Auron Tare: Në Butrint
jo 1500 spektatorëve!

Auron Tare: Në Butrint<br />jo 1500 spektatorëve!
TIRANE - Edicioni i 12-të festivalit të Butrintit, edhe pas një jave të përfundimit të tij bëhet pjesë e kritikave dhe debateve. Këtë vit festivali ishte më i kufizuar për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm, siç është shprehur edhe drejtori i këtij festivali Alfred Bualoti. Artistët pjesëmarrës shprehen se gjatë zhvillimit të këtij festivali në teatrin antik ka pasur një shikueshmëri të lartë. Madje aktori i njohur Neritan Liçaj shprehet se “Shfaqje këtë vit kishte më pak, sepse edhe buxheti ishte i reduktuar, por trupat ishin prestigjioze dhe kishte shfaqje të mira.

Amfiteatri mbushet përditë me 1500 vetë, ku vijnë shikues nga Saranda nga fshatrat përreth”. Për aktorin Liçaj kjo është një shenjë e mirë në perspektivën e zhvillimit të teatrit shqiptar, sepse ai sheh se dëshira e shqiptarëve për të ndjekur shfaqjet nuk mungon. “Ka një tendencë të mirë kohët e fundit që publiku po afrohet pranë teatrit dhe operës”, thotë Neritan Liçaj, ndërsa shton se “duhet investuar që në këto momente që ne konstatojmë se publiku kërkon teatër”.

Mirëpo shtimi i numrit të spektatorëve deri në 1500 vetë është një shenjë e mirë për artin, por nga ana tjetër sjell dëme në trashëgiminë kulturore, sipas anëtarit të Forumit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, Auron Tare. Ai rrëfen se megjithëse trupat që aktrojnë janë prestigjioze dhe amfiteatri mbushet përditë me 1500 vetë, kjo ka pasoja shkatërruese për teatrin antik. Tare thotë se: “Teatri i Butrintit është problem për mua, ku unë do të bëjë një emision vetëm për këtë çështje, sepse është një çështje e rëndësishme që duhet diskutuar”.

Ai shprehet se “duke hequr mënjanë pjesën artistike, sepse nuk jam specialist i fushës, kam qenë pjesë  krijimit të festivalit të Butrintit dhe mendoj se është një nga gjërat më të bukura që është bërë, por ka një problem shumë të madh me pjesëmarrjen e 1000-1500 vetave në teatër”.
 
SI E DËMTOJNË BUTRINTIN TRUPAT TEATRORE
 
Auron Tare shprehet se teatri antik ka një kriter tjetër për mirëpritjen e spektatorëve dhe mban vetëm 400 veta. Ai konstaton se nuk ka më kritere ruajtëse për Monumentin e Kulturës dhe sipas tij “prej tetë vjetësh dhe për hir të popullaritet hapen dyert dhe ulen aty, ndërsa teatri është i brishtë, sepse është zbuluar që në 1928-n nga Ugolini dhe nuk është restauruar asnjëherë”. Tare thotë se “Për dhjetë vjet nga njëqind milionë lekë (një milionë dollarë) që janë investuar, nuk është vënë asnjë tullë në Teatrin e Butrintit.

Në Greqi e Turqi bëhen festivale, por bëhen në teatro të restauruara dhe nuk përdoren në këtë mënyrë. Shkon pjesëmarrësi i festivalit dhe iu fut edhe gozhda mureve. Unë vetë i fotografova ata që kishin ardhur me trupën rumune, që po ngulnin gozhdën te muri për të varur rrobat se nuk kishin kremastarë. Po ka edhe me keq, kam parë sesi tre kamionë i fusin brenda në Butrint, ngjitur me teatrin antik. Në asnjë vend të botës së qytetëruar nuk lejohen këto gjëra dhe organizatorët po bëjnë një krim me menaxhimin e shfaqjeve me teatrin e Butrintit”.

Tare nuk merr përsipër të flas për pjesët skenike, por ka një ide tjetër për menaxhimin e teatrit dhe thotë se “nuk mund të jetë një teatër i tillë, privat. Shteti të bëjë përpjekjet për statusin e tij; nëse je teatër privat gjeji ti financat, por nëse unë të jap paratë dhe të jap dhe teatrin e ti nuk bënë asgjë, nuk jep asgjë pwr mirëmbajtjen e tij, unë s’kam si të ndihmojë”.

Tare thotë se tashmë “po del moda e shfrytëzimit të teatrove antikë me aktivitete që bëhen mbi monumentet dhe këto po dëmtohen, sepse Instituti i Monumenteve të Kulturës është inekzistent. Teatri i Butrintit vetëm 400 veta mban, si mund të futen atje 1500 vetë”, shprehet Tare duke ngarkuar me përgjegjësi për këtë edhe menaxherët e festivalit të Butrintit.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Morën votëbesimin në parlament, dy ministrat e rinj Vengu dhe Hoxha bisedojnë me njëri-tjetrin

Morën votëbesimin në parlament, dy ministrat e rinj Vengu dhe Hoxha bisedojnë me njëri-tjetrin