Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Rei Metës për pafajësi, djalit të ish-anëtares së KLP, Nurihan Meta, i cili u dënua nga Apeli në qershor të vitit të kaluar për vrasjen me grusht të biznesmenit Armando Meshau në 7 gusht 2023 në Vlorë. Ai mori dënim të formës së prerë për vepren penale të vrasjes nga pakujdesia pasi qëlloi me grusht biznesmenin Armando Meshahu. 

Meta ishte dënuar nga Gjykata e Vlorës me 2 vite e 3 muaj burg për vrasje nga pakujdesia. Por Apeli vendosi uljen e dënimit në 18 muaj burgim. Viktima Armando Meshau dhe autori debatuan në një kancelari në qytetin e Vlorës.

Inxhinieri që merrej me ndërtime në Vlorë, Armando Meshau pas debatit e goditi i pari me grusht Rei Metën, por ky i fundit iu kundërpërgjigj me një seri grushtash. Goditjet rezultuan fatale për Meshaun, i cili gjeti vdekjen në vend.

Vrasja në qendrën e internetit 

Ditën kur ndodhi ngjarja, 7 gusht 2023, Rei Meta kishte shkuar në Vlorë për të takuar shokun e tij si dhe nënën e tij, e cila gjendej në Vlorë. Rreth orës 12:30, ai ka qenë tek një kafe pranë internetit ku ndodhi ngjarja, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.

Djali i anëtares së KLP-së pretendonte se Meshau nisi i pari sherrin dhe se ai nuk kishe dashur ta vriste. Konflikti kishte nisur për një tokë që ai kishte ndërmjetësuar si sekser që Armando ta blinte por më pas nuk kishte marrë pjesën e parave që i ishin premtuar.