VJENE - Ka dalë nga koma edhe studentja tjetër që ndodhej për kurim në Austri, pas aksidentit të rëndë që ndodhi në Himarë më 21 maj. Lajmi i mirë për Florije Peçin ka ardhur mesditën e sotme nga Ministria e Shëndetësisë.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia, ka konfirmuar se Florije Peçi është zgjuar nga koma mbrëmjen e djeshme dhe se gjendja e saj është përmirësuar ndjeshëm. Sipas zëvendësministrit, vajza e re pas zgjimit nga koma ishte në gjendje të njihte të afërmit e saj.

Ajo ka komunikuar me ta ndërsa ka kërkuar edhe shoqen e saj Eriselda Gubere, e cila gjithashtu ndodhet në Austri për mjekim më të specializuar.

Florije Peçi dhe Eriselda Gubere, dy vajzat e plagosura në aksidentin në Himarë, u transportuan më 24 Maj drejt Vjenës, për një mjekim më të specializuar. Ndërkohë që Eriselda Gubere, doli nga koma më 15 Qershor.

Si pasojë e aksidentit tragjik të 21 majit, në Qafën e Vishës në Himarë, humbën jetën 13 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.

(jd/shqiptarja.com)