Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj është takuar me homologun e saj austriak Josef Moser, në Alpbach të Austrisë. Në qendër të diskutimeve ishte forcimi i mëtejshëm i bashkepunimit midis dy vendeve, ecuria e reformës në drejtësi, bashkëpunimi në forcimin e luftës kundër korrupsionit si dhe organizimi për herë të parë në Shqipëri i Forumit Ministror BE - Ballkani Perendimor për çështjet e drejtësisë dhe punëve të brendshme në tetor 2018.

Në fjalën e tij, ministri Moser vlerësoi nismat e Shqipërisë për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit. Ai u shpreh që Austria do të jetë gjithmonë një partnere në krah të Shqipërisë për mbështetjen në zbatimin e reformave të ndërmarra nga Shqipëria.

Si tregues i mbështetjes dhe vlerësimit u theksua përzgjedhja nga Austria të Shqipërisë si vendin për organizimin e Forumit Ministerial BE - Ballkani Perendimor për Çështjet e drejtësisë dhe sigurisë që do të organizohet në Tiranë në Tetor 2018.

Nga ana e saj Ministrja Gjonaj e njohu homologun austriak me rezultatet e para që reforma në drejtësi ka dhënë deri më tani duke njohur dhe të gjithë kontributin që ka në dhënë ekspertët austriak në këtë proces si dhe mbështetjen politike të Komisionit Evropian.

Në fund të takimit, ministri Moser shprehu gatishmërinë e tij dhe të ministrisë që ai drejton për të bashkëpunuar dhe asistuar Ministrinë e Drejtësisë në Shqipëri me çdo program mbështetje teknike për forcimin e kapaciteteve të Ministrisë në reformat e ndërmarra.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja theksoi se nevoja e qytetarëve shqiptarë për një sistem drejtësie të pavarur, të paanshëm, të pakorruptuar dhe të pandikuar politikisht ishte nxitja kryesore e qeverisë për të ndërmarrë një reformë radikale dhe krejtësisht unike në llojin e vet jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

Ministrja Gjonaj u ndal gjithashtu në nismat e ndërmarra në luftën kundër korrupsionit, si një nga prioritetet kryesore të Qeverisë Shqiptare. Ajo vuri në dukje se strukturat e reja që janë ngritur, veçanërisht Task Forca NdërInstitucionale Antikorrupsion, po funksionojnë me efikasitet, duke dhënë rezultate konkrete dhe të prekshme edhe nga qytetarët.