Australia ka marrë një nga masat më të forta në botë për mbrojtjen e të miturve në internet, duke ndaluar aksesin në rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç.

Vendimi erdhi nga Komisionerja e Sigurisë Elektronike, Julie Inman Grant, si përgjigje ndaj shqetësimeve në rritje për ndikimin e platformave dixhitale tek adoleshentët.

Meta, kompania mëmë e Facebook dhe Instagram, ka filluar tashmë fshirjen e llogarive të përdoruesve australianë që nuk plotësojnë kushtin e moshës. Qindra mijëra adoleshentë kanë marrë njoftime se profilet e tyre do të hiqen deri më 10 dhjetor. Kompania ka kërkuar nga prindërit të verifikojnë datat e lindjes së fëmijëve dhe të mos ndihmojnë në anashkalimin e kufizimeve të reja.

Autoritetet theksojnë se metodat e mëparshme të përdorura nga të rinjtë për të shmangur kontrollet e moshës nuk do të funksionojnë më.

Qeveria australiane ka publikuar listën zyrtare të platformave që ndalojnë aksesin për të miturit nën 16 vjeç. Ndër to përfshihen: Facebook, Instagram, TikTok, Snapchat, YouTube, Reddit, Kick. Shërbime si WhatsApp, Messenger, Discord, Roblox dhe Twitch janë të përjashtuara nga rregulli.

Qeveria ka bërë thirrje që prindërit të marrin një rol aktiv në monitorimin e aktivitetit online të fëmijëve. Bashkëpunimi i familjeve shihet si thelbësor për zbatimin e masës dhe për parandalimin e përpjekjeve për anashkalim të rregullave.