Disa rajone të Australisë do të përballen të premten me zjarre katastrofike, pasi një valë të nxehti pritet të godasë një pjesë të mirë të vendit, raporton BBC.
Valë të nxehti nga të rënda deri në ekstreme janë shpallur në çdo shtet dhe territor të Australisë, përveç Queensland-it, ku për disa ditë parashikohen temperatura të larta.
Shteti i Viktorias ka shpallur ndalimin e plotë të ndezjes së zjarreve të premten, pasi niveli i rrezikut nga zjarret do të përcaktohet “katastrofik” që është më i larti. Rreth 450 shkolla dhe kopshte do të mbyllen.
Të enjten, zjarrfikësit luftuan disa vatra zjarri në Viktoria dhe Uellsin e Ri Jugor, ndërsa rreth një duzinë avionësh që transportonin ujë u angazhuan për të përballuar një zjarr të madh pranë qytetit Ëodonga, raportoi ABC.
Të mërkurën, Melburni përjetoi ditën më të nxehtë në gjashtë vite, me një maksimum prej 40.9°C, ndërsa disa qytete bregdetare në Australinë Perëndimore arritën 49°C.
Në Uellsin e Ri Jugor, vala e të nxehtit pritet të arrijë kulmin të shtunën, me Sidnein që përballet me 42°C, ndërsa në disa zona të Australisë Jugore dhe Australisë Perëndimore priten temperatura mbi 40°C në ditët në vijim.
E premtja do të jetë “kulmi i vërtetë i këtij shpërthimi të nxehtësisë”, tha për BBC një përfaqësues nga Byroja e Meteorologjisë. “Do të jetë një ditë shumë e nxehtë për pothuajse të gjithë Australinë Jugore, Viktorian, pjesën më të madhe të Uellsit të Ri Jugor dhe pjesë të Tasmanisë.”
E mërkura ishte vala e parë e dukshme e të nxehtit për Melburnin dhe Adelaidën, ku jetojnë miliona njerëz, ndërsa kushtet e zjarreve pritet të përkeqësohen të premten, tha ai.
“Së pari, erërat do të forcohen në të gjithë Viktorian nesër,” tha Hines, duke shtuar se, të shoqëruara me stuhi të mundshme me pak shi dhe rrufe të thatë, rreziku nga zjarret do të arrijë nivele katastrofike për pjesët veriore të Viktorias. “Kjo duket si ngjarja më e rëndësishme prej shumë ditësh për Australinë juglindore të brendshme që nga 2019–2020”, tha Hines.
Në periudhën e 6 viteve më parë ndodhi sezoni më i rëndë të zjarreve në historinë e Australisë, e ashtuquajtura Vera e Zezë (Black Summer), ku dhjetëra njerëz humbën jetën dhe mijëra hektarë tokë u dogjën.
Në Viktoria, autoritetet paralajmëruan oër të enjten se një vlerësim katastrofik i rrezikut nga zjarret do të thotë se vatrat e mundshme të zjarrit mund të jenë “të paparashikueshme dhe të pakontrollueshme”.
“Na duhet që komuniteti të luajë rolin e tij përkrah shërbimeve tona të emergjencës për të mbrojtur jetët dhe pronën”, tha Komisioneri i Menaxhimit të Emergjencave të Viktorias, Tim Wiebusch. “Përgatituni tani dhe zbatoni planin tuaj të mbijetesës ndaj zjarreve në shkurre. Nëse ndodheni në një zonë me rrezik të parashikuar katastrofik nga zjarret, largohuni herët drejt një zone me rrezik më të ulët.”
Shkalla e vlerësimit të rrezikut nga zjarret në Australi ka katër nivele, me “katastrofik” si niveli më i lartë, i ndjekur nga ekstrem, i lartë dhe i ulët. Vala e të nxehtit shpallet kur temperaturat minimale dhe maksimale pritet të jenë jashtëzakonisht të larta për tre ditë ose më shumë.
Komente









