuk e gjen dot gjëkundi. Një lloj përqasjeje, po të kishte disa tipare ndryshe, mund të thosha se vinte nga disa fshatra midis Opojës dhe Tetovës, por mund të them me përgjegjësi se është jashtë çdo lloj tipologjie shqiptare. Kjo është thjesht një sajesë e personave në institucione që nuk kanë asnjë ide për rëndësinë e madhe të tipologjisë së qelesheve ndër shekuj, si një identifikues i trevave shqiptare.”

Pra, banori më i ri i njësisë 2 të Tiranës, i cili u prezantua me bujë e pompozitet si një shqiptar i së ardhmes, mbante në krye një “qeleshe” që nuk kishte asnjë lidhje me asnjë prej trevave shqiptare.

Qeleshja e zotit Adams, mu në mes të Samitit të Diasporës, në fakt tregon kryekëput dëshpërimin e thellë që ka kapluar shoqërinë shqiptare, e cila edhe në raste të tilla kaq domethënëse, me efekt publik ndërkombëtar, administrohet dhe menaxhohet nga injorantë. Injorantë të cilët, me një telefon në një institucion shtetëror si ai i Etnografisë, do të kishin përzgjedhur një simbol kombëtar të trashëgimisë kulturore që me të vërtetë do t’i shkonte kësaj ceremonie dhe te mos turperonte Nishanet Kombetare.

Për të mos u zgjatur shumë, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shpresojmë se z. Gonxhe, Ai i Ministrisë së Kulturës sonë të mos e dërgojë këtë “qeleshe” të zotit Adams,  në UNESCO si pjesë e trashëgimisë sonë, pasi  atëherë do të rrezikonim të na mungonte jo vetëm qeleshja e shqiptare , por edhe mendja për ta mbajtur mbi krye.