AUSTRALI - Një i ri 18-vjeçar i paidentifikuar është vrarë nga policia antiterror në Australi, pasi ai i kishte goditur me thikë dy oficerë në Melburn.
 
Autoritetet thanë sot se ky person ishte i dyshuar për terrorizëm dhe se ishte nën hetime pasi e kishte shpalosur flamurin e grupit militant, Shteti Islamik, dhe kishte bërë kërcënime kundër kryeministrit të Australisë, Tony Abbott.
 
Të dy policët e plagosur janë në spital, në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, por njëri prej tyre i është nënshtruar operacionit, pasi ishte goditur me thikë disa herë në kokë, bark dhe qafë.
 
Ky incident ndodhi një javë pasi Australia filloi operacionin antiterror më të madh deri më tani në të gjithë vendin, në shënjestër të të cilit janë të dyshuarit e ndërlidhur me grupet islamike në Lindjen e Mesme, disa prej të cilëve dyshohet se ishin të përfshirë në komplot për të vrarë me prerje koke njerëzit në mënyrë publike në Australi.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)