DURRES- Pas rreth 23 orësh udhëtim, ka përfunduar odiseja e Presidentit në detyrë, Bamir Topi. Trageti "Adriatika 1", i nisur mbrëmë nga porti i Barit rreth orës 23:00, pas avarisë që ka pësuar në pompat e naftës për shkak të cilësisë së ultët të karburantit, ka mbërritur në Durrës rreth orës 18:30 të ditës së sotme. Manovrimi i vështirë në port ka bërë që Topi, së bashku me pasagjerët e tjerë, të zbresë në tokë rreth orës 22:00.

Garda e Republikës nuk ka lejuar gazetarët që t'i afrohen tragetit ndërkohë që mësohet se Presidentit Topi i është ofruar ndihmë si nga autoritetet shqiptare ashtu edhe nga ato italiane, por ai ka preferuar të qëndrojë në traget bashkë me udhëtarët e tjerë.

Trageti “Adriatika 1”, ka pësuar një avari rreth 20 milje larg portit të Durrësit. Ai duhej të mbërrinte në port rreth orës 07:00- 08:00 të mëngjesit të sotëm.

Hysni Ruçi, kapiteni i portit të Durrësit, deklaroi se trageti ka pësuar avari pasi janë bllokuar filtrat e naftës për shkak të cilësisë së dobët të kësaj të fundit.

Presidenti Bamir Topi po kthehej nga vizita e tij në Itali ku shoqërohej edhe nga Zonja e Parë, Teuta.

(im/gm/shqiptarja.com)