DUBROVNIK - “Është paksa vonë për takimin simbolik të ish-presidentit të Serbisë, Boris Tadiç dhe Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa presidenti Nikoliç duhet të gjejë gjestin me të cilin do të tregojë se është i vetëdijshëm për të kaluarën.” Kjo është deklarata e zëvendës kancelarit dhe ministrit të Jashtëm i Austrisë, Michael Spindelegger, në një prononcim për shtypin kroat.

Pavarësisht kësaj, shton ministri i jashtëm austriak, “është mirë kur liderët ulen në një tavolinë për të biseduar për ardhmërinë e vendeve të veta” duke shtuar se duhet që të normalizohen marrëdhëniet e Serbisë dhe Kosovës.

Në lidhje me këtë shtrëngim duarsh që u zhvillua dje gjatë Samitit të Kroacisë në Dubrovnik, ka ardhur dhe reagimi i Kryeministrit të mandatuar serb, Ivica Daçiç. Ai ka theksuar se Tadiç ka përfaqësuar në këtë samit vetëm partinë e tij dhe jo shtetin serb.

Sipas Daçiç ka qenë vetë partia e ish-presidentit serb që ka propozuar që aty ku merr pjesë Kosova, Serbia të mos të mos jetë prezent. Kryesocialisti serb i ka bërë thirrje edhe një herë ish-presidentit Tadiç që të sqarojë këtë vizitë në samitin e Dubrovnikut.

(jd/shqiptarja.com)