John Kerry
VJENË - Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry pranoi sot se negociatat me Iranin në përpjekje për të arritur një marrëveshje mbi programin bërthamor janë shumë të vështira.
"Ne jemi në mes të bisedimeve mbi programin bërthamor dhe për ndalimin e këtij programi dhe mund të them se këto negocita janë shumë të vështira", deklaroi Kerry për ekipin e tij të ambasadës amerikane në Vjenë.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry përshëndeti gjithashtu rolin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (AIEA), selia e së cilës ndodhet në Vjenë, për rolin kryesor të saj në ndalimin e përhapjes së armëve bërthamore.
Kerry zhvilloi sot një takim prej dy orësh me homologun iranian, Mohammad Javad Zarif.
Sekretari amerikan i Shtetit ndodhet që prej ditës së djeshme në kryeqytetin austriak në përpjekje për të zhbllokuar negociatat me Iranin në afrim të datës 20 korrik, që do të shënojë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për programin bërthamor./
/ec/