TIRANE - Dy turistët çekë janë qëlluar nga brenda makinës nga një distancë e afërt e cila nuk i kalon të 20-25 centimetrat. 27-vjeçari Michael Svatos ka marrë dy plumba tejshpues në kokë, ndërsa e dashura e tij Anna Kosinova 36 vjeç ka marrë një plumb në kokë. Ky është rezultati i autopsisë të cilin A1 Report e mëson përmes burimeve të sigurta nga morgu i Tiranës ku ndodhen trupat e pajetë të çiftit çek pasi sulmit me armë mbrëmjen e së premtes në fshatin Prekal në zonën e Dukagjinit.
 
A1 Report mëson se plagët e shkaktuara në kokën e turistit çek janë me një distancë nga 6 centimetra nga njëra-tjetra. Për shkak të distancës së afërt plumbat kanë qenë tejshpues dhe kanë krijuar shpërfytyrime.
 
Ndërsa e dashura e tij ka vetëm një plagë, por edhe tek çekja plumbi i kallashnikovit e ka shpërfytyruar Anna Kosinovën.
 
Fakti se viktimat janë qëlluar nga pas sipas ekspertëve është konfirmuar nga fakti se në pjesën e pasme të kokës vrimat janë më të vogla dhe ato në dalje janë më të mëdha. Sipas ekspertëve mjekoligjorë dhe kriminalistë, të dy personat kanë marrë plagë nga pjesa e pasme e kokës në formë diagonale me drejtim qitje nga poshtë dhe dalje në pjesën e përparme të kokës.
 
Të dy personat nuk kanë pasur plagë të tjera sipërfaqësore dhe se vdekja e tyre është shkaktuar tërësisht nga plumbat e marrë.
 
Ekspertët nuk kanë gjetur predha plumbash në trupat e dy turistëve çekë, për faktin se plagët kanë qenë tejshkuese, çka ka bërë që plumbat të mos mbeten në trupat e tyre.
 
Të pranishëm në morgun e Tiranës ishin edhe përfaqësues të ambasadës çeke, ndërsa me përfundimin e të gjitha procedurave pritet që trupat e pajetë të turistëve të vrarë të përcillen për në vendlindjen e tyre. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)