Avari në ajër? Ish-piloti: Avioni 
mund të ulet vetëm me rrota mbyllu

Avari në ajër? Ish-piloti: Avioni <br />mund të ulet vetëm me rrota mbyllu
TIRANE- Pasi ka fluturuar për vite nëpër qiejt e Shqipërisë dhe më pas për shumë vite të tjera ka drejtuar avionët nga kullat e kontrollit të ushtrisë, Majori Spiro Zogo tregon për “Shqiptarja.com” të gjitha procedurat dhe rregullat që ndiqen gjatë fluturimeve në vendin tonë.

Sipas tij, nëse piloti italian Giorgio Reformato do të kishte pësuar defekt në ajër atëherë ai, sipas rregullave duhej që të ulej me rrota të mbyllura dhe jo të hapura siç është ulur mesditën e të shtunës. Sipas Zogos, ky është rregulli i artë që gjatë uljes, veç dëmeve materiale, një manovër e tillë bëhet me qëllim që të mos ketë pasoja në njerëz. Spiro Zogo, Major i Aviacionit shqiptar ka mbaruar shkollën e pilotëve në Vlorë nga viti 1974-1977. Sipas Zogos, edhe pse avioni ka marrë lejë që të fluturojë në bregdetin shqiptar, ajo leje është dhënë me rregulla që janë të qarta, pasi një mjet nuk mund të fluturojë pa i përcaktuar rrugën, meqenëse korridoret e ajrit janë të përcaktuar për të gjitha lëvizjet. Sipas Majorit Zogo, një pilot nuk mund të ulet diku, nëse nuk do të kishte njohje të vendit ku do të kishte destinacionin.
 
Z. Zogo, si pilot i vjetër dhe njohës i hapësirës ajrore shqiptare, çfarë mund të na thoni për uljen e avionit në Divjakë. Si veprohet në rastet e fluturimeve turistike?
Mesa di dhe kemi mësuar, ky është një avion që ka marrë leje në aeroportin e Rinasit dhe ka ndjenjur në pistë për 2 ditë me rradhë. Atëherë për të bërë një udhëtim turistik siç është bërë e ditur dhe për të parë bregdetin ka dy mënyra. Të bësh një udhëtim panoramik ose vizual. Për të dy rastet duhet që të jepet një leje nga kulla e aeroportit në Rinas. Në këtë leje duhet që të jenë të përcaktuara qartë disa gjëra, si lartësia e fluturimit, zona ku do të fluturohet. Por një gjë e rëndësishme në këtë rast është edhe njoftimi që kulla e fluturimit duhet të bëjë për autoritetet qëndrore dhe vendore, si Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Brendshme me qëllim që autoritetet lokale përfaqësuese në rajonet ku do kalojë avioni të kenë dijeni për të. Njoftimet bëhen sepse në ato korridore ajrore mund të ketë mjete të tjera fluturuese dhe për këtë qëllim bëhen përcaktimet.
 
Si veprohej para viteve ’90, por edhe më pas në rastet kur kishte fluturime në Shqipëri, sikur edhe vetëm për spërkatjen e Divjakës për shkak të mushkonjave?
Si në atë kohë dhe deri në vitin 2006, kur unë kam qenë në shërbim, rregullat kanë qenë të njëjta. Bëhej një plan dhe njoftoheshin të gjithë instancat. Kulla e aeroportit të Rinasit njoftonte Ministrinë e Mbrojtjes dhe më pas kjo njoftohet forcat Tokësore, Ajrore dhe Detare, si dhe Ministria e Brendshme njoftohej me qëllim që të ishte në dijeni të mjeteve fluturuese që ishin në zonë. Pikërisht këto procedura duhet të bëheshin edhe nga kulla e Rinasit në rastin e avionit Piper që drejtohej nga shtetasi italian. Por këto gjëra do të zbardhen nga dokumentet që janë paraqitur në kullën e fluturimit të Rinas e cila ka dhënë edhe lejen që avioni të bënte një fluturim turistik në bregdetin shqiptar.
 
Si pilot i vjetër, por edhe me shumë vite eksperiencë në drejtimin e fluturimeve nga kulla në Rinas, si duhej vepruar nga piloti italian nëse do të kishte pasur avari, meqenëse dhe piloti italian gjatë pyetjes në prokurori ka thënë se kishte avari?
Zakonisht gjatë fluturimit kur një avion pëson avari në shumicën e rasteve ka probleme në motor. Menjëherë sapo konstatohen këto probleme, piloti merr masat. Ai duhet të njoftojë menjëherë kullën e kontrollit, që në këtë rast është ajo e Rinasit dhe të raportojë problemin që i ka lindur. Pas kësaj, ai duhet të gjejë një vend sa më të mirë që të ulet. Në këtë moment piloti fillon të humb kuotë dhe të përgatitet për një ulje sa më të butë dhe pa hapur rrotat e avionit. Rrotat nuk hapen me qëllim që fërkimi i avionit me tokën të jetë sa më i mirë dhe që të avioni të mos ngulet në tokë që mund të sjellë edhe një rrotullim të tij, çka do të kishte pasoja në njerëz. Uljet në raste avarie bëhen gjithmonë me rrota të mbyllura dhe kjo është një nga gjërat kryesore që mësohen në shkollat e pilotimit në çdo vend të botës. Edhe në Rinas, ka dy pista. Njëra prej tyre është ajo me beton për uljet normale dhe një pistë tjetër është e punuar pikërisht për të realizuar uljet e avionëve që kanë probleme me motorrin apo ndonjë avari tjetër që mund të ketë lindur gjatë fluturimit. Gjithsesi një pilot nuk mund të ulet në një vend nëse nuk do të kishte njohje shumë të mirë të zonës, njohje vizuale.
 
Një pilot duhet të ketë një licencë dhe një leje. Në rregullat e fluturimit a ekziston ndonjë kufizim të moshës, apo çfarë duhet plotësuar?
Jo. Zakonisht leja për të fluturuar jepet pasi bëhet një vizitë për gjendjen shëndetësore dhe fizike të pilotit. Meqenëse italiani Giorgio Riformato ka pasur një licencë nga vendi i tij, domethënë që nuk ka pasur këto probleme dhe fluturimi është bërë brenda rregullave. Leja jepet nga autoritet ndërkombëtare dhe nuk ka asnjë problem për flururimet. Meqenëse avioni ka ndjenjur dy ditë në Rinas, atëherë ai duhet të ketë dorëzuar dokumentet në kullën e aeroportit. Gjithçka do të zgjidhet me zbardhjen e dokumentave të kullës.
 
Një avion i tillë i llojit Piper, sa hapësirë i duhet që të ulet në një zonë. A ka probleme nëse pista është apo jo e betonuar?
Një avion i tillë sportiv, nuk ka nevojë për ndonjë hapësirë të madhe që të ulet. Një pilot e ul ketë avion edhe në 50 metra hapësirë e po të njëjtën gjë mund ta bëjë edhe për ta ngritur atë në ajër, kjo për shkak të peshës së vogël që ka dhe fuqisë së motorrit.

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja