Sot, në kalendarin e kombeve që mbajnë mend, shënohet 24 Maji. Si sot, në atë Përmet që dikur nxirrte njerëz të mësuar e me shije, u mblodh më 1944 një Kongres. Aty u vendos, për mirë a për keq, fati i Shqipërisë së pasluftës. Dhe që të mos thonë se ishte thjesht një mbledhje katundarësh me armë, rëndësinë e asaj dite e vulosi prania e Aleances së madhe, zotërinjtë McLean i Anglisë, Tom Stefan i Amerikës dhe një major Ivanov i Rusisë ishin aty, dëshmitarë se gjeopolitika kishte zgjedhur partizanët e Enver Hoxhës si ortakë. Ky është një fakt dhe historisë mund t'i bësh gjyq me vone por nuk e ndryshon dot.

Në këtë shënim të shkurtër nuk kam ndërmend të mbaj fjalime akademike mbi Kongresin. Ajo që më shtyn të marr penën është një sëmundje tjetër, tipike jona, arti i shkëlqyer i harresës dhe dhuntia e rrallë për të braktisur çdo gjë që ka vlerë historike.

U ndodha para një jave në Përmet. Isha duke shoqëruar një mikeshe te vjeter shkrimtare amerikane, një grua e lexuar që perpos shume librave ka harxhuar kohën per te shkruar edhe per periudhen e Ali Pashës. Me naivitetin e një të huaji që beson se ne e çmojmë të kaluarën, m'u lut të vizitonim gjurmët e atij Kongresi të famshëm.

Salla ku u vendos fati i vendit dhe ku qendruan diplomacia e huaj, ishte mbyllur me një dry të ndryshkur ballkanik. Brenda, përmes xhamave të pluhurosur, dalloheshin ca stenda të dala boje, ca bango që lëngonin dhe merimanga që bënin punën e tyre në qetësi, pasi shteti ka kohë që nuk bën asnjë punë aty. Salla vete, e mbytur mes pallatesh pa shije, mezi dukej.

Më tej, godina prej guri ku strehoheshin misionet britanike dhe amerikane kishte mbetur pa çati. Ajo pret me dinjitet shembjen e plotë, e dorëzuar para kohës dhe rrebesheve. Ndërsa kazermat italiane, ku dikur rreshtoheshin repartet partizane, sot po rrethohen me tela e po gllabërohen nga ndërtimesh private.

Mikesha ime amerikane, me atë edukatën e saj perëndimore që nuk ia lejonte të qeshte me marrëzinë tonë, shikonte me një trishtim të thellë. Si mundet një popull t’i trajtojë monumentet e veta me këtë shpërfillje prej nomadi?

Natyrisht, faji nuk është se nuk ka para. Paratë ekzistojnë, por ato duhen prishur me "mendje". Ndërsa historia kalbet, parate tona perdoren per "narrativa" të reja, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me shpirtin e vendit. Pasi ngritën ca kioska të shtrenjta buzë Vjosës të cilat po i kalb lagështia kanë mbjellë tani në oborrin e shkollës, mu në krah të Gurit të Qytetit, një godinë të shëmtuar e të pakuptimtë. Na thonë se do të jetë një "Qendër Multifunksionale Informacioni" ( me restorant brenda sigurisht)

Çfarë mrekullie! Përmeti ka një Qendër të tillë në mes të qytetit. Pse duhej kjo e reja, që i bën hije edhe vetë Gurit të famshëm? Askush nuk e di, por zyrtarët tanë kanë nevojë të shpenzojnë fonde që të duken se punojnë, anipse punojnë mbrapsht. Sikur ato para dhe te tjera per ahenge pa kuptim të bëra rrush e kumbulla të ishin përdorur për të restauruar godinat e Kongresit, Përmeti do të kishte sot një muzeum historik me narrative të rangut europian.

Do të gjendet ndonjë kritik mendjelehtë që do të thotë: "Po kush pyet për ngjarje të komunizmit?!" Nuk kane faj kur vete ata qe kane ne dore shperdorimin e parave mendojne njesoj, por qe nuk kuptojne se vizitori vendas apo i huaj nuk vjen të votojë në Përmet, ai vjen të shohë histori.

Shihni çfarë bëri një italian mendjehollë, zoti Carlo, në mes të Tiranës. Mori dy tunele të errëta betoni të cilat shqiptarët i shikonin me percmim dhe përbuzje e i ktheu ato në atraksionet më të vizituara të kryeqytetit. Sot, turistët e huaj presin në radhë për të hyrë në ato tunele. Nëse dikush kërkon të shikojë statistikat mund të mësoje se Tynelet e Z Carlo janë vendet më të vizituara se çdo Muze ne Tirane.

E pra atë që bëri italiani Carlo me dy gropa betoni në Tiranë, nuk e bëjnë dot zyrtarët tanë me një faqe të tërë të historisë në Përmet. Por, siç kam thënë edhe herë të tjera, Shqipëria është një vend i bekuar, që fatkeqësisht popullohet nga njerëz që bëjnë çmos ta mallkojnë me duart e tyre.