Kanë nisur ofertat e para nga investitorë të huaj për të marrë me koncesion autostradën Tiranë-Durrës dhe për kalimin e saj në rrugë me pagesë. Burime zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, thanë për Shqiptarja.com, se autostrada do të bëhet me pagesë, vetëm pasi të jetë rehabilituar edhe rruga dytësore alternative e Ndroqit.

Të njëjtat burime saktësojnë, se të gjithë rrugët që do të futen në një koncesion do të jenë rrugë të cilat kanë edhe alternativën e tyre, kalimi në të cilat do të jetë pa pagesë. Kjo do të thotë që qytetarët mund të përdorin rrugën alternative, pa pagesë.

Burimet, saktësuan se do të jenë vetë investitorët e interesuar për koncesionin, të cilët do të marrin përsipër edhe rehabilitimin e rrugëve ekzistuese dytësore, një element i ri ky që po synohet të futet në kontratat e reja koncenionare.