Shkodranët, mjeshtrit e humorit, më kanë treguar një histori e cila me shumë gjasë është e vërtetë. Pas vitit 1997, qeveria e kohës vendosi të rifillojë lëvizjen e trenave (çfarë kishte shpëtuar nga katrahura) dhe nisi një lokomotivë me disa vagona nga Tirana për në Shkodër. Pas dy ditësh që treni ishte nisur, makinisti, i cili në këmbë kishte bredhur për të gjetur një telefon, raportoi se ishte ende në dalje të Lezhës.

“Pse nuk vazhdon për Shkodër?” – e kishte pyetur drejtori i kohës.

“Ku të shkoj?” – ishte përgjigjur ai. “Këtu e paskan marrë të gjithë hekurudhën.”

Kjo histori më erdhi ndër mend kur po kaloja në Janar në rrugën drejt Korçës. Atje ku sot ka rrëshqitur e gjithë traseja e rrugës, mund të shohësh se bashkë me rrugën ka ikur edhe hekurudha. Jo vetëm kaq: nëse vazhdon rrugën drejt Prrenjasit, sheh pjesë të tjera të dëmtuara apo të braktisura. Madje disa nga tunelet i kanë prishur kompanitë që po ndërtojnë rrugën.

Në Luftën e Parë Botërore, Shqipëria kishte një rrjet hekurudhor nga veriu deri në afërsi të jugut. I ndërtuar nga ushtritë ndërluftuese për qëllime ushtarake, ai fillonte nga Shkodra drejt Shqipërisë së Mesme, duke u ndarë në një degë drejt Tiranës dhe një tjetër përgjatë bregut të Shkumbinit deri në Elbasan. Nëpërmjet kësaj hekurudhe u realizua edhe vizita e famshme e Arqidukës Maksimilian, trashëgimtar i fronit austro-hungarez, në Tiranë, Durrës, Kavajë e deri në Peqin, e dokumentuar me fotografi të kohës.

Ndërkohë, italianët, për qëllimet e tyre ushtarake, ndërtuan hekurudhën (dekovilin) nga Vlora drejt Selenicës dhe më pas drejt Fierit.

Me largimin e ushtrive, hekurudha i mbeti Shqipërisë dhe në segmente të ndryshme u përdor për nevoja lokale, diku me qerre e diku me karroca me kuaj. Por shumë shpejt, udha e hekurit, e ndërtuar nga inxhinierët më të mirë ushtarakë të kohës, u shkul nga banorët përgjatë saj dhe u përdor për nevojat e tyre: kush për pjergulla, kush për trarë e kush për hardhi. Kështu, në një kohë rekord, shqiptarët e asaj kohe mundën të zhduknin pa lënë gjurmë gjithë rrjetin hekurudhor Shkodër-Tiranë-Elbasan dhe atë Fier-Vlorë.

Pas Luftës së Dytë Botërore, qeveria komuniste u përpoq shumë për të rifilluar hekurudhën, duke përdorur të njëjtin kontur gjeografik si ai i ndërtuar nga italianët dhe austro-hungarezët. Me punë vullnetare dhe me një propagandë të madhe, dalëngadalë hekurudha u shtrua në të njëjtën trase si ajo e dikurshmja. E përdorur gjerësisht për transportin e popullsisë dhe më vonë për nevojat e industrisë së rëndë, udha e hekurit ishte funksionale deri në rënien e komunizmit.

Pas vitit 1992 u braktis dhe shumë pak njerëz  dinë për ekzistencën e saj. Sot hekurudha është jashtë funksionit në pjesën më të madhe  dhe, çuditërisht, në segmentin Elbasan-Guri i Kuq është totalisht e braktisur dhe vende-vende, edhe e dëmtuar. Një pjesë e harruar, një pjesë e dëmtuar nga kompanitë që punojnë për rrugën. Asnjë përpjekje për ta ruajtur qoftë edhe si simbol historik i një kohe të shkuar, kur hekurudhat ndërtoheshin nga të rinjtë shqiptarë vullnetarisht. Edhe pse ndoshta e panevojshme sot, ajo fare mirë mund të kthehej në një atraksion turistik e historik për të treguar një nga periudhat më domethënëse të vendit. Ndoshta problemi ynë me hekurudhat nuk ka qenë kurrë vetëm ekonomik apo teknik. Ato i jane ndërtuar disa herë dhe po aq herë i kemi lënë të shkatërrohen. Të përdorura për luftë, për propagandë, për transport, por rrallëherë  jo si pasuri të përbashkët që duhet ruajtur. Sikur hekurudha, që lidh qytete e njerëz, të na ketë bezdisur gjithmonë, sepse  Udha e Hekurit kërkon rregull, disiplinë dhe mirëmbajtje afatgjatë. Dhe kështu, në mënyrë simbolike, sa herë ndryshon koha apo pushteti, ne i prishim përsëri. Jo vetëm shinat prej hekuri, por edhe vetë idenë e vazhdimësisë.