Një 26-vjeçar ka rënë në prangat e policisë i dyshuar si autor i një sërë vjedhjesh në kryeqytet. Agustjan Hyka ka thyer masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ dhe gjatë muajit prill ka vjedhur disa shuma parash dhe produkte në 4 subjekte, si dhe ka tentuar të vjedhë në një banesë dhe një tjetër subjekt.
Agustjan Hykës i ishte caktuar masa e sigurisë ‘arrest shtëpie’ për veprën penale ‘dhuna në familje’. Sakaq, hetimet po vijojnë për dokumentimin e të tjera rasteve të vjedhjes me autor 26-vjeçarin.
“Tiranë/ Finalizohet operacioni i koduar “Penaliteti”, për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë.
Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe, gjatë muajit mars, kreu 6 vjedhje/tentativa për vjedhje, vihet në pranga 26-vjeçari.
Si rezultat i veprimeve hetimore intensive, të kryera menjëherë pas kallëzimeve të disa shtetasve/administratorëve të subjekteve për vjedhje të pronës dhe pasurisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 finalizuan operacionin e koduar “Penaliteti”, gjatë të cilit u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga autori i dyshuar i disa rasteve në këtë fushë, shtetasi A. H., 26 vjeç.
Nga hetimet dyshohet se 26-vjeçari, gjatë muajit prill 2026, ka vjedhur shuma parash dhe produkte në 4 subjekte, si dhe ka tentuar të vjedhë në një banesë dhe në një subjekt.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ky shtetas ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Dhuna në familje”.
Vijon hetimi për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer shtetasi A. H.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente









