Aventurat e Serembres në Brazil
për çfarë e ndihmoi Dora D’Istria

Aventurat e Serembres në Brazil<br />për çfarë e ndihmoi Dora D’Istria
UDHËT E SEREMBES/ Pjesa e tretë e kujtimeve të studiuesit Nasho Jorgaqi. Rrëfime, fakte të panjohura e dëshmi nga udhëtimet nëpër botë të serembes deri kur u kthye i zhgënjyer në fshatin e lindjes…115 vjet pa poetin, në gjurmët e Serembes…Rrëfenja, dëshmi dhe fakte mbi një personazh të pazakontë, një burrë të veçantë, një poet të madh lirik dhe një dashnor pasionant.

Pas botimit të dy pjesëve të para të kujtimeve të studiuesit Nasho Jorgaqi,  botuar në numrin e së dielës dhe të së hënës në Shqiptarja.com, sjellim sot  pjesën e tretë dhe të fundit të kujtimeve, ku rrëfehen dëshmi nga letërkëmbimet e poetit, një udhëtim i pazakontë i poetit për në Brazil, zhgënjimi dhe kthimi në fshatin e lindjes, sëmundjen dhe
ditët e fundit të jetës… 

 *****

 (Vijon nga dje)


TIRANË - Jemi ulur te gurët e Sheshit. Pleqtë rrëfejnë më shumë pas gojëdhënave, kurse më të rinjtë, dhe këta janë zakonisht intelektualë, u drejtohen të dhënave dokumentare e arkivore. Sipas këtyre të fundit, marrim vesh se Serembeja jetoi dhe punoi në vendlindje afro gjysmë shekulli, po të përjashtojmë kohën e shkurtër që mësoi në Kolegjin e Shën Adrianit dhe udhëtimet nëpër Itali. Këtë kohë ia ndërpreu rruga që bëri në Brazil më 1847, por prej andej u kthye shpejt, pa mbushur mirë vitin.

Nga Strigari ai do të largohet më 1895 përfundimisht, për të mos u kthyer më. Pra, jo vetëm fëmijërinë dhe rininë e parë e kaloi këtu, po dhe moshën e pjekurisë. Studime të plota nuk kreu. Kulturën e fitoi vetë dhe la përshtypjen  se ishte një intelektual i përgatitur. Drejt kësaj e çuan etja për dituri, zgjuarsia dhe zelli, po dhe nevojat intelektuale. S’mund të merret me mend poezia e tij pa horizontet e diturisë.

     Për kohën e Strigarit thonë se shërbeu në administratën bashkiake si nëpunës. Këtu aktet e gjendjes civile, nga fundi i vitit 1869 e deri në prill 1872, janë nënshkruar nga Giuseppe Serembe, inspektor i Bashkisë në San-Kozma. Po vitet e tjera me ç‘punë duhet të jetë marrë? Përgjigjen e kësaj pyetjeje tani për tani nuk janë në gjendje ta japin në Strigar.

     Intelektualët e katundit flasin për jetën e  poetit duke pasur parasysh letërkëmbimin e tij, sidomos letrat që i ka dërguar Dh. Kamardës dhe J. De Radës. Prej tyre marrim vesh se ç‘thotë ai për veten, për interesat e shqetësimet që ka. Dëshmohet se është njeri i kohës e mbi të gjitha patriot i atdheut të origjinës. Fati i Shqipërisë është shqetësimi i gjithë shqetësimeve të tij. Mendjen e ka gjithmonë atje dhe gëzohet pa masë sa herë shpërthejnë kryengritje antiosmane. Ai ka shpresë, siç i shkruan Kamardës më 1871, se “kur të fryjë veriu, që do ta zgjojë e do ta shkundë, Shqipëria do ta shohë veten zonjë në ditën e re dhe të lumtur … që tashmë po afrohet …”.

Kurse De Radës, në një letër dërguar vite më parë (1864), poeti i mllefosur arrin të thotë se “kombi shqiptar ka qenë komb i tradhtuar nga historia dhe bota”. Kjo tregon qartë se ai në çështjet politike e kombëtare ka qenë kurdoherë realist dhe s’ka ushqyer iluzione të kota.

     Nga bisedat që bëhet del se poeti ka qenë në dijeni të gjendjes dhe të problemeve të kulturës shqiptare, të letërsisë e gjuhësisë, të punës së albanologëve të huaj dhe përpiqet të merret dhe vetë me studime filologjike për gjuhën dhe letërsinë shqipe. Për këtë i lyp ndihmë Kamardës dhe De Radës, u kërkon libra dhe shpjegime të ndryshme.

Ai që në rini punon 14 orë në ditë, mëson gjermanisht, frëngjisht e latinisht dhe bën krahasime mes tyre dhe gjuhës shqipe. Veç kësaj, studion dhe ndjek ecurinë e gjuhës amtare, që flitet ne Shqipëri, punon për pastrimin e leksikut të vet dhe interesohet për të siguruar libra shqip. Kështu ai e njofton Kamardën se “shkruaj gjuhën e pastër kombëtare në sajë të studimeve që bëra në dialektet e ndryshme të Shqipërisë”.

Është e vërtetë se ai bënte jetë prej intelektuali, por në të njëjtën kohë kalonte situate të vështira shpirtërore. Vetë thotë se rron i vetmuar dhe i heshtur në këtë Strigar të braktisur, “me mendime që më vrasin dhe me zemrën plot hidhërim” (1871). Kjo gjendje i vjen poetit nga shumë arsye: e vret pozita e vështirë ekonomike, shqetësohet ngaqë nuk e kuptojnë, nuk arrin të gjejë mjedisin e nivelit të tij, tregohet ndaj çdo gjëje tepër i ndjeshëm. Ndoshta janë shenjat e para të sëmundjes, që do ta mundojnë aq shumë në vitet e mëvonshme.

     Dhe kur bie fjala për sëmundjen e Serembes, hapet biseda e rrugëtimeve të gjata, që ai ndërmori deri matanë Atlantikut. Atje, dhe pasi u kthye prej andej, u bë e qartë se sa i sëmurë ishte. Pleqtë e katundit i vënë faj sëmundjes së veshit, që i solli telashe që për së vogli, në një kohë që i ati ishte kaçak dhe s’i binte dot pas shëndetit të fëmijës. Ndërsa kur u rrit, sëmundjen e tij e dinte gjithë Strigari: ai vuante nga mania e persekutimit, binte shpesh në misticizëm dhe nuk gjente kurrë prehje. Përmenden letrat që i ka dërguar Kamardës më 1875, kur kthehet nga Brazili, ku flet për odisenë e jetës së tij atje. Janë me të vërtetë tronditëse. Ai rrëfen sinqerisht për aventurën braziliane.

Ka shkuar në Brazil dhe ka hyrë në oborrin e perandorit Pedro me rekomandimin që ka marrë nga Dora d’Istria. Ç’është e drejta, princesha shqiptare, që e njihte mirë gjendjen e oborrit dhe kish dëgjuar për natyrën e poetit, i merrte me mend pasojat dhe do të nguronte t’ia jepte rekomandimin e, megjithatë, ia dha. Oborri Brazilian ishte i famshëm dhe tërhiqte artistë të shquar edhe nga Evropa. Cvajgu tregon se dhe Balzaku desh të shkonte atje dhe s’di se çfarë shkaku i doli e nuk shkoi. Po shkoi poeti ynë. Shkoi dhe e pësoi keq, ashtu siç e parandjeu Dora D’Istria. Iu mblodhën shumë fatkeqësi, që ia bënë jetën të padurueshme, aq sa ra në një krizë e dëshpërim të thellë.

Mospërfillja e mjedisit perandorak ndaj poetit, të ardhur tek e fundit nga fshati, pasojat e një dashurie fatkeqe dhe konflikti me priftërinjtë katolikë, për shkak të një poeme antiklerike me 200 000 vargje, e detyruan Seremben ta braktisë para kohe oborrin, të kalojë oqeanin e të zbresë në brigjet e Francës, në Havrë. Prej këndej e bën rrugën në këmbë.

Në Marsejë i vjedhin portofolin dhe dorëshkrimet. Vjen në Nicë, ku shet pallton e mantelin për bukën e gojës. Pas disa ditësh udhëtimi, i shkruan një letër të dhimbshme Kamardës, ku, mes të tjerash, i thotë: “Nga shkaku i ndëshkimeve të tmerrshme që më ka dhënë perëndia … me nxitimin më të madh e lashë Brazilin … Kam mbetur krejt i zbathur dhe po vdes nga uria. Më ndihmoni që të arrij në Napoli … Skuqem nga turpi, po fatkeqësia ime s’ka kufi … Do të zhdukem si një meteor, duke u hakmarrë kundër të gjithë atyre që kanë qenë shkaku i rrënimit tim.” (1875).

     Kamarda i dërgon 30 lira dhe me to poeti niset për në Napoli e prej andej arrin më në fund në Strigar me shpirt ndër dhëmbë. Familjen e gjen në gjendje shumë të keqe ekonomike, të mbytur në borxhe. I vëllai Françesku dhe e motra Maria-Antonia s’kanë asnjë mundësi ta ndihmojnë. Mbetet për një kohë të gjatë pa punë. I drejton lutje për punë Ministrisë së Bujqësisë dhe asaj të Tregtisë, por kërkesa e tij bie në vesh të shurdhër. Asnjë përgjigje. Atëherë i lyp përsëri ndihmë Kamardës. E pyet se mos i gjen vend si mësues në Livorno ose redaktor në ndonjë revistë letrare.

Askush nuk di të thotë se me çfarë u mor pasi u kthye në katund. E vërteta është se ai kalonte ditë të dëshpëruara dhe ishte tepër nervoz. Tregohet i pakënaqur nga njerëzit e shtëpisë dhe ankohet vazhdimisht. Humbet durimin në shumë gjëra, tërhiqet nga jeta dhe qëndron në vetmi. Poezia i mbetet si ngaherë besnike dhe i vetmi kuptim e qëllim i ekzistencës.

Nëpërmjet saj shfryn dufet e dëshpërimit e të zemërimit. Rrëfen për veten dhe, nga kjo pikëpamje, shumë nga vargjet kthehen në dokumente autentike për poetin. Është një jetë e stuhishme, siç shkruan ai diku, duke pasur parasysh me këtë konfliktin e përhershëm me padrejtësitë që e rrethojnë, dashuritë e pafat, por edhe sfilitjet mendore e fizike, që i shkakton sëmundja … E ndjen veten herë si “shpirt në erë”, herë si “gurë lumi” apo dhe si “trumcak vetmitar”. Mendon se “vuajtja ime që nga rrënja është një histori plot dhimbje” dhe e quan veten “viktimë që nga djepi”. Në këto çaste të rënda i drejtohet zotit, por më kot, sepse, me sa duket, e gjithë kjo është vetëm një iluzion:
 
     Vështro o zot, në fund
     t’mjerimeve unë jam,
     një dhimbje e rëndë dhe e thellë,
     lulen vyshk të djalërisë sime.
 
     … Të luta ty, o zot, por ti qe larg
     rënkimit tim dhe unë atëherë rashë
     në tokë si një guralec pa vlerë …
 
     Po ndërkaq, tamam në këto vite, pasi është kthyer në Strigar nga Brazili, ai  botoi ne Kozencë, më 1883, librin “Poezi italisht dhe këngë origjinale” dhe tre vjet më vonë një fletë volante për veten. Në këtë të fundit përfshinte një thirrje drejtuar arbëreshëve të Sicilisë dhe disa vlerësime të njerëzve të shquar të kohës për poezinë e tij. Këto konsiderata të larta i njohin dhe sot në Strigar. Filozofi A. Konti shkroi plot entuziazëm: “Të habitshme këto këngë lufte! Të habitshme mbresat e Shqipërisë! Ja përse, në mes të Italisë, ju e ndjeni veten shqiptar”.

Kurse profesori i universitetit A. Kingo shquajti në poezinë e Serembes “rrezet e ndritshme të shpirtit të artistit”, ashtu si erudite Z. Alveo vuri re “ndjenja të ëmbla e delikate … një dashuri të këndshme për atdhe”. Akoma më lart e ngriti poeti I njohur Italian XH. Xanela, i cili u tërhoq aq shumë nga libri i vjershave italisht të Serembes, sa i kërkoi t’ia dërgonte në gjuhën shqipe, sepse “mendimet”, shkruante ai, “janë të një force dhe të një hiri të pakrahasueshëm”. Të njëjtin mendim entuziast shpreh dhe kritiku  në zë D. Mikeli kur shkruante se “Na tronditi kjo poezi … që të kujton rapsoditë e virgjëra të bardëve, këngët popullore të sagave …”

     Edhe pse kanë kaluar më se njëqind vjet nga koha kur u thanë këto mendime, në Strigar nuk i harrojnë. Ishte një nder i madh, që i bëhej poetit, por dhe vendlindjes së tij. Se ç‘ishte dhe ç‘është tek e fundit Strigari para botës? Një katund i humbur pas maleve të Polinit në Kalabrinë e Sipërme, që zor se e njihte njeri përtej kufijve të krahinës! Dhe, a nuk qe Zefi, i biri i Mikelanxhelo Serembes, ky strigariot, që nuk gjente qetësi as ditë, as natë, që bëri të flasin për të dhe bashkësinë arbëreshe, profesorë të universiteteve të Romës e të Torinos, poetë të shquar e kritikë me zë?

     I kujtojmë e flasim e flasim për të gjitha këto dhe vë re se sa mirë u vjen  bashkëfshatarëve të tij. Askujt më shumë se sa këtyre u takon nderi i Serembes. Prandaj ndihen krenarë dhe marrin krah kur dëgjojnë fjalët tona dhe kur shohin vëllezërit e ardhur nga Shqipëria t’i bëjnë homazhe kujtimit të poetit.

     Dikush shpreh keqardhjen që eshtrat e Zefit nuk prehen në dheun e Strigarit. Vajti e vdiq larg, në fund të botës, dhe mbeti atje përgjithmonë. Kjo është një brengë, po dhe një peng që ka katundi, sepse flitet për të dhe ai s’është aty. Prej kësaj hidhet fjala te mërgimi tragjik. Ai s’ishte as i pari, as i fundit që ikte nga vendlindja. Kishte kohë që kurbeti po e hante Strigarin.

Një kurbet tepër i largët, nga më të mundimshmit e më të dhimbshmit. Në Brazil, në San Paolo dhe rrethet e saj ishte ngritur kolonia e madhe e strigariotëve. Atje shkoi edhe Zefi, në mes tyre, sepse një njeri si ai, që thurte vargje tërë kohën dhe mendja e ndezur i fluturonte në shtatë qiej, nuk dinte të punonte për të nxjerrë bukën e gojës. Dhe do të ishin fshatarët e tij dhe miqtë, ata që do ta ndihmonin për të përballuar nevojat e jetesës.

     Dëgjojmë se kur shkoi për herë të dytë në Brazil, shëndeti sa vinte e i rëndohej më keq. Miku i tij më i gjindshëm paskësh qenë Kostandin Pozitoja nga Vakarico, një shitës bananesh në San-Paolo. Zefi do t’i çojë Nikolla Naços adresën e Kostandinit kur i dërgon letër nga fundi i jetës. Arbëreshët e San Paolos e njihnin poetin dhe e çmonin. Kishin qejf dhe ta dëgjonin kur fliste, sepse, thonë ata, ai fliste bukur dhe akoma më bukur, kur recitonte arbërisht. Tek ata ruhet dhe sot kujtimi i tij, që ka marrë formën e një legjende, duke ardhur deri në Strigar.

Poeti u ka mbetur në kujtesë si njeri që nuk rrinte kurrë në një vend, gjithnjë ecte. Ecte kokëvarur, dimër e verë e në çdo kohë e shikoje të mbante nën krah e nëpër xhepa vandakë gazetash e revistash.

     Vinçensi, që e njeh mirë jetën e Serembes, tregonte se vitet e fundit sëmundja iu rëndua shumë dhe e bëri edhe më të shqetësuar natyrën e tij të ndjeshme. Në shkurt të vitit 1895 ai gjendet në Nju Jork, ku kërkon të hyjë në rrethet e shoqërisë amerikane, por më kot. Shpreson te vëllezërit Vanderbilldë, por dhe prej atyre s’del gjë dhe detyrohet ta braktisë SHBA-në.

Dy vjet më vonë, më 1807, e shohim në Argjentinë. Boton vjershën “Zotit”, ku me gjithë përçartjen mistike që i shkakton sëmundja, mendja s’i ndahet nga fati i atdheut të robëruar dhe përmend Lidhjen e Prizrenit. Dashuria për Shqipërinë nuk do t’i humbasë në çfarëdo situate që të ndodhet, gjithnjë e gjallë e vepruese zotëron në ndërgjegjen e tij.

Dhe kjo shihet dhe në vjershën e fundit që njohim, atë të vitit 1898, të cilën e shkroi me rastin e vdekjes së arbëreshit garibaldin Pjetër Irianit. Duket edhe në një letër dërguar të motrës, ku tregon se si e përballon gjendjen e rëndë mendore e fizike. Në vitet që mbetën e shohim nëpër Brazil të endet sa nga Mocaco në San-Jose de Rio Pardo, e prej andej në San-Paolo. Është aq i sëmurë mendërisht, sa e quan veten “shenjtor”, bile “kokë të kristianizmit”. Të gjithë arbëreshëve që e njihnin u dhimbsej e tregonin keqardhje, por ç‘mund të bënin!


Redaksia Online
(E.Ç./Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Media greke shkrim racist për shqiptarët: Imagjinoni të festonim ne kështu në mes të Tiranës, nuk respektojnë as bukën që hanë në Greqi

Media greke shkrim racist për shqiptarët: Imagjinoni të festonim ne kështu në mes të Tiranës, nuk respektojnë as bukën që hanë në Greqi