Detajet e pathëna deri më sot, gjashtë muaj pas largimit të saj nga detyra si diplomate në Vjenë, janë bërë publikë në vendimin e Gjykatës së Tiranës në 4 maj 2012, pas padisë së 29-vjeçares për aulimin e Urdhrit të Ministrit të Punëve të Jashtme Haxhinasto, në 24 janar 2012,për largimin nga detyra si Sekretares e Parë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë OSBE, Vjenë. Në vendimin e gjatë prej 15 faqesh, pala e paditur, Ministria e jashtme, për të mbrojtur vendimin e saj, ka paraqitur edhe disa nota proteste nga ana e ambasadës austriake në Tiranë, të bëra pranë ministrisë në verën e vitit të shkuar.
Sipas argumenteve mbrojtëse të Ministrisë "Akti i lirimit nga detyra nga shërbimi i jashtëm i çdo punonjësi të shërbimit të jashtëm, është një e drejtë absolute e Ministrit të Jashtëm, i cili, në rast se vlerëson se aftësitë e ofruara nga një person i caktuar nuk janë në përputhje me kërkesat e parashikuara nga pritshmëritë e politikës së jashtme për këtë pozicion pune, disponon të drejtën e lirimit nga detyra për këtë punonjës". Sipas Ministrisë gjatë harkut kohor të vitit 2011 në MPJ, janë drejtuar nga ana e ambasadës së Austrisë në Tiranë tre nota zyrtare në adresë të Selvi Beçajt dhe se nga Ministria Federale e Çështjeve Evropiane është ngritur një padi, e cila po shqyrtohet pranë gjykatës së Vjenës, situata, të cilat motivojnë nxjerrjen e aktit të lirimit nga detyra lidhur edhe me natyrën e posaçme të shërbimit në një mision diplomatik. Ministria paraqiti në Gjykatë edhe notat verbale të Ambasadës Austriake në Tiranë drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, që mbajnë datat 21 qershor 2011 dhe 12 korrik 2011,(kjo e fundit referuar në notën e Ministrisë Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të datës 4 Korrik 2011) me anë të të cilave referohet konstatimi nga autoritetet e policisë rrugore të tejkalimit të limitit të shpejtësisë nga automjeti me targë WD -3022, regjistruar në emër të Znj. Selvi Beçaj. Sipas Ministrisë rezultonte që gjobat e aplikuara nga autoritetet austriake, janë shlyer të gjitha nga ana e Beçajt, dhe në gjyq u paraqitën urdhër transfertat pranë Bank Austria. Ministria e Punëve të Jashtme, me shkresat e saj nr.12629 prot. datë 08.07.2011 dhe nr.7988/1 prot. datë 18.07.2011, reagoi në mënyrë diplomatike nëpërmjet përcjelljes së shqetësimit dhe marrjes së masave kundrejt njoftimit të paditëses, për mospërsëritjen e situatave të tilla. Sipas ministrisë rezulton gjithashtu se nga ana e autoriteteve policore austriake, është paraqitur kallëzim ndaj shtetasit A. Hoxha, për mosrespektim të detyrimit për të mbajtur rrip sigurimi, në cilësinë e drejtuesit të mjetit me targa WD - 3022 më datë 31.10.2011, në të cilën, rezulton të ketë qenë prezent edhe shtetasja paditëse në këtë gjykim. Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, gjatë incidentit të radhës ka patur edhe debate midis personit zyrtar që ka ndaluar mjetin dhe shtetasve të ndodhur në mjet, pra Selvi Beçajt dhe shoferit A.Hoxha. Por, sipas ministrisë , lidhur me këtë raportim, pala paditëse paraqiti notën verbale nr.623 prot datë 28.10.2011 të Drejtorisë Federale të Policisë (Drejtoria e Informacionit për publikun) drejtuar Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, në përmbajtje të të cilës, autoriteti austriak shpreh keqardhjen për mënyrën e trajtimit të Znj. Selvi Beçaj, duke kërkuar ndjesë nëse ngjarja e referuar, ka ndodhur siç është parashtruar nga pala e ndaluar për shkelje administrative.
Sipas gjykatës të gjitha rastet e evidentuara në notat verbale i referohen periudhave kohore të mëparshme ndaj kohës së marrjes së lejes së lindjes pasi Beçaj, ka marrë de jure lejen e lindjes me 15 nëntor 2011, dhe de facto më datë 5 dhjetor 2011. Sipas Gjykatës: "Nëse Ministria e Punëve të Jashtme ka vlerësuar se lirimi nga detyra për shkak të notave verbale, nuk përbënte emergjencë brenda vitit 2011, kjo e fundit nuk mund të pretendojë një gravitet të tillë të çështjes në fillim të vitit 2012, në masën e zgjidhjes së kontratës së punës në kohë të papërshtatshme, zgjidhje e cila është ligjërisht e pavlefshme.
Për më tepër, rezulton që vetë Ministria t'i ketë ofruar paditëses një tjetër vend pune në Drejtorinë e Marrëdhënieve me BE-në me aktin e emërimit të datës 24.02.2012". Ndaj gjykata thotë se akti i lirimit nga detyra i datës 24.01.2012 i MPJ, ka dalë në kundërshtim me ligjin, dhe si i tillë duhet të anulohet.
(aq/shqiptarja.com)