Australia ka arritur një marrëveshje me qeverinë e re irakene për vendosjen e 200 forcave të saj speciale për të trajnuar trupat lokale në luftën kundër militantëve të ISIS. Kjo u bë e ditur nga ministrja australiane e Punëve të Jashtme, Julie Bishop, pas takimit me homologun në Bagdad, Ibrahim Al Xhafari dhe zyrtarë të tjerë për të finalizuar marrëveshjen që lejon vendosjen e forcave australiane në Irak.
 
Australia është një ndër vendet e para që iu bashkua koalicionit të udhëhequr nga SHBA duke vënë në dispozicion një total prej 600 trupash, përfshirë dhe forcat speciale.
 
Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara kanë furnizuar me armë dhe medikamente kurdët në Kobane, në afërsi të kufirit turk. Ndërkohë një ditë më parë, presidenti turk Recep Tajip Erdogan tha se nuk do të lejojë që luftëtarët kurdë të marrin ndihma nga SHBA dhe NATO. Turqia u ka rezistuar thirrjeve për të ndihmuar kurdët në Kobane, duke i cilësuar ato si terroristë.

Redaksia Online
(Besarta Basha/Shqiptarja.com)