Kryeministri australian Anthony Albanese është martuar me partneren e tij Jodie Haydon, duke u bërë kështu udhëheqësi i parë i vendit që martohet gjatë kohës që është në detyrë. Çifti u martua një ditë pas seancës së fundit të vitit parlamentar.
“Jemi absolutisht të kënaqur që ndajmë dashurinë dhe angazhimin tonë për të kaluar jetën tonë së bashku, përpara familjes dhe miqve tanë më të ngushtë”, tha Albanese në një deklaratë të shkurtër.
Çifti u fejua në Ditën e Shën Valentinit, vitin e kaluar. Propozimi i udhëheqësit të Partisë Laburiste dhe pritja e dasmës u zhvilluan në rezidencën e tij zyrtare, The Lodge.
Deri në këtë ditë, planet e dasmës ishin mbajtur sekret për shkak të shqetësimeve në lidhje me sigurinë.
Të pranishëm ishin prindërit e Haydon, si dhe djali i Albanese nga martesa e tij e mëparshme.
Qeni i Albanese, Toto, ishte mbajtës i unazave ndërsa çifti ecte drejt altarit me këngën “Signed, Sealed, Delivered (I’m Yours)” të Stevie Wonder në sfond.
Disa nga ministrat e kabinetit të Albanese morën pjesë në ceremoni.
62-vjeçari dhe Haydon, 47 vjeçe, u takuan për herë të parë në një darkë biznesi në Melbourne në vitin 2020, ndërsa Albanese ishte udhëheqës i opozitës.
Haydon u shfaq gjatë fushatave zgjedhore të Albanese në vitet 2022 dhe 2025 dhe u pa përkrah kryeministrit në ngjarje të mëdha, përfshirë funeralin e Mbretëreshës Elizabeth II dhe një darkë shtetërore të organizuar nga ish-Presidenti i SHBA-së Joe Biden.
Albanese hyri gjithashtu historinë australiane duke u bërë kryeministri i parë që u fejua ndërsa ishte në detyrë, shkruan BBC.
Çifti tha në një deklaratë të përbashkët në atë kohë se ishin “shumë me fat që kishin gjetur njëri-tjetrin”.
Komente







