Pa hyrë në Përmet, një tufë e stërmadhe bagëtish kishte bllokuar rrugën. Deshtë e mëdhenj me brirë madhështorë dhe cjepër krenarë me mjekra si patriarke, prinin tufën.
Këmborët dëgjoheshin deri përtej bregut tjetër të Vjosës. Tufa gjarpëruese mori disa minuta që të kalonte.
Pas saj ecnin qentë e medhej dhe barinjtë që tërhiqnin kuajt e ngarkuar me plaçka.
Ndalova dhe pyeta njërin prej barinjve që printe tufën.
Nga ju kemi?
Nga Konispoli - më tha.
Ku shkoni?
Në Gramoz – u pergjigj dhe u kthye nga tufa duke fishkellyer. Pastaj teksa priste që cjepërit e mëdhenj, si mëza, të hapnin rrugën, bariu më vështroi dhe pyeti
Mos je gjë drejtori i Butrintit ti?
Ish-drejtori i thashë me të qeshur.
Bëmë pak muhabet dhe dolëm të njohur. Ndërkohë, barinjtë e tjerë u afruan dhe nisën të flisnin për hallet e tyre me atë qetësi të sertë që kanë njerëzit e maleve, të cilët ankohen pak, por vuajnë shumë.
Këta barinj janë një prej tufave më të mëdha në Konispol që ende ruajnë traditën shekullore të shtegtimit të dhënëve nga ultësirat e Butrintit drejt lëndinave të Gramozit. Shtegtimi i tyre duhet të ketë nisur që në epokat antike, shume me përpara se grekët e lashtë të kalonin lumin e Akeronit që shtrihet në këmbët e Konispolit.
Vite më parë, në shtegun e Lofatës një prej shtigjeve ku barinjtë e zonës së Butrintit sillnin tufat e tyre, u kisha treguar atyre një pikturë të Edward Lear-it, të gjetur në Harvard, ku piktori anglez kishte hedhur në telajo ndoshta stërgjyshërit e këtyre barinjve të Konispolit. I pyeta ne se e mbanin mend dhe kujtuam kohen kur sillnin tufen ne fushat e Butrintit.
Aty në rrugë, pasi shtegu u hap dhe makinat kaluan, barinjtë ne kembe po më flisnin.
Kemi mbetur shumë pak- më tregonin. Ndoshta edhe një tufë tjetër pas nesh do të vijë në Gramoz. Dikur lugina e Vjosës zbardhte nga tufat që vinin nga ultësirat drejt Gramozit. Sot… jemi shume pak.
Ndonjë ndihmë keni? i pyeta.
Nga kush? më panë të çuditur.
Po ju jeni edhe në UNESCO tani - u thashë. Si “nga kush”? Juve ju mbron Ministria e Kulturës.
Në fillim hezituan. Dukej qartë se këto emra të mëdhenj nuk kishin hyrë kurrë në jetën e tyre. Pastaj ja krisën të qeshurës.
Po pse tallesh me ne, o drejtor? më tha bariu i parë.
Ç’mbrojtje zeza? Ne mezi mbrohemi nga ujqërit, ti thua UNESCO.
Shumë shkurt u shpjegova se “Shtegtimi i Tufave” ishte shpallur nga UNESCO si Pasuri Botërore. Ministria e Kulturës kishte çuar edhe një delegacion në mes të Parisit për fotografi dhe premtime se kjo traditë mijëravjeçare do të ruhej.
Nejse. E gjitha kjo sa për të bërë pak muhabet me barinjtë e Konispolit, të cilët, të çuditur nga ato që u thashë, më dhanë dorën dhe nxituan pas kopesë.
Riti i shtegtimit, në fakt një traditë drejt shuarjes në Europë, mbahet ende gjallë nga komunitetet baritore në Italinë e Jugut, në rajonet baske, në Greqinë e Veriut, në Shqipëri, në Francë dhe në disa vende të Afrikës Veriore.
Rëndësia e këtij shtegtimi është kaq themelore në zhvillimin e njerëzimit, sa për të janë shkruar qindra libra. Barinjtë dhe tufat antike janë pararendësit e inxhinierëve romakë, të cilët, duke ndjekur pikërisht shtigjet e shtegtimit, projektuan rrugët e famshme të Perandorisë Romake.
Shtegtimi i tufave nga ultësirat drejt kullotave të Maqedonisë antike ishte pararendësja e rrugës më të famshme antike, Via Egnatia, e cila më vonë do të lidhte Romën me Kostandinopojën e, prej aty, me Jerusalemin.
Vendpushimet e tufave pranë lumenjve u kthyen në kampe ku ushtritë romake fushonin gjatë marshimeve. Më vonë ato u shndërruan në stacione ndërrimi kuajsh dhe, më pas, shumë prej tyre në qytezat e sotme.
Tufat antike dhe komunitetet baritore që shtegtonin me ritet e tyre të nderimit të natyrës sollën festa, ngjyra dhe tradita që lidhen me Panin, më pas me Dionisin, Dianen e më vonë me Bakun.
Ruajtja e kësaj tradite është kaq e rëndësishme për njerëzimin, sa me të drejtë, vite më parë, disa mendje të shquara në Itali punuan fort që ajo të futej në listën e Pasurive të Njerëzimit. Patëm fat që na futën edhe ne.
Mirëpo, sapo mbaruan fotografitë, fjalimet dhe postimet në rrjetet sociale te Kulturorëve tanë, “barinjtë e UNESCO-s” u harruan.
Askush nuk pyet më për ta. As ndihma, as festa, as kujdes.
Ndërsa arbëreshët e Molises në Itali ende kremtojnë shtegtimet e tyre shekullore, ndërsa Italia, Spanja apo edhe Greqia përtej Vjosës kanë bërë sadopak për t’i mbajtur gjallë këto tradita, ne vazhdojmë të sillemi sikur historia jonë është barrë dhe jo pasuri.
E megjithatë, barinjtë ngjiten ende drejt Gramozit.
Të vetëm.
Si hijet e fundit të një bote që po shuhet.
Komente











