Auron Tare kundër Berishës:
Po fal 99 monumente

Auron Tare kundër Berishës: <br />Po fal 99 monumente
Ish-drejtori i Parkut të Butrintit dhe studiuesi auron tare kundërshton me forcë dorëzimin pa kushte të monumenteve të Shqipërisë. Ai thotë se kjo është shenjë e një falimentimi të rëndë dhe po jepen për sevap trashëgiminë e shqiptarëve.

Një pjesë e madhe e monumenteve të trashëgimisë kulturore në pronesi të shtetit, flitet se do të jepen me koncesion për biznesin. Cili është mendimi tuaj për këtë nismë?
E para shteti nuk është pronar i Monumenteve të Kulturës së shqiptarëve por thjesht administrator i tyre. I takon qytetarëve të vendosin nëse monumentet e tyre duhen të shiten apo jo. Deri më tani më rezulton se shumica dërrmuese e shqiptarëve që flasim, shkruajnë apo shprehin interesin e tyre për këtë çështje nëpër blogje sociale e quajnë këtë nismë si një hap të marrësh, që tregon se Shteti i Shqiptarëve jo vetëm ka falimentuar në ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore por tashmë ky Shtet akoma pa mbushur mirë 100 vjet është marrosur fare.

Për mua kjo është një nismë shume e nxituar, shumë radikale dhe që mban shumë erë. Po jap një shembull, Ministri i Kulturës besoj se ka dijeni që arkitekti pretendues i Projektit të Kalasë së Lezhës nuk është autori i vërtetë i këtij Projekti por ka firmosur një Projekt të hartuar nga njerëz të tjerë. Perse kjo fshehje gjurmësh në një Projekt që kërkon të kontrollojë një prej Kalave unikale në Ballkan? Pra që në fillim të një hapi të tillë kemi shumë mjegull që e rrethon këtë Projekt të Qeverisë.

E dyta ky Projekt nuk ka lindur si rezultat i një studimi të thellë me ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë me debate me grupe të interesit apo debate publike. Ky projekt ka lindur thjeshtë si rezultat i presionit të biznesit, i cili kërkon të kryeje biznes në Monumentet e Trashëgimisë Kombëtare. Personalisht nuk e shikoj këtë kërkesë të biznesit në mënyrë negative. Përkundrazi mendoj se një bashkëpunim i biznesit me kulturën është më se i dobishëm. Problemi qëndron në faktin se Ministria jonë e Kulturës është totalisht e paaftë të manaxhojë Trashëgiminë Kombëtare dhe kërkon tani ti hyjë një aventure, për të cilën është e pa përgatitur. Besoj se publiku shqiptar e pa Këshilltarin e Ministrit Z. Derraj të fliste për këtë çështje. Ju e patë se në çfarë mënyre jo profesioniste dhe diletante Ministria e Kulturës nëpërmjet Z. Derraj e prezantonte këtë ide. Është e frikshme të mendosh se këta njerëz kanë në dorë fatin e Trashëgimisë sonë Kulturore, e cila është nxjerrë në rrugë për sevap.

Koncesioni parashikohet se mund të zgjasë edhe deri në 99 vjet. Sipas jush, është i përshtatshëm ky afat kohor?
Absolutisht jo. Problemi i shtruar në këtë mënyrë është shumë i paqartë, i pa zhvilluar dhe jo profesional. Përse 99 dhe jo 999 përshembull? E para për një hap kaq shumë të rëndësishëm duhet një debat i gjerë nga të gjithë grupet e interesit dhe një shpjegim per publikun e gjerë i cili preket nga kjo nismë. Ministria e Kulturës nuk është pronare e Monumenteve të Kulturës së Shqiptarëve. Sot është Ministër Bumçi nesër vjen një tjetër. A mundet Ministria t’i përgjigjet pyetjes se përse kërkon t’i japë Monumentet e Kulturës me qira në një periudhe kohore kaq të gjatë? Bazuar në cilin ligj dhe në cilën logjikë profesionale? E dyta Ministria e Kulturës nuk jep asnjë shpjegim mbi kriteret që duhen të kenë kompanitë e interesuara për marrjen e këtyre Monumenteve me qira. Fjala vjen a mundet një Kompani malazeze të marrë me konçesion Kalanë e Shkodrës? Po një kompani Greke a mundet të marrë me konçesion Kalanë e Gjirokastrës? Po një kompani Serbe a mundet të marrë me koncesion Lezhën apo Kalanë e Durrësit? Në cilat kritere ndërkombëtare bazohet restaurimi, konservimi dhe manaxhimi i këtyre monumenteve dhe cilat kritere përmbushin këto biznese për të operuar në këtë fushë? Të hapësh një farmaci duhet një farmacist, të hapesh një klinike private duhet një doktor, të tregëtosh mish duhet licencë për masat higjenike... Po të marrësh një kala në pronësi për 99 vjet çfarë duhet? Po interpetimin kulturor të këtyre Monumenteve kush e bën? Për të ilustruar këtë pikë po citoj këtu pjesë nga broshura e një Kompanie Kruazierash Qipriote, që ndalon edhe në Sarandë dhe ju ofron pasagjereve të saj një vizitë në Lëkurs. “Lëkursi është një Manastir i fortifikuar i ndërtuar në shekullin e XVI. Emri vjen nga greqishtja e përkthehet një vend i ndriçuar” Kur e pyetëm Kompaninë mbi tekstin e kësaj broshure na u përgjigjën se ky tekst ju ishte dhënë nga pronarët e Kalasë dhe agjencia turistike e familjes Angjeli që organizon vizitat. Pra Biznesi është në punë të tij dhe kërkon që turistët qipriotë të vijnë në një vend me afinitet helenistik. Po Ministria e Kulturës ku është? A ka kjo Ministri që ka dhënë këtë Monument me konçension një interpretim zyrtar të këtij Monumenti? Po qendrat e tjera të Trashëgimisë? A janë këto Qendra të interpretuara në mënyrë korrekte nga Ministria e Kulturës. Mua më rezulton që nuk janë të interpretuara fare. Shikoni se çfarë hendeku ka nga realiteti shqiptare dhe ideja e propozuar.

A keni dijeni se cilat objekte mund të jenë përfshirë në listë? A mund të ketë dëmtime të objekteve, të cilat do të jenë pjesë e kësaj nisme?
Personalisht nuk kam asnjë ide se cilat Monumente janë nxjerrë për shitje por Trashëgimia Kulturore është shumë e rëndësishme për tu ruajtuar, cilatdo monumente të jenë. Transformimi pa një studim të mirëfilltë arkeologjik dhe historik do të sillte humbje të pa zëvendësueshme. Përsa i përket menaxhimit të qendrave historike Shqipëria deri më tani nuk ka një model suksesi ku të mbështetet për ta zbatuar në monumente të tjera.

Kjo eksperiencë që po tentohet të vihet në jetë, i rivitalizon këto Qendra kulturore dhe historike?
Personalisht mendoj se pretendimi i rivitalizimit të qendrave historike dhe monumenteve në këtë mënyrë është i pa mundur. Kam qenë dhe jam me mendimin që Trashëgimia jonë kombëtare duhet të jetë një prej fushave ku biznesi të jetë i përfshirë fuqimisht. Vetëm në këtë mënyrë këto monumente do të jenë pjesë e asaj që quhet Turizëm Kulturor. Por dorëzimi i monumenteve tek biznesi me justifikimin se Shteti nuk ka para t’i mbajë këto Monumente është një ide shumë e rrezikshme. Ky është një falimentim total i përgjegjësive shtetërore ndaj Trashëgimisë. Personalisht nëse do hidhja në publik këtë ide do ta hidhja si një ftese për biznesin për t’u përfshirë në rimëkëmbjen e Trashëgimisë Kombëtare, pasi jam i bindur se ka biznesmen shumë të ndjeshëm ndaj kësaj Trashëgimie.
Pra unë do ta ftoja biznesin të ishte aleat dhe partner por kurrsesi nuk do të dorëzoja Trashegiminë Kombëtare në duart e biznesit. Ide të tilla deri më tani kanë rezultuar shumë të dëmshme për Trashëgiminë. Po e ilustroj këtë mendim me fakte. Në 2005 kur Ministër i Kulturës erdhi një ish- Doganier gjëja e parë që bëri ishte dhënie e restaurimeve të Monumenteve të Kulturës miqve të tij nëpërmjet tenderave. Në këtë mënyrë specialistët e restaurimeve pranë Monumenteve u larguan nga puna pasi restaurimet i bënin miqtë e Doganierit nëpërmjet tenderave të fituara. Nëse publikut i kujtohet debati në media disa vite më parë Doganieri i Kulturës i dha tenderin për restaurime në Butrint një firme nga Tragjasi i Vlorës dhe nëpërmjet këtij bashkëpunimi u ngrit Harku i famshëm prej Betoni. Doganieri eksperimentoi edhe më tej. Në Butrint me ndihmën e Unesco-s, Bankës Botërore dhe Federatës Ndërkombëtare të Rangers ishte ngritur një forcë prej 6 vetësh, të cilët ishin trajnuar pajisur dhe paguar nga këto institucione për ruatjen dhe mbrojtjen e Parkut. Me rritjen e të ardhurave ky sistem u fut në planet e vetëfinancimit. Doganieri ruajtjet e Monumenteve të Kulturës i bëri me tender dhe kështu sistemi më modern që ishte ngritur në Butrint u shkatërruar ashtu siç u shkatërrua edhe në vende të tjera. Ministri që pasoi deklaroi me bujë investimet që bëri Ministria e tij në restaurimet e një sërë monumentesh në Gjirokastër. Të bëra pa asnjë plan dhe pa asnjë logjikë afatgjate këto investime sigurisht kanë falimentuar totalisht. Sot janë një shembull i qartë i pa aftësisë manaxheriale të atyre që bëjnë projekte vetëm për të përfituar nga tenderat dhe jo për të ruajtur Trashëgiminë. Ky Projekt që është hedhur tashmë në treg nga Ministria e Kulturës është në vazhdën e nismave për të mbështetur interesa individësh dhe jo interesat e publikut të gjerë.

Do të mundet shteti shqiptar që të ketë mekanizma të mirëorganizuar që të frenojë prishjen e monumenteve nga biznesmenët?
Nuk mendoj se biznesi duhet parë si armik. Përkundrazi eksperienca ime më ka mësuar se biznesi mund të jetë një aleat shumë i rëndësishëm në mbrotjen e Trashëgimisë. Problemi nuk është biznesi por idetë dhe standartet që Ministria e Kulturës kërkon te imponoje. Realiteti shqiptar nuk lejon vend për dyshime. Sistemi i ruajtjes së Trashëgimisë Kombëtare nuk funksionon. Asnjë institucion në vartësi i Ministrisë nuk funksionon. Ka një listë të pafund Monumentesh që shkatërrohen çdo vit dhe askush nuk vë ujin në zjarr. Personalisht kam denoncuar pranë Drejtorit të Trashëgimisë Kultorore, arkeologut Lafe një seri dëmtimesh të Trashëgimisë Kulturore dhe zotëria në fjalë as që ka vënë ujin në zjarr. Vazhdon me retorikën e zakonshme dhe me fjalimet neper konferenca ndërkombëtare. I kam denoncuar vjedhjen galopante të biletave në Parkun e Butrintit nga ish-Drejtori i mëparshëm, i kam denoncuar dëmtimin e Gurores Antike të Butrintit nga firma që bënte punimet e rrugës, i kam denoncuar shkatërrimin e Tempullit antik në Metoq, dëmtimet në Manastirin e Mesopotamit, shkatërrimin e Tumave prehistorike të Bajkaj, dëmtimet e mëdha të rrugës brenda zonës së mbrojtur nga Unesco në Butrint, ndërtimin e një ferme gjigande peshku në zonën e Shpallur Ramsar në Parkun e Butrintit, vjedhjen për skarp të anijes së mbytur të Luftës së Parë Botërore Intrepido në Vlore, i kam denoncuar lënien në mëshirën e fatit të objekteve të zbuluara nga ekspeditat arkeologjike si në Bylis apo në rrugën Levan-Tepelenë ku edhe sot këto objekte i kanë restorantet anës rrugës i kam denoncuar shkatërrimin e shtëpive historike në Sarande nga ish-bashkiaku Gjoka. Deri më tani më rezulton se Drejtori i Trashëgimisë dhe Ministria e Kulturës nuk ka bërë asgjë për të ndaluar këto shkatërrime. I vetmi person që ka reaguar ndaj këtyre denoncimeve është Ministri Olldashi, i cili ka pezulluar punimet në disa raste duke i kërkuar Ministrisë së Kulturës Projektet apo studimet, të cilat nuk ekzistonin. Ky fakt flet vetë se sa e aftë është Ministria e Kulturës për të mbrojtur Trashëgiminë Kombëtare.

Njihen jashtë vendit eksperienca të tilla të ngjashme?
Dorëzim të Trashëgimisë Kombëtare jo nuk ka. Nuk ka asnjë shtet në botë, i cili të ketë falimentuar deri në këtë situate dhe të japë Monumentet e Kulturës për sevap. Në shumë shtete normale të Europës ka bashkëpunim midis biznesit dhe shtetit mbi përdorimin e një kategorie të caktuar Monumentesh. Por këto shtete kanë të gjitha mekanizmat Ligjore dhe institucionale për të ushtruar një kontroll sa më të rreptë në ruajtjen e standardeve të restaurimit, prezantimit, menaxhimit etj. Pra shteti dhe biznesi janë partnerë në rivitalizimin e monumenteve dhe menaxhimin e tyre. Personalisht unë do të isha shumë i interesuar nëse Kalaja e Lezhës do të rivitalizohej apo Kalaja e Ndroqit të kthehej në një pikë të vizitueshme. Që monumentet e Trashëgimisë kudo në zona të humbura të rikthehen në jetë. Por kjo ide do një Projekt të madh kombëtar me specialistë të të gjitha fushave, me debate dhe sugjerime konkrete ku përcaktohen qartë përgjegjësitë e çdo pale si dhe monitorimi shumë i rreptë i këtyre standardeve. Pasi hartohet një projekt i qartë për të gjitha Monumentet e Trashëgimisë, biznesi i ka dyert e hapura për tu bërë pjesë e kësaj Strategjie Kombëtare. Krijimi i një sërë Muzeumesh, krijimi i modelit të Paradoreve Spanjolle krijimi i qendrave të vizitueshme, krijimi i sistemit të guidave private, dhënie me koncesion biznesit disa shërbime brenda zonave monumentale, etj, etj pra ka shumë forma. Monumentet nuk mund të dorëzohen pa asnjë kontroll dhe monitorim nga Shteti. Shembulli i atyre modeleve që janë eksperimentuar deri më sot tregon se sistemi qe kemi nuk funksionon dhe për këtë mban përgjegjësi Ministria e Kulturës.

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

 Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset

Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset