Pas uljes së shpejtë të çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare menjëherë pasi u njoftua për armëpushim në lindjen e Mesme, është ulur lehtë edhe çmimi i karburantit në Shqipëri.

Bordi i Transparencës ka ulur me 4 lekë çmimin e naftës me pakicë. Çmimi i naftës zbret në 220 lekë për litër, nga 224 lekë që ishte prej datës 3 prill, pasi u aplikua edhe ulja me 20% e akcizës. Ndërsa nafta me shumicë do të shitet me 208 lekë litri.

Bordi e ka lënë të pandryshuar çmimin e benzinës në 181 lekë për litër. Çmimet e reja do të hynë në fuqi sot në orën 15.30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit.

Deri më sot, nafta tregtohej me 224 lekë/litri ndërsa në fuqi ka qenë dhe ulja me 20% e taksës së akcizës (ose 8 lekë), Pas orës 15:30, vendimi për uljen e akcizës e humbet veprimin dhe do të rikthehet në fuqi vetëm në rast se çmimi i naftës kapërcen përsëri mbi 220 lekë për litër.

Prej datës 3 prill kur u caktuan çmimet e bordit, 1 tonë naftë është zhdoganuar me rreth 47 dollarë më lirë.

Vendimet e Bordit të Transparencës 8 prill:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 220 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 208 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN  të  jetë jo më shumë se 181 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 169 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 8 ora  15.30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministirinë e Infrastrukturës dhe Energjisë  janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurencës së ndershme në treg.