Autostrada Tiranë-Durrës do të hapet për fundjavë, ndërsa ditën e hënë do të mbyllet sërish për të vijuar rindërtimin në pjesën e mbetur.
Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia Rrugore informojnë se deri ditën e premte dt. 15 Qershor, ora 12:00, përfundon ndërhyrja në segmentin Vorë-Maminas.
Me synim lehtësimin e lëvizjes së pushuesve që frekuentojnë plazhet gjatë fundjavës, nga dita e premte ora 12:00 deri mëngjesin e të hënës ora 06:00 aksi rrugor Tiranë-Durrës do të jetë i hapur për kalimin e mjeteve në të dyja drejtimet.
Ditën e hënë ora 06:00 do të mbyllet segmenti Maminas-Sukth ku do vazhdojë ndërhyrja. ARRSH dhe Policia Rrugore do informojnë gjatë ditës së diel për orientimin e trafikut gjatë kësaj ndërhyrjeje.
Para tre ditësh nisën punimet në autostradë, ndërsa segmenti i parë ku u ndërhy ishte Qafë Kashar-Vorë, nesër përfundon segmenti i dytë Vorë-Maminas, ndërsa të hënën që vjen do ndërhyhet në segmentin Maminas-Sukth.
Por në fundjavë autostrada do të jetë e hapur, pasi fluksi i mjeteve që lëviznin drejt qytetit bregdetar është i lartë për shkak të sezonit turistik.